DEKLARATË E KONFERENCËS IPESHKVNORE TË SHQIPËRISË

MBI PROPOZIMIN PËR MARTESA BRENDA SË NJËJTËS GJINI

 

Mësuam se më datë 25 tetor Institucioni i Avokatit të Popullit deklaroi qartazi se do t’u propozojë institucioneve më të larta të shtetit ndryshimet në Kodin e Familjes për t’u hapur rrugën martesave midis personave të së njëjtës gjini dhe jo vetëm. Kjo deklaratë publike e një institucioni kushtetues na shqetëson shumë dhe përballë saj nuk mund të jemi indiferent.

Ne ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, siç kemi bërë edhe me deklaratën e datës 06 gusht 2009, nuk mund të heshtim përpara një diskutimi të tillë, të shtyrë jo vetëm nga besimi ynë i krishterë, por edhe nga angazhimi ynë për një shoqëri të fortë e të shëndoshë. Në këtë kontekst i kujtojmë Avokatit të Popullit dhe opinionit publik se shoqëria, dhe më specifikisht Shteti, duhet të njohin tek familja një “lidhje që ka një të drejtë të vetën zanafillore të patjetërsueshme” («Dignitatis Humanae» N°. 5).

Pikërisht për këtë arsye u shqetësuam shumë kur dëgjuam për ndryshim të Kodit të Familjes me qëllim që t’i hapet rruga të ashtuquajturës “martesë” mes personave të së njëjtës gjini. Respekti ynë ndaj dinjitetit të martesës na detyron të flasim qartë kundër një propozimi të tillë.

Ne nuk duam të flasim për pasojat sociale që një vendim i tillë mund të ketë në vendin tonë – pasoja që do të dalin më shumë në pah pas një kohe të gjatë, veçanërisht kur u jepet këtyre bashkimeve të të njëjtës gjini e drejta për të birësuar fëmijë. Duam vetëm, këtu, të shtjellojmë shkurtimisht çka na mëson Fjala e Zotit, përsa i përket krijimit të njeriut dhe të kujtojmë ligjin natyror të shkruar në zemrën e njeriut që aq qartë shprehet në Shkrimet e Shenjta.

Në faqet e para të Biblës ku flitet për krijimin, lexojmë se Zoti “e krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit, i krijoi mashkull e femër”, dhe pastaj i bekoi duke thënë: “Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën” (Zan 1, 27-28). Pas kësaj kemi edhe përkufizimin e martesës me këto fjalë: “Burri do ta lërë të atin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm”.

Mjaftojnë këto fjalë për të kuptuar çfarë domethënie kishte, dhe ende ka, martesa në planin e Hyjit. Njeriu, i krijuar “në përngjasimin e Hyjit”, është “mashkull e femër”. Gruaja është e të njëjtit dinjitet si burri. Të dy, si dy persona të barabartë, bashkohen në martesë, duke formuar “një trup të vetëm”. Prandaj dallimi gjinor është sipas planit të Krijuesit, duke marrë parasysh bashkimin e tyre në martesë, që përfshin edhe mundësinë për lindjen e fëmijëve (që, natyrisht, përjashtohet në rast të “martesës” mes personave të së njëjtës gjini).

Në çdo kohë, në çdo kulturë, dhe në çdo besim martesa ka qenë përkufizuar si bashkim i plotë mes burrit dhe gruas. Asnjë parlament nuk duhet të ketë kompetencë të ndryshojë këtë përkufizim. Atëherë, në sajë të së vërtetës, nuk mund ta quajmë “martesë” një bashkim mes dy personave të së njëjtës gjinie as të themi se kjo është një e drejtë. Nuk mund të jetë një e drejtë një sjellje që nuk i përket natyrës së vërtetë të njeriut dhe që nuk është për të mirën e tij dhe të shoqërisë.

E mbështetur në Fjalën e Zotit, Kisha mëson se veprimet homoseksuale janë thelbësisht të çrregullta. Megjithatë personat homoseksualë duhet të pranohen me respekt, dhembshuri dhe ndjeshmëri. Çdo shenjë diskriminuese ndaj tyre duhet të evitohet. (Katekizmi i Kishës Katolike, nn. 2357-2358)

Ne u bëjmë thirrje përfaqësuesve tanë në Parlament, pavarësisht nga besimi dhe nga përkatësia partiake, mbi të gjitha të kenë parasysh të mirën e shoqërisë sonë. Sepse bërthama që e përbën shoqërinë nuk është individi, por bashkësia familjare. Jo çdo risi është një përparim. Mos të gabojmë duke menduar se, me miratimin e një ligji në favor të “martesës” mes personave të së njëjtës gjini, do të dalim para botës si një vend i përparuar. Prandaj le të mbrojmë vlerat etike që garantojnë një familje të fortë, dhe atëherë do të kemi edhe një shoqëri të shëndoshë.

Me këtë rast i bëjmë thirrje Institucionit të Avokatit të Popullit që të përqëndrojë më shumë vëmendjen tek problemet reale të shoqërisë shqiptare sesa tek “shpikjet” në formën e tymnajave mediatike që më shumë sesa mbrojtjen e shtresave të mënjanuara duket se ka për qëllim shpërqëndrimin e vemendjes së opinionit publik nga çështje që janë më themelore për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.

Tiranë,

e dhënë sot më 13 nëntor 2013

Ipeshkvinjtë e Kishës Katolikë në Shqipëri