Urimi i Imzotit Angelo Massafra me rastin e Pashkeve 2012

Shumë të dashur bij e bija në Zotin,

 të kremtojmë çdo vit Pashkën e Zotit, të kujtojmë e të përjetojmë gjestet dhe fjalët e tij do të thotë të dëshmojmë fenë tonë në ngjalljen e Krishtit, do të thotë të pohojmë se besojmë që ngjarja e Jezusit të Nazaretit, domethënë jeta, vdekja dhe ngjallja e tij, ende sot ka një vlerë dhe një domethënie të madhe për jetën e njerëzve dhe për krejt njerëzimin. Për këtë arsye, kremtimi i përkujtimit të Pashkës së Zotit i bën të krishterët bashkëkohës të Pashkës së Krishtit.

Në të vërtetë, Pashka e Krishtit është edhe sot shpëtim nëse me të bashkohet çdo nxënës i Zotit me krejt ekzistencën e vet. Kur çdo vit në liturgjinë e Pashkës së Zotit dëshmojmë duke thënë: «Krishti është ngjallur prej të vdekurve» jemi duke i shpallur çdo njeriu, çdo qenieje të gjallë dhe mbarë krijimit se «dashuria është më e fortë se vdekja».

 Pse ky fakt që ka ndodhur në atë varr e ka ndryshuar krejtësisht gjendjen tonë? Pse të ngrënët dhe të pirët me Të pas ngjalljes së tij prej të vdekurve, e bën të shpërthejë prej gëzimit zemrën njerëzore? Kjo mund të ndodhë, siç pohon me vërtetësi Maria Magdalenë, sepse: “Zoti i jetës vdiq; por tani, i gjallë, ngadhënjen”.

 Zoti Jezus, me shëlbimin që na ka bërë përmes mishërimit, vdekjes dhe ngjalljes është sikur t’i kishte ridhënë qenies njerëzore një strukturë shpirtërore të aftë për të bërë një jetë në të cilën vlerat ungjillore mund të praktikohen.

 Atyre që më thonë se është e vështirë apo e pamundur t’u qëndrosh besnik angazhimeve të çdo dite, në familje, në shoqëri dhe në Kishë, unë u përgjigjem se është e mundur, pikërisht sepse Krishti na ka shëlbuar.

Atyre që më thonë se përballë urrejtjes-hakmarrjes, falja është e pamundur, unë u përgjigjem se është e mundur, pikërisht sepse Krishti na ka shëlbuar dhe na ka bërë të aftë të falim, sikurse ka bërë edhe Ai vetë në Kryq.

 Atyre që më thonë se është e pamundur t’i bëjmë ballë korrupsionit, u përgjigjem se është e mundur të ndryshojmë zemrën dhe të pasurohemi me vlera shpirtërore, të cilat nuk mund t’i humbim kurrë… është e mundur të kemi një zemër mishi, të ndjeshme për më të varfrit, është e mundur të jemi më të ndershëm!

 Të dashur, gjithçka varet prej vullnetit dhe prej vullnesën sonë për t’i përdorur ato struktura shpirtërore që Zoti ka ripërtërirë në ne, duke na ridhënë me ngjalljen e tij ato hiret që na bëjnë të aftë për të jetuar në paqe, që na bëjnë të aftë për të qenë besnikë, që na bëjnë të aftë për të jetuar në vëllazëri. Dhurata e shëlbimit është hiri i Zotit që na ndihmon dhe na bën bij të Hyjit dhe vëllezër me njëri-tjetrin.

 Vëllezër dhe Motra, duke marrë pjesë në vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit do të mund të ngadhënjejmë mbi të keqen dhe mbi vdekjen, si edhe do të ngjallemi bashkë me Të. Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkën Katolikëve, Ortodoksëve dhe Krishterëve.

 Shkodër, 07/04/2012

Arqipeshkvi juaj