ARQIPESHKEVIA METROPOLITANE SHKODËR-PULT
Shkodër, 05.03.2025
“Ja, pra, tani është koha e volitshme, ja, pra, tani është dita e shpëtimit”
Të dashur vëllezër e motra, kjo shprehje e Apostullit Pal na ndihmon të hyjmë në shpirtin e Kreshmëve që po fillojmë. Kreshma është koha e volitshme për t’u kthyer tek ajo që është thelbësore, për të hequr nga vetja atë që na rëndon, është koha e volitshme për t’u pajtuar me Zotin, ose më mirë për t’u lënë të pajtohemi me Zotin, për të lejuar që zjarri i dashurisë së Zotit të mund të ndizet përsëri mes hirit të njerëzimit tonë të brishtë.
Kreshma është një kohë hiri për të vënë në praktikë atë që Zoti na kërkon në leximin e parë:
“Kthehuni tek unë me gjithë zemër“.
Të kthehemi tek ajo që është thelbësore, që është Zoti. Por mbi të gjitha, Kreshma është një kohë që na fton të kthehemi te e vërteta e vetvetes sonë. Kreshma na kujton se kush jemi dhe nga vijmë, na rikthen te e vërteta themelore e jetës: vetëm Zoti është Hyj dhe ne jemi vepër e duarve të Tij. Së shpejti do t’i afrohemi meshtarit dhe si shenjë pendese do të marrim një grimë hiri mbi krye, duke kujtuar atë që na thotë libri i Zanafillës (3,19): “Kujtohu se je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh”.
Hiri mbi kokë na rikthen te toka, na kujton se vijmë nga toka dhe se në tokë do të kthehemi. Kjo do të thotë se po, jemi njerëz të dobët, të brishtë, të vdekshëm, por jemi pluhur në duart e Zotit, jemi pluhur i mbushur me dashurinë e Zoti. Zoti deshiron të mbledhë pluhurin tonë në duart e tij dhe t’i mbush me frymën e tij të jetës. Po, jemi pluhur, por një pluhur i çmuar në duart e Zotit, një pluhur që do të jetojë përjetësisht. Jemi pluhur, jemi tokë, argjilë, por të punuar me duart e Zotit bëhemi një mrekulli.
Prandaj, Kreshma nuk është thjesht një kohë pendese, një kohë në të cilën duhet të bëjmë ndonjë vepër të mirë ose pendese, por është një kohë në të cilën, nën dritën e Fjalës së Zotit, mund të rizbulojmë të vërtetën e qenies sonë si të krishterë.
Kreshme është edhe koha për t’u kthyer te Zoti dhe tek vëllezërit: “Qysh tash kthehuni me gjithë zemër nga unë. Kthehuni kah Zoti, Hyji juaj, sepse është i butë dhe i mëshirshëm“.
Po, vëllezër e motra, në këtë kohë jemi të ftuar të përjetojmë mëshirën e Zotit, të Atit që është gjithmonë gati të na pranojë me krahët të hapura, pavarësisht mëkateve tona. Por ky udhëtim i Kreshmës nuk e bëjmë vetëm, e bëjmë si bashkësi, si Kishë. Është e gjithë Kisha që vihet në udhëtim, është e gjithë bashkësia që nis udhëtimin drejt Zotit. Gesti pendestar i vendosjes së hirit nuk është një akt individual, por një akt i përbashkët, sepse të gjithë së bashku duhet të mbështesim njëri-tjetrin në këtë rrugëtim.
Besimi nuk është vetëm një aspekt i jetës sonë personale. Feja na përfshin në një përmasë më të madhe. Nuk mund të rritemi në marrëdhënien tonë me Zotin përveçse përmes komunitetit dhe brenda komunitetit.
Ja pse kthimi tek Zoti nënkupton edhe kthimin tek vëllezërit tanë. Për ta plotësuar këtë kthim – të kthehemi në të vërtetën e vetvetes, te Zoti dhe tek vëllezërit – Ungjilli na tregon tre rrugë: lëmosha, lutja dhe agjërimi.
Por Jezusi na thotë qartë mënyrën se si duhet t’i praktikojmë këto vepra: Në leximin e parë kemi dëgjuar “Shqyeni zemrat e jo petkat”. Ndryshoni zemrën dhe jo vetëm pamjen e jashtme.
Çfarë vlere ka të agjërojmë, nëse zemra jonë mbetet larg Zotit?
Çfarë vlere ka të agjërojmë, nëse nuk afrohemi më shumë me vëllezërit tanë? Agjërimi, lëmosha dhe lutja marrin kuptimin e vërtetë vetëm nëse lindin nga një zemër e re dhe e ripërtërirë.
“Ruhuni se i bëni veprat e mira tuaja në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell”.
Agjërimi nuk do të thotë vetëm të mos mbushim stomakun, por të çlirojmë zemrën nga ngarkesat që na pengojnë që të duam me një zemër të lirë. Pendesa nuk do të thotë vetëm të mos hash, por të ndryshosh jetën, të ndryshosh mënyrën e të menduarit, të kthesh vëmendjen nga vetja te të tjerët dhe te Zoti.
Të japësh lëmoshë nuk do të thotë thjesht t’i japësh diçka një të varfri për të qetësuar ndërgjegjen, por do të thotë ta takosh tjetrin me një ndarje të vërtetë vëllazërore. Nuk bëhet fjalë vetëm për të ndihmuar ata që kanë nevojë, por për të prekur me duart dhe me lotët tanë vuajtjet e të varfërve.
E në fund Lutja që është thelbësore për kthimin. Nuk ka kthim të vërtetë pa lutje, nuk ka ndryshim të zemrës përveçse në hapjen ndaj Zotit, në vetëdijen e varësisë sonë nga Fjala e Tij. Përveç angazhimit personal, ju ftoj të jetoni edhe momente lutjeje të përbashkët: Meditimi mbi Mundimin e Zotit (Udha e Kryqit), Adhurimi i Sakramentit, Liturgjitë pendestare dhe Lectio Divina. Duhet të bëhemi gjithnjë e më shumë një komunitet lutjeje, i mbledhur rreth Zotit.
Vëllerzër e motra, “Ja, pra, tani është koha e volitshme; ja, pra, tani është dita e shpëtimit”.
Le të mos e humbim këtë kohë hiri. Mos të vonojmë të rifillojmë udhëtimin tonë të kthimit.
Le të ecim në rrugën e dashurisë për të zbuluar gëzimin që vjen më shumë nga dhënia sesa nga marrja.
Le të ecim në rrugën e agjërimit për të zbuluar atë që është thelbësore në jetë dhe për të zgjedhur gjithmonë pjesën më të mirë, atë që nuk do të na merret kurrë.
Le të ecim në rrugën e lutjes për të zbuluar bukurinë e një dialogu të thellë me Zotin përmes meditimit të Fjalës së Tij.
Imzot Giovanni Peragine
Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult