Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Bekimi dhe inaugurimi i Kambanares së Shën Kollit (HOMELIA)

Në këtë kremtim kaq solemn, si në të gjitha kremtimet e tjera të Kishës, pranuam ftesën për t’u mbledhur në emër të Zotit për të shprehur fenë tonë, për të dëgjuar Fjalën e Zotit dhe për të bashkëndarë Bukën Eukaristike, prani e gjallë e Krishtit në mes të popullit të tij dhe në ne, besimtarët e tij, që e marrim me respekt dhe devocion.

Por në zanafillë të të qëndruarit tonë së bashku ekziston, si gjithmonë, nisma e Hyjit. Është Hyji ai që e thërret popullin e tij, e thërret që ai ta dëgjojë Atë, e fton që t’i zbatojë mësimet e tij dhe e dërgon në mision, që është dëshmimi i tij.

Është domethënëse sesi në leximin e parë Zoti e urdhëroi Moisiun që të bënte bori për ta thirrur popullin dhe se si duhej t’u binin atyre, në mënyrë që në varësi të tingullit populli të kuptonte edhe arsyen e thirrjes.

Nga ky fakt para së gjithash kuptojmë se Hyji nuk përdor gjithmonë fuqinë për të hyrë në marrëdhënie me ne, por zgjedh mjete të thjeshta që janë pjesë e gjuhës njerëzore, të tilla si simbolet. Simbolet mund t’i quajmë edhe “sakramente”, domethënë shenja të dukshme të një realiteti të padukshëm. Kështu, tingulli i kambanave të kishës kryen një veprim simbolik, sepse është një sinjal dëgjimor që na bën të kuptojmë vlerën e asamblesë së krishterë, por edhe vlerën e lutjes për ne të krishterët.

Kjo është arsyeja pse i kemi bekuar kambanat: pikërisht sepse janë një simbol (sakrament) që shpreh vlerën e takimeve tona dhe të lutjes për të cilën ato na thërrasin. Me të drejtë, pra, kur bien kambanat, besimtarët bëjnë shenjën e kryqit: një traditë që absolutisht nuk duhet ta humbasim dhe që duhet ta mbajmë dhe t’ua mësojmë edhe fëmijëve tanë.

Prandaj, te kambanat ne njohim zërin e vetë Hyjit që na thërret: një zë i fuqishëm, siç kënduam në psalm. ZËRI I HYJIT, jo një shenjë e madhështisë sonë si qenie njerëzore. Shumë shpesh kemi bërë që madhësia e kambanareve tona të përkojë me madhësinë tonë si të krishterë. Por kambanaret nuk na përfaqësojnë ne, pasi ata janë ZËRI I HYJIT; prandaj ato nuk duhet të jenë arsye krenarie ose madhështi, por një nxitje për ta njohur parësinë e Hyjit në jetën tonë.

Por, ndërsa simbolika e kambanave për ne të krishterët është një ftesë për lutjen personale apo bashkësiore, për të gjithë të tjerët duhet të japë idenë e një bashkësie të krishterë që mblidhet, e një populli të thirrur për të hyrë në një marrëdhënie me Hyjin e tij dhe që do të dalë prej kësaj kishe me një mandat misionar shumë specifik të marrë nga vetë Zoti: atë të dëshmimit të tij me fjalë dhe vepra.

E dëgjuam në Ungjill: Jezusi i dërgon nxënësit e tij për t’ua shpallur lajmin e mirë të Ungjillit të gjithë popujve, duke përçuar mësimet e Mësuesit, në mënyrë që të gjithë të besojnë në të. Por kemi dëgjuar edhe që Jezusi i qorton ata që nuk besojnë se ai është ngjallur. Po, sepse mund të ndodhë që ne ta quajmë veten të krishterë, por pastaj me jetën tonë tregojmë të kundërtën.

Ia vlen të kujtojmë këtu atë që na thotë Shën Pali, themeluesi i Kishës sonë në Iliri: “Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por po të mos kisha dashurinë, do të isha porsi bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon” (1 Kor 13, 1). Shën Pali thotë se veprat tona duhet të pasurohen me dashuri, përndryshe janë të padobishme. Dhe përdor imazhin e bronzit që kumbon, si ai i kambanave tona.

Prandaj, sa herë që dëgjojmë të bien kambanat, nuk mjafton të bëjmë shenjën e kryqit si një gjest mekanik dhe nuk mjafton as të vijmë në kishë për t’u lutur, nëse e gjithë kjo dhe veprimet tona të tjera të përditshme nuk bëhen me dashuri. Dashuria është kripa që u jep shije ditëve tona, i bën të lehta vështirësitë e jetës, bën që t’i kapërcejmë konfliktet dhe na çon drejt paqes. Tani e tutje, kur të dëgjojmë tingullin e kambanave do të kujtojmë se kemi marrë vetëm një urdhërim nga Zoti Jezus: atë të dashurisë dhe do ta ripërtërijmë angazhimin tonë për të qenë dëshmitarë të dashurisë.

Po e përfundojmë reflektimin tonë duke i ripërtërirë falënderimet tona ndaj Hyjit për realizimin e kambanares: e vetmja gjë që mungonte në rindërtimin e njërës prej kishave historike të Shkodrës të shkatërruar nga komunizmi. Rektori, Dom Kristjani, na kujtoi se kambana e parë u kushtohet Martirëve të Lumë të Shqipërisë të shekullit XX dhe në kujtim të Dom Ndoc Nogës, i cili, së bashku me besimtarët, mori këtë copë tokë dhe i shërbeu Shën Kollit për shumë vite në një barakë llamarine dhe në kishën e rindërtuar dhe të rishuguruar më 29 nëntor 2008. Personalisht, e konsideroj rindërtimin e kësaj kishe 13 vjet më parë dhe ndërtimin e kambanares sot, monumentin që ne, katolikët e sotëm, i ngrejmë “Kishës Martire” në Shqipëri.

Dhe përveç Zotit, ripërtërijmë falënderimet tona për të gjithë ata që kanë kontribuar financiarisht në realizimin e saj, emrat e të cilëve do të kujtohen me një pllakë të madhe që do të bëjmë më vonë në kujtim të kësaj dite.

Gjithçka qoftë për lavdi të Hyjit, të cilit i lartësohet lavdi ynë, dhe të cilit i shkon nderi dhe lavdia në shekuj të shekujve. Amen.

Imzot Angelo Massafra OFM



Exit mobile version