Shkodër, më 21 mars 2009
 
TAKIMI ME NJERËZIT E KULTURËS
“Kultura: forca dhe e vërteta dialoguese për të qenë në shërbim të njeriut”
 

(nga Imzot Angelo Massafra)


 
Shumë të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Autoritete dhe profesorë,

Miq të kulturës dhe të shkencës, jam thellësisht mirënjohës që mund të komunikoj me ju në këtë takim, me qëllimin që të kërkojmë së bashku kuptimin e kulturës, të asaj kulture që nuk është ‘dije e zbrazët formale’ apo thjesht grumbullim njohurish, por që di të vihet në shërbim të njeriut. Të gjithë ne, në të vërtetë, e pranojmë vlerën e lartë të kulturës. Falë saj popujt e pranojnë realitetin e qenies së tyre dhe të botës përreth, e përvetësojnë dhe e shndërrojnë, duke i dhënë kështu çdo gjëje një përmasë njerëzie. Pra, nëpërmjet kulturës Toka bëhet vërtet shtëpia e njeriut, pasi modelohet dhe, do të thoja, gati ndërtohet, prej ndërhyrjeve që çdo person bën. Në të vërtetë, me termin ‘Tokë’ nuk kuptojmë vetëm planetin tonë në aspektin e tij natyror dhe material, tokën që shkelim, të formuar prej bimëve, luleve, arave të kultivuara, qenieve të gjalla. Toka është e tërë bota në të cilën jetojnë njerëzit, duke hyrë në marrëdhënie mes tyre, dhe në të njëjtën kohë është modaliteti i të jetuarit të tyre, personalisht dhe të gjithë së bashku. Pra, toka është bota e përbërë prej marrëdhënieve mes personave dhe prej modaliteteve konkrete në të cilat ata zgjedhin ta ndërtojnë bashkëjetesën e tyre. Kështu, shprehja e Zanafillës në të cilën Hyji i jep njeriut detyrën për ta kultivuar tokën, nuk duhet marrë vetëm në kuptimin se njeriu duhet t’i mbjellë e të kujdeset për bimët që të ketë ushqim për jetesë. ‘Të kultivosh tokën’ do të thotë më saktësisht të kujdesesh për marrëdhëniet mes personave dhe për modalitetet e bashkëjetesës, në mënyrë që Toka në të cilën jetojmë të jetë vend i bashkimit dhe jo i ndarjes, një vend në të cilin jeta është e bukur për të gjithë.
Fjala ‘kulturë’ vjen prej latinishtes, pikërisht (është pjesorja e shkuar e) prej foljes ‘còlere’, që do të thotë ‘kultivoj’. Kultura është pra mënyra konkrete me të cilën kultivojmë Tokën, pra është mjeti që kemi për të ndërtuar bashkëjetesën tonë, nëpërmjet asaj që shprehim dhe ‘prodhojmë’. Kultura pra përfshin çdo shprehje që njeriu përdor për të hyrë në marrëdhënie me të tjerët, duke komunikuar dhe përçuar diçka nga vetvetja. Prandaj ‘kultura’ nuk ka të bëjë kryesisht me shumën e njohjeve që zotërojmë apo me diplomën që kemi marrë. Kultura jepet prej tërësisë së shprehjeve – artistike, prodhimtare, gjuhësore, letrare, sportive, etj. – që një grup shoqëror përpunon dhe jeton në marrëdhëniet e veta konkrete. Kështu kuptojmë se si të gjithë jetojmë brenda një kulture të caktuar, që na ka modeluar qysh prej momentit të lindjes. Përrallat që dëgjojmë kur jemi fëmijë, këngët që këndojmë kur jemi në humor të mirë, filmat që shohim, e gjithë kjo – dhe shumë të tjera – formon kulturën tonë. Ajo që e karakterizon një popull, pra, është kultura e vet, format e tij të shprehjes së të qenit të tij dhe të të ndierit të tij, vlerat dhe mosvlerat e tij, krijimet e tij, jeta e tij e marrëdhënieve, mënyra e tij e të punuarit dhe e të kremtuarit të jetës.
Ne banojmë në botë dhe marrëdhënia me botën është e strukturuar prej kulturës së kuptuar si plazmim i natyrës, rizgjim, fuqizim, zhvillim, përdorim i burimeve me të cilat çdo qenie njerëzore është i pajisur. Me qëllim që kultura e një grupi apo e një populli të mund të rritet e të zhvillohet realisht është e nevojshme edhe që të ndodhë një ‘gërshetim horizontesh’. Kjo sepse vizioni im i botës, sado i gjerë të jetë, mbetet i pjesshëm deri sa të mos i hapet vizionit të subjekteve të tjera që me ndihmesën e tyre, e zgjerojnë horizontin tim kulturor.
Për këtë arsye njeriu i kulturës ka një detyrë të rëndësishme dhe një përgjegjësi të madhe ndaj popullit të vet: ai duhet të angazhohet që të mbrojë më të mirën e veçantive kulturore që ai zotëron, me qëllim që të mund të zhvillohet dhe të rritet duke nisur prej rrënjëve të veta, duke mbetur njëkohësisht gjithmonë i hapur ndaj popujve të tjerë dhe ndaj ndihmesës që këta mund të japin për të zgjeruar horizontet dhe për ta pasuruar kulturën në të cilën bën pjesë. Në këtë kontekst del e qartë rëndësia e dialogut kulturor. Ai bëhet themelor, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet në një njohje më të qartë e më të plotë të të vërtetës.
Kështu, njeriu i kulturës është para së gjithash një person në dialog me të gjithë, plot me dëshirën që të dëgjojë e të mësojë, përvujtërisht i vetëdijshëm se edhe ai që mendon ndryshe prej tij mund ta ndihmojë që ta njohë të vërtetën. Ai ndien se e ka për detyrë t’i thellojë njohjet e veta, duke kërkuar ndërlidhje dhe domethënie të tyre më të thella, në kërkim të të vërtetës – të gjërave, të botës, të vetvetes, të Hyjit. Pra është gjithmonë në një ecje studimi dhe formimi, i gatshëm që të mësojë gjëra të reja dhe t’i krahasojë pozicionet e veta me ato të të tjerëve. Prandaj, njeriu i kulturës nuk resht kurrë së studiuari dhe nuk kënaqet duke pasur një titull studimi. Ai e di se arritja e njohjes së të vërtetës kërkon angazhim dhe flijim. E di se është e nevojshme një metodë e mirë kërkimi, studimi dhe reflektimi. E di se për të arritur në rezultate të kënaqshme duhet të jetë i aftë t’i analizojë mirë çështjet dhe të paraqesë një përmbledhje të tyre. Veç kësaj, është i vetëdijshëm se kultura nuk shitet dhe nuk blihet. Titujt dhe diplomat mund të blihen... por kultura jo!
Në këtë perspektivë, duhet të kemi parasysh se kultura nuk identifikohet thjesht me faktin e fitimit të një serie njohjesh. Nuk mjafton të dimë. Duhet të dimë se për çfarë qëllimi duhet të dimë. Dikush ka qëllimin të nxjerrë përfitim prej kulturës, për t’u pasuruar materialisht. Sigurisht, është e nevojshme që njeriu të kujdeset për vetveten, për familjen e vet dhe për ata që kanë nevojë. Por nuk mund të jetë ky qëllimi parësor i kulturës. Dikush, duke qenë mendjemadh, e përdor kulturën për t’u dukur më i mirë se të tjerët dhe për t’i sunduar ata. Kjo mënyrë është një mbrapshti e kulturës. Qëllimi kryesor i kulturës është që t’i ndihmojë të gjithë, të rinjtë dhe të rriturit, që të kërkojnë e të gjejnë të vërtetën për t’i dhënë një kuptim jetës së tyre dhe pra për të jetuar mirë. Kështu, kultura e vërtetë është në shërbim të njeriut, të secilit njeri – duke filluar nga më të dobëtit dhe nga më nevojtarët – për t’i ndihmuar të gjithë që të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe t’i japin një kuptim jetës së tyre në këtë tokë. Kultura e vërtetë kujdeset për njeriun dhe merret me përmirësimin e mjedisit njerëzor në të cilin jeton ai. Njerëzit e kulturës kanë një detyrë prej të cilës nuk mund të heqin dorë pa bërë një faj të madh, para njerëzimit e para Hyjit. Kanë detyrën t’i ndihmojnë njerëzit që të mendojnë dhe të kërkojnë zgjidhjet e problemeve, me qëllim që të mund të ndërtojnë një bashkëjetesë njerëzore më të denjë për t’u jetuar. Ata duhet të ndihmojnë në formimin e një shoqërie civile të aftë për të qenë pjesë aktive e zgjedhjeve që kanë lidhje me të mirën e të gjithëve, pa pritur në mënyrë pasive që vendimet të merren vetëm prej politikës së partive. Të shumta janë fushat në të cilat ata mund ta japin ndihmesën e tyre të çmueshme. Po kufizohem duke përmendur ndonjërën. Para së gjithash, fusha e formimit të vlerave të përnjëmendta të personit: për shembull, ndershmërisë, lirisë, respektimit të të tjerëve, besnikërisë ndaj idealeve personale dhe ndaj fjalës së dhënë. Fusha e edukimit. Shkollat dhe universitetet duhet të jenë vende në të cilat nxënësit nga njëra anë të përgatiten me seriozitet dhe angazhim për t’u bërë persona kompetentë në punë e në profesion dhe nga ana tjetër të jenë të prirë prej dëshirës për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët. Fusha e politikës, e ekonomisë, e shkencës, për të bërë që zgjedhjet që kryhen të jenë vërtet në shërbim të drejtësisë dhe të paqes. Si dhe fusha e Mass-mediave, me qëllim që njerëzit të mos bien në rrenë e në fallsitet, por të jenë të informuar me saktësi dhe objektivitet. Për një të krishterë ekziston edhe detyra për t’u angazhuar në jetën e Kishës, për të jetuar Ungjillin e Krishtit dhe për t’u angazhuar në ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit, që është Mbretëria e Dashurisë, Paqes e Drejtësisë.
Pra, veprimtaria juaj bart në vete një përgjegjësi të madhe, sepse keni në duart tuaja mjete që janë të të gjithëve dhe ushtrojnë ndikim mbi të gjithë. Respektojini vlerat kulturore të popullit tonë pa e lënë veten që të tërhiqeni prej interesave të veçanta, në mënyrë që përkushtimi juaj profesional i painteres të ndihmojë në përparimin moral të kombit. Vëreni kulturën tuaj në shërbim të atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Angazhohuni për t’i dhënë hovin e duhur shoqërisë civile, me qëllim që të gjithë të jenë të kujdesshëm në respektimin e të drejtave të secilit dhe të jenë të aftë të kërkojnë e të punojnë me qëllim që të respektohet dinjiteti i çdo qenieje njerëzore.
Pra, të punojmë të bashkuar për një kulturë më të vërtetë e më të fortë, që di të vihet në shërbim të njeriut dhe të të mirës së tij të vërtetë.

Faleminderit.