URIMET E ARQIPESHKVIT PËR PASHKËT 2016

Shumë të dashur vëllezër e motra në Krishtin,

lajmi i mirë, “Krishti me të vërtetë u ngjall!”, ju arritë kudo që të jeni dhe jehoftë si lajm i një risie të jashtëzakonshmepër jetën e secilit prej jush.Me Ngjalljen e vet Krishti plotëson misionin e tij si zbulues i fytyrës së mëshirshme të Atit: Ai ka marrë në vete njerëzimin tonë deri në pasojën e skajshme të vdekjes, dhe kështu na ka kthyer në pafajësinë zanafillore, të humbur për shkak të mëkatit. Por pikërisht duke u ngjallur na ka dhënë mundësinë të marrim pjesë në jetën e tij hyjnore.
Të gjithë ne kemi marrë këtë dhuratë tejet të madhe nëpërmjet pagëzimit, por shumë vetë e konsiderojnë atë ende vetëm si një shenjë të përkatësisë në një fe dhe jo si shenjë të përkatësisë në Krishtin. Në të vërtetë, feja, nëse nuk shpreh përkatësinë në Krishtin është e zbrazët dhe pa vlerë.
Jemi duke jetuar një moment hiri të madh në këtë Vit të Mëshirës që papa Françesku e ka dëshiruar kaq shumë: është rasti i volitshëm për të ripërvetësuar fenë tonë, për t'i treguar vetës dhe gjithë botës bukurinë e përkatësisë në Krishtin që na kthen në dashurinë e Atit. Dhe Pashkët janë pikërisht kjo ngjarje e kthimit te Hyji të gjithçkaje që i përket, pra të neve, që jemi shpërblyer prej gjakut të çmueshëm të Krishtit (krh. 1 Pjt 1,18-19) dhe kemi hyrë, së bashku me të, në qiell. Sigurisht, për momentin vetëm shpirtërisht, siç na mëson shën Agustini (krh. Fjalime), por një ditë do të kemi mundësinë ta sodisim atë në lavdinë e tij, faqe
faqas.
Prandaj, guxim!
Ty që më dëgjon të them: nëse je në dhimbje mos e lësho veten sepse Krishti ka dashur të marrë mbi vete edhe dhimbjen tënde dhe me ringjalljen e vet të dhuron përsëri shpresën; nëse je në mëkat mos u shkurajo dhe merr rrugën e së mirës sepse Pashkët e Krishtit janë kalim prej vdekjes në jetën e mundur për të gjithë; nëse e ardhmja të duket e pasigurt mos u dëshpëro sepse e ardhmja është në duart e Hyjit dhe ai është i mirë e i mëshirshëm.
Shikoni se sa ngjarje hiri Zoti është duke nxitur për popullin tonë në këtë vit Mëshire të vërtetë! Na garantohet falja, na jepet mundësia për të rifilluar vrapimin, por jo vetëm: si bashkësi.
Së fundi, është duke na lejuar të shohim të lartësuar në nderet e altarëve Nënën tonë të dashur Tereza dhe të shpallur të Lumë Martirët tanë. Ja, Martirët tanë janë pikërisht shembulli më shprehës i asaj se si secili prej nesh mund të marrë pjesë në Mundimet e Krishtit që pastaj të marrë pjesë edhe në lavdinë e tij. Ndoshta nuk na kërkohet të vdesim të qëlluar nga një plumb si ata, por sigurisht na kërkohet të vdesim për nga egoizmi ynë, që na bën të mbyllemi në vetvete për t'iu hapur dhurimit të vetvetes nëpërmjet veprave të mëshirshme.
Në lidhje me këtë, dëshiroj t'u drejtohem në mënyrë të veçantë atyre që kanë përsipër përgjegjësinë politike të Vendit, në çfarëdo niveli, duke i ftuar që të kuptojnë dhe të kujdesen për nevojat reale të më të varfërve, një kategori gjithnjë në rritje. Të dashur miq, të zgjedhur prej popullit për t'u kujdesur për të mirën e përbashkët, prej zemrës po ju drejtoj thirrjen që të bëni gjithçka është e mundur për të garantuar të drejtën për punë, krijimin e shanseve të reja për punësim që t'u lejojnë të gjithëve të kenë një vend dinjitoz në shoqëri.
Shën Pali, ungjillëzuesi i parë i kësaj toke, na thotë se nëse jemi ngjallur bashkë me Krishtin duhet të kërkojmë gjërat që janë lart dhe jo këto përmbi tokë (krh. Kol 3,1), por edhe na nxit që të marrim mbi vete peshat e njëri-tjetrit (krh. Gal 6,2) me shpirt bashkëndarjeje.
Të dashur vëllezër e motra, urimi im për këto Pashkë të shenjta, pra, është që askush të mos e bëjë të kotë Ringjalljen e Krishtit, por të bëjë që ajo të shkëlqejë në jetën dhe në veprat e besimtarëve të tij.
 Gëzuar Pashkët, vëllezër e motra! Urime.