Scroll Top

Projektet

Caritas shkodër në ndihmë të sëmurëve që nuk mund të kurohen në shqipëri

Caritas-i Dioqezan Shkodër, ndër emergjencat sociale më në pah të territorit në të cilin vepron, ka individualizuar gjëndjen e rëndë të shumë pacientëve, shpesh fëmijë, që janë të prekur nga sëmundje të rënda për të cilat nuk ishte e mundur të ndërhyhej në Shqipëri, për arsye të mungesës së strukturave të përshtatshme mjeko-kirurgjikale.

Falë sensibilizimit të shumë Institucioneve Italiane, u krijua një rrjet bashkëpunimi ndërkombëtar, që kishte si qëllim  mbështetjen për kurimin mjekësor  të pacientëve të lartpërmendur, vetëm për rastet specifike të sëmundjeve të pakurueshme në Shqipëri dhe për të cilat ekzistonte një shpresë shërimi nëse ndërhyn një strukturë shëndetësore e jashtme dhe e përshtatshme.

Fillimi ishte shumë i vështirë, por që nga shtatori i vitit 2000 disa struktura shëndetësore Italiane kanë ofruar gadishmërinë e tyre për shtrimin në spital të pacientëve në kuadrin e një politike të qartë të kooperimit ndërkombëtar promovuar nga Rrethe me kompetencë. Praktikat u lehtësuan shumë edhe nga prezenca e Konsullatës Italiane në Shkodër dhe nga raportet e bashkëpunimit të mbajtura mes Konsullatës dhe Caritas-it.

Një lidhje e mëtejshme e bashkëpunimit u formua nga Caritas-et dioqezane italiane, nga qendrat e pritjes së instituteve fetare ose të shoqatave vullnetare që garantonin mikpritjen e shoqëruesit (vetëm nënën), për periudhën jashtë-spitalore përfshirë ushqimin, strehimin dhe shpenzimet e mundshme shëndetësore.

Që nga viti 2000 dhe deri tani vetëm me ndërmjetesimin e Caritas Dioqezan Shkodër-Pult janë dërguar për kurim në Itali 848 të sëmurë.

Theksojmë se meritë e rezultateve shumë pozitive të kësaj vepre  humanitare, i takon të gjitha subjekteve aktive, mbi të gjitha institucioneve italiane si: Administratave Publike, Qendrave Spitalore, Enteve fetare, Caritaseve dioqezane italiane dhe shumë vullnetarëve dhe operatorëve te Caritasit në Shkodër dhe  në Itali që punojnë  për realizimin sa më mirë të këtij shërbimi.

Gjithashtu, falenderojmë Rrethet Italiane dhe Qendrat Spitalore, Ambasadën Italiane dhe Konsullatën në Tiranë, dhe në mënyrë të veçantë Konsullatën në Shkodër së bashku me qendra të ndryshme të pritjes në Itali, sepse na kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të na ndihmojnë që shumë jetë njerëzore të shpëtohen në shpirtin e një solidariteti të madh ndërkombëtar, shenjë konkrete e miqësisë së thellë mes dy popujve, Italisë dhe Shqipërisë dhe kontribut konkret për promovimin e jetës njerëzore, mbi të gjitha të pjesës më të dobët të popullsisë së shoqërisë shqiptare.

BETANIA – NJË SHTËPI PËR TË VARFËRIT

Financuar nga RENOVABIS

Pas rënies së diktaturës komuniste, Shqipëria u përfshi në një kaos të përgjithshëm, sidomos qeveritar. Duke qenë se çdo gjë doli jashtë kontrollit, pasojat ishin të mëdha si: prishja e uzinave, fabrikave, fermave dhe ndërmarrjeve bujqësore e si pasojë niveli i jetesës në vend që të ngrihej (me privatizimin e ekonomisë), ra nën nivelin minimal. Kjo rënie e ekonomisë bëri që niveli i varfërisë të jetë tepër i lartë në disa familje dhe sidomos ndër ato familje që u përshinë në të ashtuquajturën “lëvizje e lirë e popullsisë”.

Këto familje duke ardhur nga zona të ndryshme, sidomos nga malet, duke mos gjetur në qytet atë që shpresonin, (sepse fluksi drejt qytetit ishte i lartë) shumica mbetën të papunë dhe një pjesë e mirë e tyre edhe të pastrehë. Aktualisht një pjesë e tyre jetojnë në shtëpi me qira e shpesh herë nuk janë në gjendje të paguajnë as qiranë e shtëpisë dhe për pasojë detyrohen të kërkojnë ndërtesa me qira sa më të lirë, të cilat mund të jenë krejtësisht jashtë kushteve të banimit. Po në këtë gjëndje ndodhen edhe shumë familje të tjera që kanë një dhomë dhe jetojnë në kushte krejtësisht të vështira banimi.

Ne mendojmë se të ndihmosh këto familje është e domosdoshme sepse duke u dhënë një dorë që të angazhohen në jetën e përditshme, bëjmë që të rikthehet ndër ta, shpresa, besimi për të ardhmen, dhe mbi të gjitha për t’iu kujtuar se edhe ata janë pjesë e shoqërisë së përparuar dhe pjesë e progresit.

Përfituesit:

Familjarë që kanë ardhur nga zonat malore dhe jetojnë në baraka ose kushte të vështira

Familjarë të cilëve u është djegur shtëpia, në pa mundësi ta rindërtojnë me të ardhurat e tyre

Familjarë që u janë shembur shtëpitë për shkak të vjetërsis ose fatkeqësive natyrore

Gra me fëmijë që janë braktisur nga burrat dhe nuk kanë një shtëpi të tyren

Mbeshtetja konsiston në:

-Sigurimin e materialeve të ndërtimit; Pagesë e përkohshme qiraje shtëpie; Përfshirjen edhe të aktorëve të tjerë lokal për të kontribuar në ndihmë të familjeve të lartpërmendura.

– Rrjeti i punës që janë Rregulltarët/et dhe famullitë marrin përsipër verifikimin e rasteve dhe garantimin e destinacionit të fondeve në shërbim të këtyre familjeve, sipas zonave përkatëse ku operojnë.