HOMELIA
FESTA TRADICIONALE E ZOJËS SË SHKODRËS
19/10/2020
Imzot Angelo Massafra O.F.M.
Të dashur Vëllezër dhe motra,
Festa e Zojës së Shkodrës shënon etapën e dytë të fillimit të Vitit të ri Baritor, pas etapës së muajit shtator, gjatë të cilit jemi angazhuar në sensibilizimin mbi temën e Mbrojtjes së Krijimit, shtëpia jonë e përbashkët. Edhe pse jemi në një muaj të ri, angazhimi në sensibilizimin mbi aspektin ekologjik nuk është një vëmendje që duhet lënë pas dore: ka të bëjë me faktin që ne vetë të jetojmë mirë sot, por edhe me botën që duhet t’u përçojmë fëmijëve tanë, atyre që do të vijnë pas nesh.
Filli i kuq që i lidh këto dy etapa është Maria. Në fakt, me atë që i ka dhënë Jezusit jetën njerëzore, në muajin shtator kemi kujtuar agimin e shëlbimit tonë duke kremtuar lindjen e saj dhe bashkë me të, te këmbët e kryqit të të Birit, kemi kujtuar kulmin e shpëtimit tonë.
Tani, në muajin tetor, e lëmë veten që të drejtohemi prej saj, Mbretëreshë e Rruzares së shenjtë, në soditjen e mistereve të Krishtit, me qëllim që ajo ta depërtojë krejt jetën tonë dhe, çdo ditë e më shumë, të jemi nxënës gjithnjë e më të mirë. Në fund, prej saj, Nënë e Këshillit të Mirë, e pranojmë sot ftesën për të bërë atë që Jezusi na kërkon.
Le ta kujtojmë Marinë edhe si Mbretëreshë të Misioneve, temë tjetër e rëndësishme të cilës i është kushtuar muaji tetor, duke e quajtur pikërisht “muaj misionar”. Ftesa që Jezusi na ka bërë, të cilën Maria na fton që ta ndjekim, është ajo që të shkojmë te të gjitha kombet dhe të pagëzojmë në emër të Atit e të Birit dhe të Shpirtit Shenjt (krh. Mt 28, 16-20). Përgjigjja e nxënësit, e secilit prej nesh, është ajo që jepet prej temës së Ditës Misionare Botërore për këtë vit 2020: “Ja, ku më ke, çomë mua!” (Is 6,8).
Është përgjigjja ndaj një thirrjeje që, siç na thotë Papa në mesazhin e tij, “është përgjigje, e lirë dhe e vetëdijshme, ndaj thirrjes së Hyjit. Por këtë thirrje mund ta perceptojmë vetëm kur kemi një marrëdhënie personale dashurie me Jezusin e gjallë në Kishën e tij”.
Vëllezër e motra, thirrja dhe misioni ecin gjithmonë bashkë: jemi të thirrur për t’u dërguar; këto dy gjëra nuk mund të ndahen! Për këtë arsye duhet ta shqyrtojmë mirë veten, të hyjnë brenda vetes dhe ta pyesim atë nëse jemi me të vërtetë të devotshëm ndaj Marisë; sepse devocioni i vërtetë marian ka të bëjë pikërisht me ndjekjen e shembujve dhe të mësimeve të Marisë.
Tani le të shohim se çfarë na ka mësuar Maria.
Para së gjithash bashkësinë me Hyjin përmes lutjes dhe meditimit të Fjalës, që krijojnë në ne një hapësirë heshtjeje në të cilën mund të dëgjojmë thirrjen e Zotit dhe t’i përgjigjemi atij me gëzim dhe entuziazëm, duke pranuar kështu që të bëhemi kumtues dhe dëshmitarë të Krishtit. Ja, atëherë, se si në jetën e Marisë gjejmë shembullin konkret të ndërveprimit mes thirrjes dhe misionit: kjo është edhe ajo që secili prej nesh mund të bëjë konkretisht.
Prej kësaj rrjedh edhe një tjetër konsideratë që dua të bashkëndaj sot me ju. Nëse ajo që kemi thënë deri tani është e vërtetë (dhe është e vërtetë!), atëherë mund të arrijmë në përfundimin se cili është motivi për të cilin rrallëherë dhe me vështirësi arrijmë që të jemi një “kishë në dalje”, ashtu siç na fton shumë shpesh Papa Françesku; por mund të kuptojmë edhe se cila është arsyeja pse kanë rënë kaq shumë thirrjet meshtarake dhe për jetën e kushtuar. Kemi shumë gjëra për të bërë dhe i kushtojmë pak kohë lutjes dhe meditimit të Fjalës së Hyjit.
Rrezikojmë që edhe liturgjitë tona të jenë vetëm një ndjekje ritesh të parapërgatitura, fjalësh dhe këngësh që nuk i lënë vend heshtjes së duhur, që Fjala e dëgjuar të zërë vend në zemrën tonë dhe të nxisë përgjigjen e duhur nga ana jonë.
Rrezikojmë që të dalim shpesh prej Meshës ashtu siç kemi hyrë, pa ndryshuar aspak, pa u angazhuar për t’u përmirësuar dhe për të vënë në praktikë Fjalën e dëgjuar, pa i mundësuar Trupit të Krishtit, marrë në kungimin e shenjtë, që të ngjallë në ne zellin apostolik.
Nuk duhet të jetë kështu, shumë të dashur besimtarë. Le të vendosim më në fund që të pranojmë ftesën e Marisë, që të bëjmë “gjithçka që Ai do të na thotë”. Nëse ne të parët do të bëjmë kështu, shembulli ynë do të jetë garanci për brezni të reja nxënësish të Krishtit, për një rimarrje në fushën thirrore dhe në atë misionare.
Jam i bindur se duke ri-nisur të gjithë nga një jetë fejeje më të thellë, sipas shembullit të Zojeë Mari, ne mund të japim një hov të ri veprës ungjillzuese.
Ftesa e fundit që sot dëshiroj t’ju drejtoj është ajo që t’u bindeni udhëzimeve që Shteti është duke dhënë në lidhje me emergjencën shëndetësore që jemi duke jetuar. Ashtu si Pjetri e Pali apostuj, edhe Papa është duke na ftuar që t’u bindemi ligjeve të Shtetit që, nëse nuk janë në kundërshtim me fenë dhe moralin, na detyrojnë në ndërgjegje të gjithëve. T’i kundërshtosh këto ligje do të ishte moralisht e gabuar. Në letrën e fundit që i kam dërguar krejt Arqidioqezës kam përsëritur nevojën për të vënë në praktikë normat higjieno-sanitare, që janë caktuar dhe tani po e bëj përsëri me më shumë forcë dhe vendosmëri: ta respektojmë njëri-tjetrin dhe ta respektojmë jetën që Hyji na ka dhuruar.
Ndërmjetësisë së fuqishme të Marisë, Zojës sonë, le t’ia besojmë lutjet tona drejtuar Zotit, me qëllim që të na lirojë shpejt prej kësaj pandemie, por sidomos që të na japë gatishmërinë e zemrës dhe të vullnetit për ta dëgjuar dhe për të medituar Fjalën e tij dhe për t’iu përgjigjur me bujari, përmes një jete apostullimi të bazuar në dashurinë e Hyjit.
Qoftë Lëvduar Jezu Krishti.