Ju dua të gjithëve në Jezu Krishtin”  (1 Kor 16, 24)

Arqidioqeza e Shkodrës në mision

 

 

1. Me zemrën plot mirënjohje po të shkruaj, o vëlla i dashur në Krishtin! Kam përfunduar Vizitën Baritore, e cila e ka mbajtur dioqezën të angazhuar për më shumë se një vit (2001-2002). I kam ndër sy fytyrat, fshatrat, kishat; kam korrur shpresë, dhimbje e pritje; kam parë angazhimin dhe gjallërinë e çdo bashkësie; kam dëgjuar edhe atë që është larg fesë sonë. Takimet kanë bërë që ta njohim më mirë njëri-tjetrin; bashkëndarja ka qenë më e thellë; së bashku kemi shpallur, në liturgji, mrekullitë që Zoti bën në Kishën tonë. Tani të ftoj të përsëritësh me mua:
“ Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!” (Ps 104, 1).
Po, lavdi buron i bollshëm, përpara dëshmisë së fesë që kemi kremtuar.

2. Hiri i Hyjit ka vepruar në thellësi gjatë këtyre viteve! Me të vërtetë Jezu Krishti Zot na ka bërë trup të Tij dhe të gjithë jemi pjesëmarrës të së vetmes ecje të jashtëzakonshme të Kishës, që na bën të futemi gjithnjë e më thellë në misterin i Krishtit Jezus.
Nuk mund të lë pa thënë se rruga nuk ka qenë e sheshtë. Ka patur vështirësi si në fillim ashtu edhe gjatë rrugës, por pikërisht për këtë, larg qoftë kthimi prapa, shtohet mirënjohja ndaj Teje, o Hyj i Gjithëpushtetshëm, që nuk lodhesh duke na thirrur në shëlbim; dhe ndaj Teje, Kishë e dashur e Shkodrës, që ke mirëpritur hirin, nuk ke patur frikë ta ruash thesarin e fesë dhe ke dëshmuar sipas dhuratave të nxitura nga Shpirti.
Me të vërtetë Zoti është i madh dhe i mëshirshëm!

3. Me ty, o vëlla i shenjtë, i thur lavd Dhuruesit të të gjitha dhuratave, dhe para Tij falënderoj, që po bashkëndaj ecjen me ty. Është bukur të jetojmë të bashkuar në Krishtin, të mbështetur në një fe të vetme, të flaktë në bashkësi. Sërish mund t’i “grahim në ujë të thellë” (krh. Lk 5, 4), plot me shpresë.
Prandaj, me zemër Bariu përsëris ende: “Ju dua të gjithëve në Jezu Krishtin” (1 Kor 16, 24).
Ne i përkasim fuqisë tërheqëse të Ungjillit! Secili prej nesh, çdo bashkësi, mbarë dioqeza, mish e shpirt, jemi të Ungjillit!
Për këtë arsye, o vëlla “të grishur të jemi shenjtër bashkë me të gjithë ata, që në cilindo vend e thërrasin Emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit” (1 Kor 1, 2), tani e përgjithmonë të rizbulojmë lajmin e mrekullueshëm të Ungjillit.
Të ftoj me forcë, meqë “Ungjilli është fuqia e Hyjit për shëlbimin e atij që beson” (Rom 1, 16).

Vizita Baritore: vlerësime

4. Pas himnit të lavdit vjen reflektimi. Si Ipeshkëv i familjes sate famullitare, m’i ke hapur dyert e mikpritjes: takimi ynë ka qenë një takim feje. Tani, o vëlla, dua të të bëj pjesëmarrës të reflektimeve që frymëzojnë zemrën time. Pranoi në fe. Lejo që zemra e Ipeshkvit tënd të trokasë në zemrën tënde.

5. Në ecjen e rritjes sipas Ungjillit, që frymëzon jetën e krejt Kishës, Vizita Baritore e Ipeshkvit shpreh kujdesin e Bariut për grigjën dhe tregon dukshëm bashkimin e popullit të Hyjit.
Përfundimi me sukses i kësaj vizite është fryt i veprimit të njëkohshëm të të gjithë protagonistëve të jetës kishtare:
· të Shpirtit Shenjt para së gjithash. Atij i jemi besuar që të na i hapë zemrat dhe mendjet për të dalluar shenjat e pranisë dhe të planit të Hyjit në mesin tonë;
· të bashkësive të krishtera: ato janë prehri pjellor i Kishës nënë që na lind në fe. Në to, të gjithë të pagëzuarit dhe të krezmuarit, ndërgjegjësohen për përgjegjësinë e tyre vepruese në jetën kishtare sipas llojshmërisë së thirrjeve. Besimtarë laikë, rregulltarë e rregulltare, meshtarë, të gjithë janë të thirrur që me veprimin e tyre të bashkëpunojnë në veprën e ungjillëzimit;
· të Ipeshkvit: si pasardhës i apostujve ai është dorëzani i njësisë së fesë. Në kujdesin ndaj grigjës, Atij i është besuar mbarështimi i Fjalës; Ai dërgon në mision dhe është zanafilla e bashkimit; me sakramentet, së bashku me vëllezërit e tjerë meshtarë, përhap plotësinë e shenjtërisë së Krishtit. Nga kjo pjesëmarrje në meshtari dhe në punën apostolike të Ipeshkvit, të gjithë meshtarët, si dioqezanë, ashtu edhe rregulltarë, i shërbejnë të mirës së krejt Kishës (krh. LG 28).
Mirëpritja vëllazërore, takimet e niveleve të ndryshme, dialogu i sinqertë dhe ndërtimtar, dëgjimi i ndërsjellë dhe reflektimi i përbashkët i kanë hapur rrugën një përshquarje të kujdesshme, për një shpallje të Ungjillit më në përputhje me nevojat e sotme të Kishës sonë. Të gjithë, si Bari, i falënderoj përzemërsisht.

6. Çdo famullie apo zone baritore i kam kushtuar një kohë të volitshme, normalisht disa ditë, duke u ndalur me qetësi për të mirëpritur personat dhe sugjerimet që ata më kanë paraqitur. Nuk kanë munguar as takimet me shkollat dhe me institucionet e tjera.
Kam vënë re se si Zoti është duke na shoqëruar: kam takuar bashkësi më të gjalla, në përkim me Planin Baritor të dioqezës, të frymëzuara nga përkushtimi i admirueshëm i meshtarëve, rregulltarëve, motrave dhe operatorëve baritorë. Një vëmendje të veçantë u kam kushtuar fëmijëve dhe të rinjve. Janë duke u rritur gjithnjë e më shumë disa lëvizje kishtare, ku prania e besimtarëve laikë është gjithnjë e më e madhe. Shumë bashkësi, falë ndihmës së Kishave simotra dhe bamirësve tani gëzojnë një Kishë të hijshme si dhe struktura shoqëroro-baritore. Por kjo rritje nuk ka qenë homogjene: sidomos në nivel strukturash, disa zona duken të privilegjuara në krahasim me disa zona të tjera. Për këtë arsye mbeten shumë nevoja shpirtërore dhe materiale të cilave duhet t’u bëjmë ballë. Përsa i përket dashurisë kam takuar gjeste të admirueshme solidariteti dhe angazhimi në ndihmë të atij që është më shumë në vështirësi: në veçanti po përmend flinë e atyre që i janë kushtuar krejtësisht ndihmesës së të sëmurëve dhe të jetimëve. Ndërsa në botë fryjnë erëra lufte, falënderoj Zotin për dëshminë e bashkekzistencës paqësore mes katolikëve dhe vëllezërve shqiptarë të fesë ortodokse dhe myslimane, gjithmonë kam bërë thirrje për këtë stil jete dhe i lus të gjithë që të mos harrojnë se problemet e mundshme mund të gjejnë zgjidhje vetëm në dialog dhe respekt të ndërsjellë. Më pas bekoj këmbënguljen, ndershmërinë dhe seriozitetin, me të cilën shumë njerëz e jetojnë punën e tyre me për të dhënë ndihmesën e vet në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, ku të mos mbizotërojë më i forti dhe më i korruptuari. Kjo është rruga në të cilën duam dhe duhet të ecim, pasi është rruga e Ungjillit. Çdo besimtar është i thirrur të japë ndihmesën e vet aty ku ndodhet dhe sipas mundësive të kohës, të njohurive, të ekonomisë, etj.

Porosi për të gjitha famullitë

7. “I mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin!” (1 Kor 9, 16) me klithmën e zjarrtë të Palit shpreh njërën prej detyrave të mia themelore si Ipeshkëv. Edhe mua më ka bërë për vete Hyji dhe më ka vënë në shërbim të Ungjillit. Kam marrë shërbesën për t’i mësuar popullit fenë, të cilës duhet t’i besojnë dhe të cilën duhet ta zbatojnë me praktikën e jetës (krh LG 26). Duke u bërë shërbëtor i të vetmes Fjalë që na shpëton, në përfundim të Vizitës Baritore po t’i jap ty, o vëlla shumë i dashur, dhe mbarë dioqezës këto porosi, që tashmë i kam shprehur në të gjitha famullitë, që të jenë ndihmë dhe orientim për të gjithë.

8. Në marrëdhënien mes Fjalës së Hyjit dhe Shpirtit Shenjt vihet qendra e dinamikës shpëtimtare dhe e vetë jetës kishtare. Në fakt, Fjala e Hyjit që gjendet në Shkrimet e Shenjta është Jezusi i vdekur dhe i ngjallur. Pasi është çliruar në prehrin e Kishës, për virtyt të fuqisë së Shpirtit Shenjt, kjo Fjalë e Hyjit nxit dhe plazmon fenë e të krishterëve. Për këtë arsye, kjo Fjalë e efektshme, është protagonistja e jetës së Kishës, e misionit dhe e ungjillëzimit të saj. Në fakt, kur ajo shpallet, meditohet, lutet dhe kremtohet, me fuqi të Shpirtit Shenjt, nxit një kthim të ripërtërirë dhe të vazhdueshëm. Edhe Ati i Shenjtë na këshillon “të ushqehemi me Fjalën, për të qenë shërbëtorë të Fjalës në angazhimin e ungjillëzimit: me siguri kjo është një përparësi për Kishën në fillim të mijëvjeçarit të ri” (Novo Millennio Ineunte, 40). Pikërisht në kontekstin aktual shoqëror, kaq shpesh të shënuar nga dhuna dhe padrejtësia, vetëm dëgjimi i përvuajtë i Fjalës që shpëton mund ta ndriçojë rrugën, ta ngjallë guximin dhe ta rindezë hovin e zellit apostolik. Vetë jeta e të krishterëve duhet të bëhet fjalë e Hyjit e mishëruar në botë e në histori. Neve, na është besuar detyra që ta ruajmë shpresën për botën mbarë duke thirrur emrin e Zotit Jezus, emrin e vetëm në të cilin na është dhënë shpëtimi.

9. Nga dëgjimi në kremtim. Dita e diel të jetohet si ditë e posaçme e fesë. Në të, në fakt, bashkësia e krishterë kremton ditën e Zotit të Ngjallur, dhuratën e Shpirtit, Pashkën e vërtetë të javës. Kremtimi eukaristik i së dielës, i bashkon çdo javë të krishterët si familje e Hyjit, rreth tryezës së Fjalës dhe të Bukës së jetës. Aty, bashkësia shpallet dhe kultivohet vazhdimisht. Aty, mund të pranojmë fatin, drejt të cilit jemi të orientuar së bashku me vëllezërit dhe me motrat përkrah të cilëve jetojmë. Në këtë mënyrë, kremtimi eukaristik në vetvete bëhet edukim misionar i bashkësisë besimtare. Për këtë do të doja të ngulja këmbë duke bërë të miat fjalët e Atit të Shenjtë “pjesëmarrja në Eukaristi të jetë me të vërtetë për çdo të pagëzuar, zemra e së dielës, një angazhim prej të cilit nuk mund të heqin dorë; kjo pjesëmarrje të jetohet jo si shkarkim nga një rregull, por si nevojë për një jetë të krishterë me të vërtetë të vetëdijshme dhe koherente” (Novo Millennio Ineunte, 36). Prej këtu rrjedh detyra që mbarështuesit kremtues ta edukojnë popullin për liturgji. Është e rëndësishme, edhe pse shpesh në kushte të vështira dhe të përkohshme të objekteve të kultit, që gjithçka të bëhet sa më mirë, që liturgjia të jetë e hijshme, e përgatitur me kujdes dhe jo e improvizuar, serioze, e thjeshtë dhe e bukur, e aftë të tregojë mrekullitë e Besëlidhjes së amshueshme të Hyjit me njerëzit.

10. Të dëgjosh dhe të kremtosh Fjalën do të thotë të mirëpresësh Birin në praninë e tij si Zot. Ne hyjmë “në Krishtin”, dhe Ai, me Atin, përmes Shpirtit Shenjt, vendos banesën e vet në mesin tonë (krh. Gjn 14, 23). Nga kjo Prani lind lutja që qëndron në zemrën e misterit të marrëdhënies birnore me Hyjin, në Krishtin, përmes Shpirtit Shenjt. Ju ftoj të gjithëve të rizbuloni artin e lutjes dhe ta rivendosni në qendër të jetës suaj dhe të çdo veprimtarie. Është një angazhim që i është besuar të gjitha bashkësive, të gjithë të rriturve, të rinjve dhe fëmijëve. Në mënyrë të veçantë dëshiroj të bëhem i afërmi i të gjithë prindërve: me bekimin e Ipeshkvit, Atit në fe, jini mësues të lutjes! Edukojini fëmijët tuaj të luten, me shembull dhe me mësim, duajeni lutjen! Gjatë përndjekjes komuniste shumë burra dhe gra, duke rrezikuar edhe burgun, kanë marrë forcë dhe ngushëllim nga lutja e Rruzares së Shenjtë: vazhdoftë të jetë edhe sot e pranishme lutja në familjet tuaja, edhe sipas këshillës së Atit të Shenjtë, Gjon Pali II, i cili në Letrën e fundit Apostolike “Rosarium Virginis Mariae”, datë 16.10.2002, në fillim të 25 vjetorit të Pontifikatit, e ka shpallur vitin shoqëror tetor 2002 – tetor 2003, vit të Rruzares. Është në lutje që nga dëgjimi i Fjalës kalojmë në zbulimin e një Pranie, dhe i hapemi një dialogu që bëhet bashkim. Kështu, lutja e Rruzares së Shenjtë nuk është thjesht përsëritja e disa formulave, është një soditje që i bëhet jetës së Jezusit të vdekur dhe të ngjallur bashkë me Marinë. Syri ynë bëhet soditës: ne marrim pjesë në shikimin me të cilin Hyji sheh krejt historinë, krijesat, ne. Atëherë ne shohim që gjithçka është hir, gjithçka është dhuratë e Hyjit.
Dioqezë e Shkodrës, kemi nevojë për soditës që në jetën e përditshme të ngjallin shpresë, e cila lind nga të qenit pjesëmarrës të zemrës së Hyjit!

11. Pastaj është një detyrë që dita ditës më duket gjithnjë e më e ngutshme: e gjithë bashkësia e krishterë duhet të ndihmohet të pjekë një fe të rritur. Nxënësi është ai që “di” se kush është Jezusi dhe e di në fenë e Kishës. Prandaj është në gjendje të kuptojë dhe t’u përgjigjet, sipas së vërtetës, pyetjeve themelore mbi Hyjin, mbi njeriun, mbi kuptimin e botës dhe të jetës. Një fe e rritur ka forcën ta mendojë dhe ta lexojë historinë, duke njësuar gjithçka në Krishtin.
Për këtë arsye, të gjithë, duhet ta ndiejnë në vetën e parë përgjegjësinë për t’u bërë “misionarë”. Në fakt, çdo nxënës i Krishtit, duke mos përjashtuar askënd, është i thirrur të jetë shpallje e gjallë e Ungjillit. Të mësojmë t’i gjallërojmë me fe të gjitha mjediset dhe vendet ku jetojmë! Të provojmë t’i ushqejmë me fe të gjitha marrëdhëniet që endim çdo ditë! Nuk bëhet fjalë të nisemi për vende të largëta; secili të bëhet i afërmi i atij që ka pranë: të fillojë ta përhapë fenë e Krishtit mes atyre me të cilët ka lidhje profesionale apo pune, farefisnore apo miqësore. Mes kolegësh, mes miqsh, mes familjarësh, mes farefisit, gjithçka në ne duhet të shprehë një dëshmi të gjallë, të bërë me vepra dhe me fjalë. Të mos harrojmë fjalët profetike të Koncilit II të Vatikanit: në larminë e pafund të gjendjeve “shumë njerëz as nuk mund ta dëgjojnë Ungjillin, as nuk mund ta njohin Krishtin veçse nëpërmjet laikëve që janë afër tyre” (AG 21).
Për këtë arsye ju bëj thirrje të gjithëve që të kultivoni një “përshpirtëri misioni”, që ta bëjë më të fortë angazhimin dhe nevojën për të futur, në shoqërinë tonë, një vizion të krishterë të jetës. Bëhet fjalë për një “kthim kulturor” të vazhdueshëm, ku mbarë dioqeza dhe çdo bashkësi, nga më të voglat tek më të mëdhatë, të mendojë se si mund ta mishërojnë Ungjillin, të frymëzuara nga Tradita autentike e Kishës dhe të hapura për të mirëpritur gjithçka është me të vërtetë njerëzore. Ungjillëzimi, në fakt, duhet të bashkëpërcaktohet edhe në kuptimin kulturor. Prej këtu rrjedhin nevoja të llojllojshme.

12. Duke patur parasysh moshat e ndryshme, shkon duke u shtuar dhe duke u ripërtërirë angazhimi për një plan të gjerë katekistik: çdo sakrament ka nevojë për një kohë të përshtatshme përgatitjeje, që të ndihmojë në krijimin e njësisë mes asaj që kremtohet dhe dëshmisë së jetës. Askush nuk mund të pretendojë të kërkojë një sakrament feje dhe në të njëjtën kohë t’i mbyllet përkujdesit amënor, me të cilën Kisha shoqëron. Në lidhje me këtë, dëshiroj të theksoj kontributin e çmuar që mund të japin edhe ata që kanë përfunduar studimet pranë Institutit Katekistik. Falas dhe pa fituar asgjë nga pikëpamja materiale, ata mund të vënë në shërbim të të tjerëve atë që falas kanë marrë: dhuratën e fesë dhe mundësinë për të thelluar nëpërmjet studimit misterin e Krishtit dhe të Kishës. Meshtarët duhet të jenë të vëmendshëm që të mund të bëjnë një ndryshim të guximshëm perspektive dhe brenda mundësive të tyre të orientojnë për një ndjeshmëri me të vërtetë kishtare. Në veçanti:

a) Në lidhje me sakramentet e fillimit të jetës së krishterë (Pagëzimi, Kungimi, Krezmimi): shumë të rinj dhe të rritur nuk janë as të pagëzuar! Të mendojmë së bashku për një itinerar katekumenal, i cili mund t’i fusë në bashkësinë e krishterë. Vetë fjala “fillim i jetës së krishterë” tregon fillimin dhe hyrjen në një jetë të re, pikërisht në atë të njeriut të ri në gjirin e Kishës. Këtu duhet të angazhojmë energji më të mëdha, pasi me guxim, mençuri dhe krijimtari, nëpërmjet një reflektimi teologjiko-baritor të arrijmë të dallojmë propozime konkrete dhe domethënëse në bashkësitë tona, edhe nëpërmjet kontributit të çmueshëm të lëvizjeve kishtare.

b) Në lidhje me Sakramentin e Kurorës së Martesës: nuk mund të mos theksoj seriozitetin dhe rëndësinë e normave që Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare ka miratuar: Sakramenti i Kurorës së Martesës nuk mund të kremtohet pa marrë më parë sakramentet e fillimit të jetës së krishterë, pa një përgatitje të përshtatshme dhe pa respektimin e të gjitha normave kanonike dhe liturgjike. Për më tepër nuk mund ta lidhin Sakramentin e Kurorës së Martesës vajzat e mitura, para se të mbushin moshën 18 vjeçe.
Prindërve dhe të gjithë të rriturve u kujtoj se vetë natyra e martesës së krishterë është që të jetë një thirrje, e cila i bën të martuarit një bashkësi dashurie dhe besnikërie, që ka për themel dhe model atë të Krishtit dhe të Kishës (krh. Ef 5). Për këtë arsye, mos i fejoni vajzat pa pëlqimin e tyre, kjo cenon në rrënjë dhurimin e lirë, të hareshëm dhe total që të martuarit në mënyrë të ndërsjellë janë të thirrur të shkëmbejnë për gjithë jetën. Në mënyrë të veçantë kujtohuni se një vajzë e mitur akoma nuk mund të marrë përsipër përgjegjësinë e një zgjedhjeje që do ta angazhojë për gjithë jetën. Në fund, është koha të tejkalohet një mendësi, e cila thotë se një vajzë njëzetvjeçare nuk është më e përshtatshme për martesë duke e mbajtur si të kaluar në moshë! Po shënoj këto pika, pasi për fat të keq janë thellësisht të rrënjosura në disa aspekte të traditës së popullit tonë: ata duhet të ndreqen në dritën e Ungjillit.
Bekoji o Zot, familjet tona, qofshin ato bashkësi feje, shprese dhe dashurie! Bekoji të gjithë të martuarit, që të mund ta dëshmojnë me jetë sakramentin që kremtojnë në fe!

13. Mbasi laikët kanë një mënyrë të vetën për të marrë pjesë në misionin e Kishës është e nevojshme që të jenë tërësisht të formuar nga pikëpamja njerëzore, shpirtërore dhe doktrinore sipas ndryshueshmërisë së moshave, të kushteve dhe të prirjeve, duke mësuar të gjykojnë dhe të veprojnë në dritën e fesë (krh. AA. 29). Mësimi i Koncilit II të Vatikanit si asnjëherë është mjaft aktual. Në mënyrë të veçantë tani po mendoj për ju, të rinj të dioqezës së Shkodrës: mos kini frikë të jetoni rrënjësinë e Ungjillit! Mos e lini veten të gënjeheni prej premtimeve të lehta! Kujdesuni që të formoni një ndërgjegje të drejtë dhe një zemër të pandarë! Rrituni në Krishtin si persona të fortë dhe të lirë, të aftë për të mbartur peshën e përgjegjësive tuaja, të pasur me ndjenja drejtësie dhe ndershmërie, të aftë për maturi në gjykime e në sjellje. Së bashku me Papën nuk ngurroj t’ju kërkoj “një zgjedhje rrënjësore feje dhe jete, t’ju tregoj një detyrë të mrekullueshme: atë që të bëheni: ‘rojtarë të mëngjesit’ (krh. Is 21, 11-12) në këtë agim të mijëvjeçarit të ri” (Novo Millennio Ineunte, 9).

14. I shënuar nga dëshira e zjarrtë dhe nga dinamizmi misionar po u drejtohem atyre zonave të dioqezës që vuajnë nga mungesa e klerit, ku megjithë zellin dhe përkushtimin e meshtarëve, të rregulltarëve dhe të rregulltareve, jeta liturgjike pothuajse mungon apo është kaq sporadike sa gati nuk lejon që bashkësia e krishterë të vazhdojë një ecje të përbashkët rritjeje. Për këtë arsye po ju besoj të gjithëve, në veçanti të sëmurëve dhe atyre që vuajnë, angazhimin misionar që të luten për thirrjet meshtarake dhe rregulltare në tokën tonë shqiptare. Të bashkuar në Krishtin, dhuroni vuajtjen tuaj që të rinjtë, të thirrur prej Zotit, të mos ligështohen në dhurimin total të vetvetes Hyjit dhe Kishës. Në të njëjtën kohë krejt dioqeza duhet të ndihet e angazhuar në Baritoren e Thirrjeve, në fakt “të gjithë pjesëtarët e Kishës, duke mos përjashtuar askënd, kanë hirin dhe përgjegjësinë që të kujdesen për thirrjet” (Pastores dabo Vobis, 41). O ju prindër, mos pengoni përgjigjen e lirë të fëmijëve tuaj, lejojuni atyre, edhe vajzave, të mirëpresin me bujari dhuratën e thirrjes për të ndjekur Zotin në rrugën e meshtarisë mbarështuese apo të kushtimit rregulltar. Si familje e krishterë krijoni kushte të favorshme për lindjen e thirrjeve. E ju, vëllezër meshtarë, rregulltarë e rregulltare, nxitni dhe tregoni, në të gjitha rrethet e baritores së zakonshme, dimensionin e jetës si thirrje. Gjeni kohë për t’i dëgjuar të rinjtë dhe për t’i ndihmuar ata që të zbulojnë kuptimin e ekzistencës së tyre brenda planit aq të gjerë dhe të mrekullueshëm të Hyjit, edukojini të bëjnë heshtje, të meditojnë, të luten. Angazhohuni sidomos që të keni shumë momente takimi personal: drejtimi shpirtëror dhe sakramenti i pajtimit le të jenë vendet e privilegjuara dhe sekrete të përshquarjes shpirtërore dhe të verifikimit të rritjes në ndjekjen e Krishtit.

15. Dashuria shpreh zemrën e gjallë të Kishës. Ajo buron nga hiri, nga bashkimi me Hyjin Atë, Birin dhe Shpirtin Shenjt. Ne marrim pjesë në jetën e Hyjit. Të duash Hyjin do të thotë të duash në dashurinë me të cilën ai do, do të thotë të hysh “në, me dhe për Krishtin”, në vuajtjen njerëzore, në botën e mëkatit, për të bashkëndarë me bashkësinë e besimtarëve shpresën që nuk zhgënjen, dhe me njerëzimin, padurimin “që edhe vetë krijesa të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit” (Rom 8, 21). Të jetosh dashurinë do të thotë të jetosh logjikën e Mishërimit. Nevojat që na shqetësojmë janë të shumta, varfëri të vjetra dhe të reja poshtërojnë dinjitetin njerëzor. Tradita e krishterë e popullit tonë gjithmonë e ka lartësuar zemrën e hapur si karakteristikë të identitetit të vet, siç e thotë edhe shprehja: “Bukë, kripë e zemër”. Kështu, me krenari mund të dëshmoj se, edhe tani, në çdo bashkësi të krishterë të dioqezës sonë, qoftë e madhe apo e vogël, shumohen çdo ditë gjeste solidariteti dhe nxitjeje njerëzore, të rrënjosura në kërkesat më të thella të Ungjillit, nganjëherë në përvujtërinë e fshehtësisë, herë të tjera në plane me rreze të gjerë veprimi. Në këtë lumë pjellor dashurie do të doja të privilegjoja këto përkujdesje:

a) Në një mendësi të prirur për të justifikuar, madje deri në lavdërimin e hakmarrjes, dhurimi i faljes për padrejtësitë e pësuara është shenjë rrezatuese dashurie. Nganjëherë padrejtësitë apo dhuna e bëjnë faljen gati-gati një gjest heroik. E pra, pikërisht në soditjen e zemrës së shporuar të Krishtit nuk mund të qëndrojmë veçse të hapur ndaj dhuratës së mëshirës, për ta marrë e për ta dhënë. Para së gjithash dëshiroj të falënderoj familjet, të cilat nën shembullin e Jezu Krishtit, kanë falur dhe janë pajtuar me familjet që kanë qenë në gjak apo kanë patur ngatërresa. Përveç kësaj, e ndiej të ngutshme nevojën për të falënderuar dhe për t’u dhënë zemër, në emër të të gjithëve dhe përzemërsisht, atyre personave, meshtarë e besimtarë laikë, që i kushtohen detyrës shumë delikate dhe të vështirë të pajtimit të familjeve, të cilat janë të copëtuara nga zia, dhuna, ngatërresat. Ju jeni pajtuesit, për të cilët Zoti i ruan lumturitë e tij! (krh. Mt 5, 9).
Tepër, tepër – e them me dhimbjen e një ati – janë familjet e mbyllura në shtëpi, të burgosura në spiralen e urrejtjes hakmarrëse. Burra, të rinj dhe të moshuar, madje edhe gra e fëmijë, janë të shtrënguar të jetojnë me frikë. Çdo ditë vuajnë zgjedhën e skllavërisë, meqë jetojnë me tmerrin e kanosjes së vdekjes për ta dhe për të afërmit e tyre. Jo vëllezër, Hyji nuk e do hakmarrjen: “Vallë, a i kënaqem vdekjes së mëkatarit – është fjala e Zotit Hyj – e jo që të kthehet nga sjellja e vet e të jetojë? Unë nuk i kënaqem vdekjes së vdekatarit” (krh. Ez 18, 23.31). Pra, si mund të këputen vargonjtë e vdekjes? Të japim të parët një dëshmi pajtimi! Ftoj të gjithë familjet katolike dhe çdo ndërgjeje të ndriçuar nga feja për një “Falje të Përgjithshme”, për ta dhënë e për ta marrë. Një falje çliruese, një falje për jetën, një falje dashurie, një falje shprese, kjo është e vetmja rrugë shpëtimi. Nderi ynë i vërtetë, në fakt, është në gjakun e Birit të kryqëzuar, të derdhur për faljen e mëkateve tona. Në Të edhe zemra jonë mund të gjejë forcën për t’iu hapur faljes së ndërsjellë. Askush të mos ju gënjejë më: vetëm falja është rruga e jetës dhe burimi i paqes.

b) Nxis me një zell edhe më të madh kujdesin ndaj jetës në të gjitha aspektet e saj: dështimi, hakmarrja, dhunimi i të drejtave të të varfërit, dhuna ndaj grave dhe fëmijëve, shfrytëzimi i personave, fitimet e papastra, tregu i prostitucionit, janë mëkate të rënda të shoqërisë në të cilën jetojmë dhe, nuk mund të ndalemi vetëm tek dënimi i vendosur dhe më se i drejtë! Bashkësia e krishterë me qëndrueshmëri dhe besim duhet të zhvillojë një pedagogji me frymëmarrje të gjerë që hap ndaj bukurisë së jetës, zbulimit të ekzistencës si thirrje, kuptimit të vërtetë të seksualitetit njerëzor, dhurimit të vetvetes, vizionit të njeriut në tërësinë e tij. Një program, pra, i aftë që të mposhtë marrëzinë dhe banalitetin e një ekzistence jo të shpërblyer.

c) Dëshiroj të bëj edhe një thirrje të veçantë: “Në emër të Dashurisë që është Krishti, mos mbillni drogë!”. Miliona njerëz janë bërë skllevër të tregut të saj djallëzor. Edhe në dioqezën tonë janë duke u përhapur si mbjellja ashtu edhe konsumi. Jetët e shkatërruara të shumë të rinjve të mos jenë çmimi i një fitimi të turpshëm që ndot duart tona. Ju përgjërohem dhe në emër të Zotit tonë Jezus ju urdhëroj: “Askush të mos bashkëpunojë në asnjë mënyrë me shitësit e vdekjes!”.

d) Pastaj është një arsye e rëndë shkandulli një mendësi e përhapur, që gjarpëron brenda shumë rretheve të jetës shoqërore e politike të vendit duke paralizuar në këtë mënyrë rritjen e saj. Në fakt, tepër shumë është përhapur vjedhja dhe korrupsioni. Dua të përsëris, edhe një herë, që pasurimi i padrejtë dhe përvetësimi i paligjshëm janë moralisht të papranueshëm dhe mbetet i pandryshueshëm dënimi i Kishës në lidhje me këdo që është fajtor. Detyra për të kthyer gjënë e vjedhur ose të paktën vlerën e saj ekonomike, si dhe ndreqja e dëmit të bërë është gjithmonë një detyrë e padiskutueshme drejtësie!

e) Nuk është e drejtë që prindërit, shpesh të moshuar, të braktisen nga të gjithë fëmijët për faktin se këta të fundit duan të shkojnë jashtë shteti. Tashmë, një gjë e tillë është bërë një plagë shoqërore në rritje dhe, në një të ardhme jo të largët, do të ketë rrjedhojat e veta dramatike. Sigurisht, ata largohen me shpresën e një të ardhmeje më të mirë dhe çdo prind këtë dëshiron për fëmijën e vet. Po me çfarë çmimi? Kush do t’i mbështesë zemrat e tyre të moshuara të sprovuara nga dhimbja e largimit dhe nga mungesa e krijesave të dashura? Të mos gënjejmë: një telefonatë nuk mund ta mbushë zbrazëtirën e papërshkrueshme që peshon në zemrat e të moshuarve të braktisur! Jo, nuk është e drejtë që të gjithë fëmijët të ikin. Është detyrë njerëzore dhe e krishterë që dikush të qëndrojë me prindërit dhe të përkujdeset në emër të vëllezërve e motrave të tjerë. Në të njëjtën kohë është detyrë njerëzore dhe e krishterë që fëmijët të cilët ikin të kujdesen, edhe ekonomikisht, për atë që merr përsipër të kujdeset për prindërit. Ata na kanë dhënë jetën, na kanë rritur mes mijëra vështirësish, janë kujdesur për ne, nuk mund të mos ua kthejmë këtë dashuri. Ju përgjërohem: mos i braktisni prindërit tuaj!

f) Varfëri të reja presin akoma përgjigje të përshtatshme: si ta shtojmë interesin e të gjithëve për të mirën e përbashkët? Varfëria dhe papunësia, ikja në masë jashtë shteti, shuajnë në zemrën e shumë njerëzve çdo shpresë për të ardhmen. Shumë të rinj braktisin shkollën. Sidomos vajzat: janë të pakta ato që ndjekin shkollën e mesme, shumë prej tyre nuk arrijnë të përfundojnë as tetëvjeçaren. Më lejoni t’ju bëj një thirrje ju o prindër: bashkohuni për të shoqëruar vajzat në shkollë; nuk mund të jetojmë gjithmonë nën peshën e frikës: të bashkuar mund t’i mposhtim frikat dhe problemet e tjera! Varfëri të tjera të reja në qytet shfaqen sidomos në periferi ku masive është ardhja e atyre që zbresin nga malet. U bëj një thirrje të fortë shkodranëve që të mirëpresin banorët të cilët kanë ardhur për të bërë një jetë më njerëzore dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë; ashtu edhe të ardhurve në qytet e në periferi që të integrohen në të gjitha aspektet e jetës së qytetit. A do të arrijë dashuria e krishterë t’u japë përgjigje të përshtatshme këtyre problemeve që sjellin vuajtje?

g) Menjëherë pas rënies së komunizmit, të shtyrë nga urgjenca dhe nevoja, u derdhën mbi Shqipërinë ndihma të shumëfishta. Edhe përkujdesja e Kishës së Gjithmbarshme na u gjend afër në mënyrë të jashtëzakonshme, si nëpërmjet shumë organizmave asistence të Vendeve të ndryshme, ashtu edhe falë mijëra përkujdesjeve të misionarëve. Por nuk kanë munguar keqkuptimet: në mendësinë e përbashkët tepër shpesh Kisha është barazuar me ndihmat ekonomike! Ashtu si shumë shpesh marrëdhëniet me meshtarët dhe me motrat janë cenuar nga pretendime apo dëshira për shpërblime materiale. Kjo ka sjellë dëme të rënda dhe vonesa në një ungjillëzim autentik! Për fat të keq një mendësi e këtillë vazhdon, në shumë raste, ende sot. Ka ardhur koha që krejt bashkësia e krishterë të bëjë një shqyrtim ndërgjegjeje dhe një ndryshim rrënjësor mendimi mbi veprimin e baritores dhe të dashurisë. Nuk mund të biem në një lloj pasiviteti. Gjithmonë, në çdo epokë të historisë sonë, edhe gjatë përndjekjeve më të egra, kurrë nuk ka munguar mençuria e gjallë dhe bujaria vepruese e zemrës shqiptare të ndriçuar nga feja. Duke bashkëndarë jetën dhe burimet tona, përsa të varfra janë, do të mund të fillojmë një rritje të qëndrueshme. Edhe në Planin Baritor të dioqezës kisha zbërthyer parimin “shqiptari të ndihmojë shqiptarin” (IV, 3), tani në këtë perspektivë kërkoj që në të gjitha famullitë Këshilli i Kishës të bëhet Këshill Baritor. I drejtuar nga famullitari, në një përshpirtëri bashkimi, të nxisë veprimtarinë baritore dhe të bëjë që të gjithë të kujdesen për më të varfrit e për më nevojtarët. Përveç kësaj në çdo famulli të bëhet regjistrimi i popullsisë: është shumë e rëndësishme të kemi të dhëna reale që të mund të njohim edhe më mirë e t’u bëjmë ballë situatave më të vështira, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për të moshuar, gra, vajza e fëmijë të braktisur.

16. Këto janë porositë që ia besoj zemrës sate besimtare, o vëlla i dashur në Zotin, që në lutje dhe në angazhim të mund të bëhen të tuat dhe të mbarë dioqezës. Të mos na trembin vështirësitë: ngushëllohemi prej shembullit të lënë nga shumë dëshmitarë të fesë gjatë diktaturës komuniste: hiri i besnikërisë ndaj Zotit, deri në martirizim, është forcë dhe nxitje për jetën tonë kishtare. Duhet ta ruajmë me xhelozi kujtimin dhe t’i lejojmë gjakut të tyre ta bëjë pjellore Kishën tonë në një qëllim të ripërtërirë imitimi. Në fakt, ata na shtyjnë të ecim gjurmëve të tyre: kanë mirëpritur shpalljen e Ungjillit, kanë luftuar luftën e mirë, kanë përfunduar vrapimin, kanë ruajtur fenë. Zoti, gjykatës i drejtë, do t’u dorëzojë atyre kurorën e jetës. Ndërkohë, në bashkim me ne, presin me dashuri Ardhjen e tij (krh. 2 Tim 4, 7-8). Në kujtimin e shenjtërisë së Kishës, që i ka frymëzuar martirët tanë, i kërkojmë të gjithë së bashku Zotit të Ngjallur, që të fillojmë një ecje të vërtetë kthimi. Në vazhdën e kësaj dëshmie ta bëjmë tonën dëshirën e tyre të zjarrtë për një shoqëri më të drejtë, më vëllazërore, më në përkim me dëshirat e Hyjit, të lirë nga frikat, kompromiset dhe hipokrizitë. Atëherë, shpallja që është në zemër të misionit, do të tingëllojë më qartas: shpallja e mëshirës së Hyjit, e faljes së mëkateve, e shpëtimit në Jezu Krishtin, Birin e Hyjit, të kryqëzuar dhe të ngjallur.
Data 10 nëntor 2002, ka qenë për të gjithë arsye gëzimi dhe ngushëllimi, kur, pasi Selia e Shenjtë na dha lejen, filluam Çështjen e Lumturimit apo të Shpalljes së Martirizimit të grupit të parë të përbërë nga 40 Shërbëtorë të Hyjit, pjesa më e madhe e të cilëve gjatë përndjekjes së regjimit komunist dëshmoi, deri në derdhjen e gjakut, besimin në Krishtin Jezus. Është një ngjarje që na mbush me gëzim dhe na nxit që të mbledhim dëshmitë për të arritur sa më shpejt në një përfundim të mbarë të të gjitha procedurave kanonike.

Një perspektivë e re për Dioqezën

17. Vallë si mund të jetë e efektshme shpallja e Ungjillit nëse bashkësia e krishterë nuk mishëron dhe nuk shfaq dhuratën e bashkimit? Dashuria, në fakt, është dhurata më e madhe e Shpirtit në Kishë. Njeriu merr pjesë në jetën hyjnore, pasi është bërë pjesëtar i kësaj jete nga Shpirti Shenjt në dashurinë që bashkon tre personat hyjnorë, dashuri që na është shfaqur plotësisht në vdekjen e Jezusit në kryq. Ashtu si Personat hyjnorë janë të bashkuar në dashuri, edhe në Kishë, njerëzit janë të bashkuar njëri me tjetrin nga e njëjta dashuri, nëpërmjet Shpirtit Shenjt që bashkon dhe dërgon. Misioni dhe bashkimi janë të lidhura ngushtë nëpërmjet dhuratës së hirit! Pra, bëhet e nevojshme, ashtu si fton edhe Ati i Shenjtë: “përpara se të programoni nisma konkrete, nxitni një përshpirtëri bashkimi, duke e bërë të dalë si parim edukues në të gjitha vendet ku plazmohet njeriu dhe i krishteri” (Novo Millennio Ineunte, 43).

18. Bashkësitë tona të bëra të paluhatshme nga Fjala që ndërton, janë më të thirrura se kurrë për të qenë shenja njësimi dhe shkolla bashkimi, duke i treguar në këtë mënyrë krejt njerëzimit se “të gjithë ata që janë të Krishtit, duke patur Shpirtin Shenjt, formojnë një Kishë të vetme dhe janë të bashkuar mes tyre në Të” (LG 49). Çfarë dëshmie më të mirë na është dhënë për të bërë! Çfarë misioni më të lartë! Të jap zemër pra, o vëlla në fe, “të bësh çmos ta ruash njësinë e Shpirtit me anë të paqes që bashkon” (krh. Ef 4, 3). Në perspektivën e bashkimit të gjithë besimtarët, famullitë, urdhrat rregulltarë, lëvizjet kishtare, institucionet rregulltare të pranishme në dioqezë duhet ta verifikojnë apo ta rimendojnë praninë dhe veprimin e tyre: “të mos shpresojmë rrejshëm: pa këtë ecje shpirtërore, pak do të shërbenin mjetet e jashtme të bashkimit. Do të bëheshin pajisje pa shpirt, maska të bashkimit më tepër se rrugë të saj të shprehjes dhe të rritjes” (Novo Millennio Ineunte, 43).

19. I shtyrë nga këto reflektime kam vendosur të bëj një ndarje administrative të dioqezës në katër zona baritore. Kjo jo vetëm do të lejojë të realizohen nisma ndërfamullitare më të efektshme dhe me frymëmarrje të gjerë, por do të favorizojë bashkimin dhe bashkëpërgjegjësinë e të gjithëve, besimtarë laikë, meshtarë, rregulltarë e rregulltare. Nuk mund t’ia fshehim vetes, në fakt, tundimin e një farë individualizmi baritor, i cili, edhe pse tregon në persona të veçantë një bujari të admirueshme, rrezikon një protagonizëm jo të matur dhe e mbyll famullinë, institucionin apo lëvizjen kishtare ndaj nevojave më të gjera të famullive të tjera, të dioqezës dhe të krejt Kishës. Një kthim i guximshëm për të krijuar bashkim, sjell madje bashkëpunimin, mbështetjen e ndërsjellë, është nxitje dhe inkurajim për të gjithë besimtarët, është përplotësim dhuratash, është bashkërenditje e mençur, ka më shumë efektshmëri në veprim… sa shumë avantazhe!

20. Është e mrekullueshme ta rimendosh sipas një bashkimi bashkëpërgjegjës, atë që të kam paraqitur në këtë letër: formimin dhe vlerësimin e laikëve (katekistë, edukatorë, operatorë baritorë, animatorë të liturgjisë dhe të dashurisë), baritoren familjare dhe të kujdesit ndaj jetës, baritoren rinore dhe të universitarëve, baritoren e thirrjeve, formimin e përhershëm të meshtarëve, të rregulltarëve dhe të rregulltareve. Gjithçka në një bashkim të thellë bëhet fitim, çdo gjë humb nëse nuk drejtohet kah dashuria që është Krishti!

Përfundim

21. Shpallje misionare dhe bashkim në Krishtin dhe në Kishë. Kjo është ecja që kam përvijuar për dioqezën dhe për ty, vëlla shtegtar dhe shok udhëtimi. Sipas Fjalës së Zotit të grahim së bashkë në ujë të thellë (krh. Lk 5, 4)! Përpara nesh është i njëjti dhe i vetmi det: shenjtëria! Po, pritjet e Kishës sonë, shpresat dhe dhimbjet, pasiguritë dhe vështirësitë, dëshmia dhe gëzimi, gjithçka merr kuptimin dhe plotësinë e vet në këtë udhëtim të mrekullueshëm dhe të mistershëm që është shenjtëria! Ke marrë pagëzimin, era e Shpirtit fryn duke i drejtuar “shtigjet e tua nëpër ujëra të mëdha” (krh. Ps 77, 20). Më lejo të të marr për dore, të të tregoj drejtimin, si bën ati i dhembshur me birin e vet të dëshirit. Për të vërtetë kam dëshirë të madhe të marr zemër, me ty dhe me të gjithë vëllezërit në Krishtin, nëpërmjet fesë që e kemi të përbashkët (krh. Rom 1, 11 – 13). Kështu “falë jush unë vetë mësoj atë që në mesin tuaj mësoj: meqë, po ua rrëfej në të vërtetë, në më të shumtën e herëve dëgjoj bashkë me ju atë që unë vetë them” (krh. Gregori i Madh, Homeli mbi Ezekielin/2, Città Nuova, Roma 1993, Homelia II, 1, fq. 49). Ky është programi që na pret: të jemi të shenjtë në Hyjin Atë, pasi jemi në Krishtin dhe në ne banon Shpirti Shenjt! Mos iu tremb stuhive që duken në horizont, mos iu frikëso territ të natës, mos ia ngul sytë valëve kërcënuese. Shiko: Zoti po vjen! “Zemër, jam unë, mos kini frikë!” (Mt 14, 27). Nata ka shkuar në të sosur!

22. Nëna e Këshillit të Mirë,
Mbretëreshë e paqes,
Ndihma e të krishterëve,
Ylli i mëngjesit,
hapi zemrat ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt dhe gëzimit të Ungjillit,
vendos në to himnin e mirënjohjes dhe të lavdërimit të Atit
prej të cilit gjithçka vjen
dhe tek i cili gjithçka kthehet
në Krishtin Jezus. Amen!

Dhënë në Shkodër, më 21 nëntor 2002, me rastin e festës së Kushtimit të Zojës.

+ Angelo Massafra
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës

Shtojcë

a) Ngritja e katër zonave baritore:
Zona 1: Shkodër (qytet) me tre famulli: Shën Shtjefën – Katedrale, Arrë e Madhe dhe Shirokë.
Zona 2: (Jug – Perëndim): Famullitë e Bashkive: Rranxë – Bushat, Berdic, Beltojë, Obot, Trush, Dajç- Bregu i Bunës, Velipojë.
Zona 3: (Veri – Lindje): Famullitë e Bashkive: Rrethinë, Gruemirë, Shllak.
Zona 4: (Jug – Lindje): Famullitë e Bashkive: Gur i Zi, Stajkë, Koman.

b) Kjo Letër Baritore na përgatit për të kremtuar vitin jubilar 2003, gjatë të cilit do të përkujtojmë:
· 300 vjetorin e Kuvendit të Arbërit.
· 25 vjetorin e Pontifikatit të Atit të Shenjtë.
· 10 vjetorin e ardhjes së Atit të Shenjtë.
· 10 vjetorin e Shugurimit të Ipeshkvijve të parë mbas diktaturës komuniste.
· Lumturimin e Nënë Terezës.
· 10 vjetorin e Caritas Shqiptar.