Site icon Kisha Katolike në Shqipëri

HOMELI ME RASTIN E HAPJES SË SINODIT DIOQEZAN

Sot hapim ecjen sinodale edhe në Kishën tonë dioqezane, në bashkim me të gjitha Kishat e tjera të botës dhe në vazhdimësi me hapjen zyrtare që u bë në Romë të dielën e kaluar. Një ngjarje hiri për të cilën thërrasim me forcë dhe përulësi praninë e Shpirtit Shenjt për ta udhëhequr dhe për ta orientuar ecjen e Kishës universale në kohën tonë, që të gjithë po me forcë dhe përulësi e përjetojmë si një kohë krizash dhe ndryshimesh të mëdha epokale.

Të vetëdijshëm se çdo moment krize mund të jetë edhe një mundësi e madhe për ndryshime pozitive, edhe ne, Kisha e Shkodër-Pultit, duam të japim kontributin tonë në këtë ecje, duke u angazhuar seriozisht për të bashkëpunuar me pjesëmarrjen tonë, me sugjerimet tona, me leximet tona të realitetit, pa u ndalur që të qajmë për plagët tona, por duke rimarrë ecjen me guxim drejt një rilindjeje të vërtetë.

Modeli që duhet të kemi gjithmonë para syve tanë duhet të jetë ai i Marisë, ashtu siç qe në të gjitha momentet kur, pas tragjedisë së komunizmit, njerëzit tanë bartën, në çdo ngjarje feje, ikonën e Zojës së Këshillit të Mirë që tani e shohim të ekspozuar në altarin e kishës sonë Katedrale. Ajo qe dëshmitare e vdekjes së Birit të saj në Kryq, por edhe dëshmitare e Ngjalljes së tij, së bashku me Apostujt.

Më pëlqen ta imagjinoj këtë Sinod dhe punën sinodale që po ndërmarrim me imazhin që na paraqitet Ungjilli i sotëm, ai i Jezusit i cili me durim dhe dashuri mbledh apostujt e tij për t’i edukuar ata në shërbim dhe përulësi, duke e paraqitur veten e vet si model si në aktin e pirjes së kupës së hidhur të Mundimeve, ashtu edhe të të zhyturit në Pagëzimin e Vdekjes dhe Ngjalljes së tij.

Në fund të fundit, të jesh Kishë do të thotë të ndihesh i mbledhur nga Krishti si nxënës të Tij të dashur dhe bij të Mundimeve, të Vdekjes dhe të Ngjalljes së tij. Të jesh nxënës do të thotë të jesh plotësisht dakort me mendimin e Mësuesit, por edhe me shembullin e tij të jetës. Ne jemi Kishë dhe nxënës vetëm kur kuptojmë të vërtetën rreth Jezusit dhe misionit të tij; vetëm kur reshtim së imagjinuari atë si një Hyj që përmbush dëshirat tona dhe fillojmë t’i vëmë në jetë mësimet e tij dhe të ndjekim shembullin e tij.

Fatkeqësisht, nuk është gjithmonë kështu! Shpesh, si i riu i pasur në Ungjillin e së dielës së kaluar, mendojmë se mund të jemi nxënës të Krishtit vetëm falë respektimit të jashtëm të urdhërimeve, por pa u liruar nga idetë, pozicionet, bindjet dhe vetja jonë, domethënë pa hyrë në një marrëdhënie të thellë me Mësuesin.

Shpesh, si apostujt e Ungjillit të sotëm, e imagjinojmë veten si ndjekës të një personi të fuqishëm që mund t’i përmbushë dëshirat dhe qëllimet tona, dhe jo si ndjekës të një të kryqëzuari që u bë shërbëtor i të gjithëve nga dashuria e tij për t’i treguar botës se deri në ç’pikë mund të arrijë dashuria e Atit për njerëzimin.

Prandaj është e rëndësishme që ta fillojmë këtë Sinod para së gjithash me vetëdijen se jemi nxënës të mbledhur nga Mësuesi, të gatshëm për ta vënë në praktikë mësimin e tij dhe të vendosur për ta ndjekur shembullin e tij.

Per Sinodin: bashkim, Pjesëmarrje- bashkëpërgjegjsia dhe Mision.

Bashkimin: “Jemi të përhapur në krejt Dioqezën, por Zoti na bashkon në një”; “Qëllimi s’është ai për të qenë të gjithë njësoj, por për të ecur së bashku, duke bashkëndarë një ecje të përbashkët dhe duke përqafuar larminë tonë”; “Bashkimi që Zoti ndërton në mes nesh është më i fortë se çdo ndarje”; “Në mes të dallimeve tona të shumta, jemi të bashkuar në pagëzimin tonë të përbashkët, si gjymtyrë të Trupit të Krishtit

Pjesëmarrjen- bashkëpërgjegjsia: edhe besimtarët laikë duhet të kenë një rol. Duhet edhe të bëhet një përpjekje për të përfshirë ata që ndonjëherë janë të përjashtuar, personat që përjetojnë varfërinë dhe braktisjen, personat që jetojnë me një handikap, të rinjtë, gratë, etj.

* Misionin, mund të theksohen dhuratat dhe karizmat (dhuntitë) e shumta të popullit të Hyjit në dioqezë dhe duke ritheksuar konceptet kyçe sikurse vijojnë më poshtë: “Çdo i krishterë ka një rol jetik për të kryer në misionin e Kishës”; “Të gjithë të PAGËZUARIT DHE TE KREZMUARIT janë gur të gjallë në ndërtimin e Trupit të Krishtit”; “Askush s’është i përjashtuar nga gëzimi i Ungjillit”; “Laikët kanë një mision të veçantë në dëshmimin e Ungjillit në të gjitha fushat e shoqërisë njerëzore”; “Sikurse dishepujt e Jezusit, jemi tharm në mes të njerëzimit deri kur mbretëria e Hyjit të lindë në mbarë botën”.

Vellezer dhe motra, do të shpërndahet një pyetësore: secili le ta marri dhe të përgjigjet, duke pasur famullinë si pika riferimi.

Karakteristika tjetër e këtij sinodi tregohet te leximi i dytë: besimi. Pikërisht për shkak të “dobësisë” të cilës Jezusi iu nënshtrua, pavarësisht se ishte Hyj, jemi të sigurt se marrim hir dhe mëshirë. Dhe, gjithnjë të vetëdijshëm se ajo që i përket Mësuesit u përket edhe nxënësve, angazhohemi që të jemi si ai, të aftë për mëshirë mes nesh dhe me mbarë njerëzimin. Analizat që do të na duhet të bëjmë gjatë Sinodit, në fakt, mund të na bëjnë të biem në grackën e gjykimit pa mëshirë, të dënimit pa apel; mund të na çojnë në zemërim dhe dhunë. Por duhet të jemi si Jezusi, të lirë nga e gjithë kjo dhe gati për mëshirë.

Po e përfundoj me rreshtin e fundit të Psalmit përgjigjës, si një lutje dhe dëshirë për ecjen tonë sinodale: “Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë. Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti” (Ps 33, 20.22).

Zoja Maria, Nena Tereze e Te lume Martire tana na ndihmofshin ne kete ecje.

 

Imzot Angelo Massafra Ofm.

17 Tetor 2021

Exit mobile version