MESAZHI

I ATIT TË SHENJTË

FRANÇESK

 

 PËR DITËS e 50-të BOTËRORE TË PAQES

 1 JANAR 2017

 

Enti Botues

Arqipeshkvia Metropolitane

Shkodër-Pult

 

Shkodër 2016

  

Përkthimi

Loreta Tomaj

 

  Faqosja

Luigj Mila

  

© Copyright

Arqipeshkvia Shkodër-Pult

Komisioni Drejtësi dhe Paqe

 

Origjinali

© Copyright

Libreria Editrice Vaticana

 

JODHUNA:

STIL I NJË POLITIKE PAQEJE

 

  1. Në fillim të këtij viti të ri u bëj urimet e mia më të sinqerta popujve dhe kombeve të botës, Kryetarëve të Shteteve dhe të Qeverive, si edhe përgjegjësve të bashkësive fetare dhe të grupimeve të ndryshme të shoqërisë civile. I uroj paqen çdo burri, gruaje, djali dhe vajze dhe lutem derisa përngjasimi dhe shëmbëlltyra me Hyjin e çdo personi të na mundësojë që ta njohim njëri-tjetrin si dhurata të shenjta të pajisura me një dinjitet të pafund. Sidomos në situatë konflikti, e respektofshim këtë «dinjitet më të thellë»[1] dhe e bëfshim jodhunën aktive stilin tonë të jetës.

 

Ky është Mesazhi për Ditën e 50-të Botërore të Paqes. Në të parin, i Lumi Papa Pali VI iu drejtua të gjithë popujve, jo vetëm katolikëve, me fjalë të prera: «Më në fund ka dalë shumë qartë se paqja është linja e vetme dhe e vërtetë e përparimit njerëzor (jo tensionet e nacionalizmave ambiciozë, jo fitoret e dhunshme, jo shtypjet mbartëse të rendeve të rreme civile)». Paralajmëronte «rrezikun për të besuar se kundërshtimet ndërkombëtare nuk mund të zgjidhen me anë të arsyes, domethënë me anë të bisedimeve të bazuara mbi të drejtën, drejtësinë, barazinë, por vetëm me anë të forcave frikësuese dhe vdekjeprurëse». Nga ana tjetër, duke cituar Pacem in terris të paraardhësit të vet Shën Gjonit XXIII, lartësonte «domethënien dhe dashurinë për paqen, e cila bazohet mbi të vërtetën, drejtësinë, lirinë, dashurinë».[2] Të prek aktualiteti i këtyre fjalëve, që sot nuk janë më pak të rëndësishme dhe më pak të ngutshme se 50 vjet më përpara.

 

Me këtë rast dëshiroj të ndalem mbi jodhunën si stil të një politike paqeje dhe i kërkoj Hyjit që të na ndihmojë të gjithëve, me qëllim që ta nxjerrim jodhunën prej thellësisë së ndjenjave dhe vlerave tona personale. Dashuria dhe jodhuna e udhëheqtë mënyrën me të cilën e trajtojmë njëri-tjetrin në marrëdhëniet ndërpersonale, në ato sociale dhe në ato ndërkombëtare. Kur dinë t’i rezistojnë tundimit të hakmarrjes, viktimat e dhunës mund të jenë protagoniste më të besueshme të proceseve të ndërtimit të paqes. Prej nivelit vendor dhe të përditshëm deri në atë të rendit botëror, jodhuna u bëftë stili karakteristik i vendimeve tona, i marrëdhënieve tona, i veprimeve tona, i politikës në të gjitha format e saj.

 

 

Një botë e copëtuar

 

  1. Shekulli i kaluar është shkretuar prej dy Luftrave vdekjeprurëse Botërore, ka njohur kërcënimin e luftës bërthamore dhe një numër të madh konfliktesh të tjera, ndërsa sot për fat të keq jemi në prag të një lufteje të tmerrshme botërore. Nuk është e lehtë të kuptohet nëse bota e sotme është pak a shumë e dhunshme sa ajo e djeshmja, as nëse mjetet moderne të komunikimit dhe lëvizshmëria, që karakterizon epokën tonë, na bëjnë më të vetëdijshëm për dhunën apo më të mësuar me të.

 

Në çdo rast, kjo dhunë që ushtrohet “pjesë-pjesë”, në mënyra dhe nivele të ndryshme, shkakton vuajtje të stërmëdha për të cilat jemi shumë të vetëdijshëm: luftra në Vende dhe kontinente të ndryshme; terrorizëm, kriminalitet dhe sulme të armatosura të paparashikueshme; abuzimet e pësuara prej emigrantëve dhe viktimave të trafiqeve të paligjshme; shkatërrimi i mjedisit. Me çfarë qëllimi? A e mundëson dhuna arritjen e objektivave në mënyrë afatgjate? A thua gjithçka që arrin shkakton raprezalje dhe spirale konflikti vdekjeprurës, që u sjellin përfitime vetëm pak “zotërinjve të luftës”?

 

Dhuna nuk është mjekimi i duhur për botën tonë të thërmuar. T’i përgjigjesh dhunës me dhunë prodhon, në më të mirën e rasteve, një migrim të sforcuar dhe vuajtje çnjerëzore, pasi sasi të mëdha burimesh përdoren për qëllime ushtarake dhe u hiqen nevojave të përditshme të të rinjve, të familjeve në vështirësi, të të moshuarve, të të sëmurëve, të pjesës më të madhe të banorëve të botës. Në rastin më të keq, mund të çojë në vdekje, fizike dhe shpirtërore, të shumë personave, ose madje edhe të të gjithëve.

 

 

Lajmi i mirë

 

  1. Edhe Jezusi jetoi në kohë dhune. Ai mësoi që fusha e vërtetë e betejës, ku u bëhen ballë dhunës dhe paqes, është zemra njerëzore: «Prej brendisë – prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija» (Mk 7,21). Por mesazhi i Krishtit, përpara këtij realiteti, jep përgjigje rrënjësisht pozitive: Ai predikoi pa u lodhur dashurinë e pakushtëzuar të Hyjit, që mikpret e fal, si edhe u mësoi nxënësve të vet që t’i duan armiqtë (krh. Mt 5,44) dhe t’ua kthenin faqen tjetër atyre (krh. Mt 5,39). Kur i pengoi ata që akuzonin gruan kurorëshkelëse, që ta mbysnin atë me gurë (krh. Gjn 8,1-11), dhe kur, natën përpara se të vdiste, i tha Pjetrit që ta fuste shpatën në mill (krh. Mt 26,52), Jezusi përvijoi udhën e jodhunës, që e përshkoi deri në fund, deri në kryq, nëpërmjet të cilës ka realizuar paqen dhe ka shkatërruar armiqësinë (krh. Ef 2,14-16). Për këtë arsye, ai që mikpret Lajmin e Mirë të Jezusit, di të dallojë se çfarë sjell dhuna dhe e lë veten të shërohet prej mëshirës së Hyjit, duke u bërë kështu edhe ai vetë vegël e pajtimit, sipas nxitjes së Shën Françeskut të Asizit: «Paqen që kumtoni me gojë, e paçi edhe më të bollshme në zemrat tuaja».[3]

Të jesh nxënës i vërtetë i Jezusit sot do të thotë t’i bashkëngjitesh edhe propozimit të Tij të jodhunës. Ajo – siç ka pohuar paraardhësi im Benedikti XVI – «është realistike, sepse ka parasysh që në botë ka tepër dhunë, tepër padrejtësi, dhe kjo situatë nuk mund të kalohet përveçse duke iu kundërvënë me më shumë dashuri, me më shumë mirësi. Kjo “më shumë” vjen prej Hyjit».[4] Dhe ai shtonte me forcë të madhe: «Jodhuna për të krishterët nuk është thjesht një sjellje taktike, por një mënyrë se si ai është, qëndrimi i atij që është kaq i bindur për dashurinë e Hyjit dhe për fuqinë e Tij, saqë nuk ka frikë t’i bëjë ballë të keqes i pajisur vetëm me armët e dashurisë dhe të së vërtetës. Dashuria për armikun përbën thelbin e “revolucionit të krishterë”».[5] Me të drejtë Ungjilli i duajini armiqtë tuaj (krh. Lk 6,27) konsiderohet si «magna charta e jodhunës së krishterë»: ajo nuk ka të bëjë «me dorëzimin përpara të keqes […], por me faktin që i përgjigjemi të keqes me të mirë (krh. Rom 12,17-21), duke prishur në këtë mënyrë zinxhirin e padrejtësisë».[6]

Më e fuqishme se dhuna

 

  1. Jodhuna nganjëherë kuptohet si dorëzim, mosangazhim dhe pasivitet, por në realitet nuk është kështu. Kur Nënë Tereza mori çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979, shumë qartë e paraqiti mesazhin e saj të jodhunës aktive: «Në familjen tonë nuk kemi nevojë për bomba dhe armë, të shkatërrojmë për të sjellë paqen, por vetëm të qëndrojmë së bashku, për ta dashur njëri-tjetrin […] dhe kështu mund ta tejkalojmë krejt të keqen që ekziston në botë».[7] Sepse forca e armëve është rrenacake. «Ndërsa trafikantët e armëve bëjnë punën e tyre, janë punëtorët e thjeshtë të paqes që vetëm për të ndihmuar një person, një tjetër, një tjetër, një tjetër, japin jetën e tyre»; për këta punëtorë të paqes, Nënë Tereza është «një simbol, një ikonë e kohëve tona».[8] Në shtator të këtij viti kam pasur gëzimin e madh ta shpall të Shenjtë. Kam lavdëruar gatishmërinë e saj ndaj të gjithëve nëpërmjet «mikpritjes dhe mbrojtjes së jetës njerëzore, asaj ende të palindur dhe asaj të braktisur dhe të skartuar. […] Është përulur mbi personat e sfilitur, të braktisur buzë rrugës, duke njohur dinjitetin që Hyji u kishte dhënë atyre; ka bërë që të fuqishmit e tokës ta dëgjojnë zërin e saj, që t’i njihnin fajet e tyre përpara krimeve – përpara krimeve! – të varfërisë së krijuar prej vetë atyre».[9] Si përgjigje, misioni i saj – dhe në këtë përfaqëson mijëra, madje miliona njerëz – ka shkuar drejt viktimave me bujari dhe përkushtim, duke prekur dhe duke lidhur çdo trup të plagosur, duke shëruar çdo jetë të copëtuar.

 

Jodhuna e praktikuar me vendosmëri dhe koherencë ka dhënë rezultate të habitshme. Sukseset e arritura prej Mahatma Gandhi-t dhe Khan Abdul Ghaffar Khan-it për lirimin e Indisë, dhe prej Martin Luther King-in kundër diskriminimit racor nuk do të harrohen kurrë. Gratë, në veçanti, shpesh janë lidere të jodhunës, si, p.sh., Leymah Gbowee dhe mijëra gra liberiane, që kanë organizuar takime lutjeje dhe protesta jo të dhunshme (pray-ins), duke arritur deri në negociata në nivele të larta për t’i dhënë fund Luftës së Dytë Civile në Liberi [Afrikë].

 

As nuk mund ta harrojmë dhjetëvjeçarin epokal, që u mbyll me rënien e regjimeve komuniste në Evropë. Bashkësitë e krishtera kanë dhënë kontributin e tyre me lutjen këmbëngulëse dhe veprimin e guximshëm. Ndikim të veçantë kanë ushtruar mbarështimi dhe magjisteri i Shën Gjon Palit II. Duke reflektuar mbi ngjarjet e vitit 1989 në Enciklikën Centesimus annus (1991), paraardhësi im thekson që një ndryshim epokal në jetën e popujve, të kombeve dhe të Shteteve realizohet «nëpërmjet një lufte paqësore, që përdor vetëm armët e të vërtetës dhe të drejtësisë».[10] Ky rrugëtim tranzicioni politik drejt paqes është bërë i mundur pjesërisht «prej angazhimit jo të dhunshëm të njerëzve që, ndërsa kurrë nuk kanë pranuar të përdorin pushtetin e forcës, kanë ditur të gjejnë herë pas here forma të efektshme për të dëshmuar të vërtetën». Dhe përfundonte: «Njerëzit mësofshin të luftojnë për drejtësinë pa dhunë, duke hequr dorë prej luftës së klasave në grindjet e brendshme dhe prej luftës në ato ndërkombëtare».[11]

 

Kisha është angazhuar për të zbatuar strategji jo të dhunshme në nxitjen e paqes në shumë Vende, duke bërë të  mundur që edhe autorët më të dhunshëm të përpiqen të ndërtojnë një paqe të drejtë dhe që zgjat.

 

Ky angazhim në dobi të viktimave të padrejtësisë dhe të dhunës nuk është një pasuri vetëm e Kishës katolike, por e shumë traditave fetare, për të cilat «dhembshuria dhe jodhuna janë thelbësore dhe tregojnë udhën e jetës».[12] Po e përsëris me forcë: «Asnjë besim fetar nuk është terrorist».[13] Dhuna është një përdhosje e emrit të Hyjit.[14] Të mos lodhemi kurrë së përsërituri: «Emri i Hyjit kurrë nuk mund ta justifikojë dhunën. Vetëm paqja është e shenjtë. Vetëm paqja është e shenjtë, jo lufta!».[15]

 

 

Rrënja shtëpiake e një politike jo të dhunshme

 

 

  1. Nëse zanafilla prej nga ku buron dhuna është zemra e njerëzve, atëherë është themelore të përshkojmë shtegun e jodhunës në vend të parë brenda familjes. Është një përbërës i atij gëzimi të dashurisë, që kam paraqitur marsin e këtij viti në Nxitjen apostolike Amoris lætitia, në përfundim të dy viteve reflektimi prej anës së Kishës mbi martesën dhe familjen. Familja është vendi ku bashkëshortët, prindërit dhe fëmijët, vëllezërit e motrat mësojnë të komunikojnë dhe të kujdesen për njëri-tjetrin pa interes, ku fërkimet apo madje edhe konfliktet duhet të tejkalohen jo me forcë, por me dialog, me respekt, me kërkimin e të mirës së tjetrit, me mëshirën e faljen.[16] Prej brendësisë së familjes gëzimi i dashurisë përhapet në botë dhe rrezatohet në mbarë shoqërinë.[17] Nga ana tjetër, një etikë e vëllazërisë dhe e bashkëekzistencës paqësore mes personave dhe mes popujve nuk mund të bazohet mbi logjikën e frikës, të dhunës dhe të mbylljes, por mbi përgjegjësinë, respektin dhe dialogun e sinqertë. Në këtë kuptim, po bëj një apel për çarmatimin, ndalimin dhe eliminimin e armëve bërthamore: frika bërthamore dhe kërcënimi i shkatërrimit të ndërsjellë nuk mund të jenë baza e kësaj lloj etike.[18] Po me kaq urgjencë lus që të ndalet dhuna shtëpiake dhe abuzimet mbi gratë e fëmijët.

 

Jubileu i Mëshirës, mbyllur në nëntor të këtij viti, ka qenë një ftesë për të shikuar brenda zemrës sonë dhe për të lënë që aty të hyjë mëshira e Hyjit. Viti jubilar na ka ndihmuar që të bëhemi të vetëdijshëm se sa të shumtë dhe të ndryshëm janë personat dhe grupet sociale, që trajtohen me indiferencë,  që janë viktima të padrejtësisë dhe që pësojnë dhunë. Ato janë pjesë e “familjes” sonë,  janë vëllezërit tanë dhe motrat tona. Për këtë arsye politikat e jodhunës duhet të fillojnë mes mureve të shtëpisë, që pastaj të përhapen në krejt familjen njerëzore. «Shembulli i Shenjtes Tereza të Jezusit Fëmijë na fton në praktikimin e udhës së ngushtë të dashurisë, për të mos humbur rastin e një fjale të mirë, të një buzëqeshjeje, të çfarëdo gjesti të vogël që mbjell paqe dhe miqësi.

 

Një ekologji integrale përbëhet edhe prej gjesteve të thjeshta të përditshme me anë të të cilave shkatërrojmë logjikën e dhunës, të shfrytëzimit, të egoizmit».[19]

 

 

Ftesa ime

 

  1. Ndërtimi i paqes nëpërmjet jodhunës aktive është një element i nevojshëm dhe koherent me përpjekjet e vazhdueshme të Kishës për të kufizuar përdorimin e forcës nëpërmjet normave morale, nëpërmjet pjesëmarrjes së saj në punët e institucioneve ndërkombëtare dhe falë kontributit kompetent të shumë të krishterëve për përpunimin e legjislacionit në të gjitha nivelet. Vetë Jezusi na jep një “manual” të strategjisë për ndërtimin e paqes në të ashtuquajturin “Fjalimi në Mal”. Tetë Lumturitë (krh. Mt 5,3-10) përvijojnë profilin e personit, që mund të përcaktojmë të lumë, të mirë dhe autentik. Lumë të butët – thotë Jezusi –, të mëshirshmit, punëtorët e paqes, ata që e kanë zemrën të pastër, ata që kanë uri dhe etje për drejtësi.

 

Ky është edhe një program dhe një sfidë për liderët politikë dhe fetarë, për përgjegjësit e institucioneve ndërkombëtare dhe për drejtuesit e ndërmarrjeve dhe të mediave të mbarë botës: zbatimi i Lumturive në mënyrën me të cilën ushtrojnë përgjegjësitë e tyre. Një sfidë për të ndërtuar shoqërinë, bashkësinë apo sipërmarrjen përgjegjës të së cilës janë me stilin e punëtorëve të paqes; të japin prova të mëshirës duke refuzuar skartimin e personave, dëmtimin e mjedisit dhe dëshirën për të fituar me çdo kusht.

 

Kjo kërkon gatishmërinë «për të duruar konfliktin, duke e zgjidhur dhe duke e kthyer atë në një unazë lidhëse të një procesi të ri».[20] Të veprosh në këtë mënyrë do të thotë të zgjedhësh solidaritetin si stil për të bërë histori dhe për të ndërtuar miqësinë sociale. Jodhuna aktive është një mënyrë për të treguar, që me të vërtetë njësia është më e fuqishme dhe më pjellore, sesa konflikti. Gjithçka në botë është e lidhur ngushtë.[21] Me siguri mund të ndodhë që diferencat të krijojnë grindje: i zgjidhshim në mënyrë ndërtuese dhe jo të dhunshme, kështu që «tensionet dhe të kundërtat të arrijnë një njësi shumëformëshe, që krijon jetë të re», duke ruajtur «potencialitetet e çmueshme të polaritetit në kontrast».[22]

 

Siguroj që Kisha katolike do të shoqërojë çdo përpjekje për ta ndërtuar paqen edhe nëpërmjet jodhunës aktive dhe krijuese. Më 1 janar 2017 e sheh dritën Dikasteri i ri për Shërbimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, që do ta ndihmojë Kishën t’i nxisë në mënyrë gjithnjë e më të efektshme «të mirat e pamatshme të drejtësisë, të paqes dhe të ruajtjes së krijimit» dhe të përkujdesjes ndaj emigrantëve, «nevojtarëve, të sëmurëve dhe të të përjashtuarve, të të mënjanuarve dhe të viktimave të konflikteve të armatosura dhe të katastrofave natyrore, të të burgosurve, të të papunëve dhe të viktimave të çfarëdo forme skllavërie dhe torture».[23] Çdo veprim në këtë drejtim, për sa modest të jetë, ndihmon në ndërtimin e një bote të lirë prej dhunës, hapi i parë drejt drejtësisë dhe paqes.

 

 

Si përfundim

 

  1. Sipas traditës, e firmos këtë Mesazh më 8 dhjetor, festën e Zojës së Papërlyer. Maria është Mbretëresha e Paqes. Kur lindi Biri i saj, engjëjt i thurnin lavdi Hyjit dhe u uronin paqe në tokë burrave dhe grave vullnetmirë (krh. Lk 2,14). Ia kërkofshim Virgjërës Mari që të na udhëheqë.

 

«Të gjithë e dëshirojmë paqen; shumë persona e ndërtojnë atë çdo ditë me gjeste të vogla, shumë vuajnë dhe e durojnë lodhjen, që sjellin përpjekjet e shumta për ta ndërtuar atë».[24] Gjatë vitit 2017, u angazhofshim, me lutje dhe me veprim, me qëllim që të bëhemi persona që e kanë larguar prej zemrave, fjalëve dhe gjesteve të tyre dhunën dhe me qëllim që të ndërtojmë bashkësi jo të dhunshme, që kujdesen për shtëpinë e përbashkët. «Asgjë nuk është e pamundur nëse ia kërkojmë këtë gjë Hyjit me lutje. Të gjithë mund të jemi zanatlinj të paqes».[25]

 

[1] Nxitja apostolike Evangelii gaudium, 228.

 

[2] Mesazhi i Ditës së 1-rë Botërore të Paqes, 1 janar 1968.

 

[3] «Legjenda e tre shokëve»: Burime Françeskane, nr. 1469.

[4] Angelus, 18 shkurt 2007.

[5] Po aty.

[6] Po aty.

 

[7]  Nënë Tereza, Fjalim për Çmimin Nobel, 11 dhjetor 1979.

[8]  Meditim “Udha e paqes”, Kapela Domus Sanctæ Marthæ, 19 nëntor 2015.

[9] Predikimi për kanonizimin e të Lumes Nënë Tereza të Kalkutës, 4 shtator 2016.

[10] Nr. 23.

[11] Po aty.

[12] Fjalim në Audiencën ndërfetare, 3 nëntor 2016.

[13] Fjalim në Takimin III Botëror të Lëvizjes Popullore, 5 nëntor 2016.

[14] Krh. Fjalim në Takimin me Sheikun e Myslimanëve të Kaukazit dhe me Përfaqësuesit e Bashkësive të tjera Fetare, Baku, 2 tetor 2016.

[15] Fjalim, Asizi, 20 shtator 2016.

[16] Krh. Nxitja apostolike Amoris lætitia, 90-130.

[17] Krh. Po aty, 133.194.234.

[18] Krh. Mesazhi me rastin e Konferencës ku u trajtua ndikimi i përdorimit të armëve bërthamore mbi njerëzimin, 7 dhjetor 2014.

[19] Enciklika Laudato si’, 230.

[20] Nxitja apostolike Evangelii gaudium, 227.

[21] Krh. Enciklika Laudato si’, 16.117.138.

[22] Nxitja apostolike Evangelii gaudium, 228.

[23] Letra apostolike në formë “Motu proprio” me të cilën krijohet Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, 17 gusht 2016.

[24] Regina Cæli, Betlehem, 25 maj 2014.

[25] Apel, Asizi, 20 shtator 2016.