Urimi i Imzotit Angelo Massafra me rastin e Pashkes 2011

Shumë të dashur vëllezër e motra në Zotin,

edhe një herë Kisha bën të jehojë lajmi i Pashkëve “Krishti Zot u ngjall!”. Është i njëjti lajm i Pashkëve të para të krishtera, pra, një lajm aq i hershëm e megjithatë gjithnjë e ri, sepse edhe për ne sot ka të njëjtën domethënie si atëherë: me ngjalljen e Krishtit, në historinë e njerëzimit dhe në çdo zemër njerëzore ka hyrë një risi e vetme dhe e pakapërcyeshme. “Krishti Zot u ngjall” është shpallja e gëzimit më të madh që është bërë ndonjëherë në historinë e munduar të botës: një njeri, Jezusi i Nazaretit, njeri i vërtetë sikurse ne, i vdekur i kryqëzuar, tani është i gjallë, nuk mund të vdesë më dhe është i pranishëm mes nesh. Një tjetër risi kaq e vetme dhe e veçantë si kjo nuk ekziston në të gjithë historinë: prandaj Jezusi i ngjallur dhe i gjallë është parimi absolut i shëlbimit dhe i risisë së jetës për këdo që i besohet atij në fe.

Ky lajm i ka arritur secilit prej nesh. Nuk e kemi të mundur ta marrim me të vërtetë, ta mbajmë në vetvete dhe të mos ua japim edhe të tjerëve. Ky lajm na bën lajmëtarë, dëshmitarë e misionarë: me fjalët dhe me veprat e një jete në përputhje me dhuratën e shëlbimit dhe të jetës së re që Jezusi i ngjallur, me derdhjen e Shpirtit të vet, ngjall në ata që besojnë. Vetëm kështu Pashkët e Krishtit bëhen edhe Pashkët e të krishterit, Pashkët tona.

Të mos e harrojmë fjalën e Krishtit: “Mos u trembni – unë e munda botën” (Gjn 16,33).

Pra, le ta dëshmojmë fenë tonë: vetëm në Krishtin e ngjallur e të gjallë gjendet shëlbimi, liria, drejtësia, solidariteti, dashuria, gëzimi, përtej çdo mundësie njerëzore.

Ka nevojë për ajër të ri në ndërgjegjen e njeriut, tepër shpesh të shkëputur prej burimit të vet hyjnor, dhe të humbur në shtigjet me dredha të një subjektivizmi egoist dhe mendjemadh. Papa Benedikti XVI do të thoshte: “Nuk e gjejmë jetën duke e përvetësuar, por duke e dhuruar atë. Dashuri do të thotë të dhurosh vetveten, dhe prandaj është rruga e jetës së vërtetë e simbolizuar prej Kryqit”.

Ngjallja do të thotë guxim i faljes, për t’i varrosur fyerjet e vërteta apo të hamendësuara, për të shëruar plagët dhe për të liruar dashurinë e dëmtuar prej interesit apo prej dyshimeve. Prej ngjalljes mund të vijë “një fllad ajri të ri” në fushën e marrëdhënieve njerëzore, për të përtërirë mirëkuptimin, aty ku fryn era e inatit dhe e urrejtjes; për të sjellë paqen aty ku ka armiqësi; për të kthyer respektin aty ku ka poshtërim; për të rifituar ndjenjën e kufizimit, aty ku duket se fiton stërfuqia e unit.

Shumë të dashur! Prej njëzet shekujsh Kisha është në ecje për t’ua shpallur të gjithëve këtë lajm tronditës. Prej njëzet shekujsh nuk i druan përndjekjet, vështirësitë, mundimet për të komunikuar sekretin e jetës, perlën e çmueshme, arsyen e gëzimit të vet të papërmbajtur: Jezusi, Zotëria i jetës kishte vdekur, por tani, i gjallë, ngadhënjen!

Guri i rëndë i zhvendosur nuk ka hapur vetëm varrin e Krishtit, por ka hapur tej më tej edhe dyert e jetës së pasosur. Shtegu i Qiellit është Krishti që është bërë dera e deleve, dhe atë shteg askush nuk mund ta mbyllë më, as vdekja.

Përtej gurit të zhvendosur, përtej varrit të zbrazët, përtej territ, jemi të gjithë të ftuar të shohim dritën e të Ringjallurit, që na thërret përsëri në jetë të re, që që na rindërton jetën, që na hap ndaj shpresës. Është ditë gëzimi sepse nuk është më koha të ngurrojmë, të lëkundemi, të rrimë në plogështi. Ftesa është e qartë dhe e fortë, e vendosur dhe vendimtare njëkohësisht: nuk mund të kërkohet më Jeta në shtigjet e vdekjes, sepse nuk mund të kërkohet më mes të vdekurve ai që është Autori i Jetës, i Gjalli. Ai jeton! Kjo na mjafton! Sepse nëse ai jeton asgjë nuk mund të na mungojë, asgjë nuk mund të dështojë, asgjë nuk mund ta mposhtë më forcën e Jetës së re që Hyji ka dashur të na japë.

Shumë të dashur, prej këtyre fjalëve të mia e keni kuptuar dashurinë dhe kuptimin e urimit tim të Pashkëve. Duke ju uruar ju dhe Dioqezës “Gëzuar Pashkët!”, ju uroj gëzimin e të Ringjallurit, një gëzim personal dhe vëllazëror njëkohësisht, intim dhe të bashkëndarë, të thellë e solidar me ata që gjenden në nevojë e në vuajtje. Si të mos mendojmë për shumë vëllezër e motra, për shumë familje që mezi e kanë bukën e gojës? Për shumë të sëmurë që nuk kanë para për t’u kuruar? Për shumë të rinj që nuk mund t’i fillojnë studimet universitare për mungesë mundësish ekonomike? Krishti i ngjallur bëftë që prej zemrës sonë të shpërthejë një solidaritet pa kufij!

I bëj të miat fjalët e Papës Pali VI: “I dobët është zëri ynë, por i bën jehonë atij të shekujve. O ju të gjithë që na dëgjoni: gëzimi ynë është më i madhi ndër të gjithë!”.

Gëzuar! Krishti u ngjall: aleluja                 

                                                               Arqipeshkvi Jua