Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

Do të lumnohen dy meshtarë shqiptarë, vrarë nga urrejtja për fenë

Gjatë audiencës së paradites me kardinalin Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, Papa autorizoi shpalljen e dekreteve lidhur me martirizimin e Át Luigi Paliqit, të Urdhrit të Fretërve të Vegjël dhe të don Gjon Gazullit, si edhe ato për njohjen e virtyteve heroike të tre rregulltarëve e të një gruaje, që i përkiste një instituti shekullar

R.SH. – Vatikan

Lajm i mirë për Kishën Katolike kudo në trevat shqiptare. Dy meshtarë, vrarë nga urrejtja për fenë, gjatë shekullit të kaluar so të shpallen të lum. Është fjala për Át Luigi Paliqin nga Urdhri i Fretërve të Vegjël, arrestuar, rrahur, torturuar dhe vrarë nga ushtarët malazezë, sepse iu kundërvu abuzimeve kundër popullsisë dhe fushatës së kthimeve të detyruara në ortodoksi për katolikët dhe myslimanët malazezë; si edhe për don Gjon Gazullin, prift dioqezan, dënuar duke marrë për bazë akuza të rreme dhe varur, sepse veprimtaria e tij konsiderohej nga qeveria e kohës si pengesë për realizimin i planit të bashkimit të popullsisë që, për qëllime politike, duhej të çlirohej nga përkatësia fetare. Gjatë audiencës së paradites me kardinalin Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, Papa autorizoi shpalljen e dekreteve lidhur me martirizimin e tyre, si edhe ato për njohjen e virtyteve heroike të tre rregulltarëve e të një gruaje, që i përkiste një instituti shekullar.

Rregulltar, besnik ndaj misionit të tij

Luigj Paliqi lindi në Janjevë të Kosovës, më 20 shkurt 1877. U rrit në një familje shumë fetare, aq sa edhe dy nga vëllezërit e tij zgjodhën t’i kushtoheshin Zotit. Vetë Luigji kërkoi të pranohej në Urdhrin e Fretërve të vegjël, në Cortemaggiore të Italisë, ku në vitin 1901 shugurohet meshtar. Dërgohet të kryejë shërbimin e tij ndërmjet shqiptarëve e më 1907 emërohet Rektor i kuvendit françeskan të Gjakovës, ndërsa, më 1912, bëhet bashkëpunëtor në famullinë e Pejës, territor, i cili pas Luftës I Ballkanike, ishte pushtuar nga malazezët, aleatë të serbëve. Ata nisin një politikë jashtëzakonisht shtypëse kundër popullsisë shqiptare, duke i detyruar katolikët dhe myslimanët të ktheheshin në ortodoksë. Át Paliqi i mbron të dyja palët dhe i nxit t’u qëndrojnë besnikë besimeve të tyre fetare. I vetëdijshëm për rreziqet me të cilat përballet, mbetet në postin e tij dhe vazhdon të ushtrojë shërbimin meshtarak, duke i qëndruar besnik misionit. Autoritetet malazeze dhanë urdhër të arrestohej më 4 mars 1913. Në burg, françeskani u rrah dhe torturua deri më 7 mars, kur para se t’i nënshtrohej gjyqit, i zhveshur nga rrobet e rregulltarit, u vra nga ushtarët.

Meshtar i guximshëm

Ndërkaq, Gjon Gazulli është me origjinë nga një fshat i vogël afër Shkodrës, nga Dajçi i Zadrimës, në Shqipëri. Lindur më 26 mars 1893, u shugurua meshtar dioqezan më 1919. Famullitar në Gjadër, Qelez të Pukës dhe Koman, kudo ku shkon fiton dashurinë e popullsisë, së cilës i ofron ndihmë dhe inkurajim. Pasi hapi një shkollë në famulli për mësimin e fesë katolike, mbahej nën kontroll nga qeveria për gjoja veprimtarinë e pengimit të arsimimit të përbashkët të myslimanëve dhe të krishterëve. Autoritetet politike e shikonin me dyshim, për shkak të ndikimit të fortë ndër vendasit dhe te famullitarët e tjerë, në nivelin moral dhe fetar.

Ndërsa shumë meshtarë largoheshin nga Shqipëria, duke iu nënshtruar regjimit të vendosur nga presidenti i Republikës Ahmet Zogu, don Gazulli qëndron në mesin e grigjës, që i ishte besuar. Arrestohet më 28 dhjetor 1926 dhe i nënshtrohet një gjyqi të rremë, që e dënon me akuza të pabaza. U var nga Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”. Ai që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë, deputeti i opozitës kundër Zogut, u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër male e madje, edhe se kishte prerë telin e telefonit!? Varet në shesh në Shkodër më 5 mars 1927.

Për të dëgjuar komentin e Arqipeshkvit metropolit të Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra-s:

https://www.vaticannews.va/sq/kisha/news/2024-06/imzot-massafra-per-at-luigj-paliqin-dhe-per-don-gjon-gazullin.html

Exit mobile version