Shkëlqesia e tij Imzot Angelo Massafra, i Urdhrit të Fretërve Minorë ka lindur më 23 mars 1949 në San Marzano të San Giuseppe (Taranto), Itali, dhe është pjesë e bashkësisë së arbëreshëve në Itali.

Pas noviciatit në Galatone, studimet filozofike dhe teologjike i ka kryer në Lecce (Itali). Pas shugurimit meshtarak bërë më 21 shtator 1974 po në Lecce, ka mbajtur detyrën e predikuesit, të edukatorit, të famullitarit dhe është marrë me baritoren thirrore në Provincën Françeskane të Italisë.
U transferua në Shqipëri në gusht të vitit 1993 me detyrën e mësuesit për formimin e të rinjve (kandidatë) për jetën rregulltare françeskane. Fillimisht ka qenë mësues i Novicëve në Lezhë dhe pastaj famullitar në Troshan e Fishtë (Lezhë).
Më 6 dhjetor 1996 u emërua Ipeshkëv i Parë i Dioqezës së Rrëshenit dhe Administrator Apostolik i Lezhës dhe më 6 janar 1997 është shuguruar Ipeshkëv nga Shën Gjon Pali II në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Më 28 mars 1998 u emërua Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Sapës.
Imzot Massafra është edhe moderator i Gjykatës Kishtare Ndërdioqezane me seli në Shkodër.
Më 25 janar 2005 Selia e shenjtë dekreton bashkimin e Dioqezës së Pultit me Arqidioqezën Metropolitane të Shkodrës me emrin e ri Arqipeshkvia Shkodër-Pult dhe kështu Imzot Massafra bëhet Arqipeshkëv i Shkodër-Pultit.
Për dy pesëvjeçarë ka qenë anëtar i Këshillit Papnor Cor Unum dhe konsultor i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve.
Prej vitit 2000 është President i Gjykatës Kishtare për procesin e kanonizimit të 40 Shërbëtorëve të Hyjit – Martirët Shqiptarë – vrarë gjatë diktaturës komuniste. Procesi dioqezan i filluar më 10 nëntor 2002 përfundoi më 8 dhjetor 2010.
Gjatë viteve 2000-2006 ka qenë President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.
Më 4 maj 2012 është President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.
Më 2 tetor 2014 është zgjedhur Zëvendës-President i Konferencës së Kishave të Evropës.