KRISHTI VËRTET ËSHTË NGJALLUR

22 mars 2008

 

Të dashur vëllezër e motra në Krishtin, ju uroj të gjithëve Për shumë vjet Pashkët dhe uroj që të sjellin në shtëpitë tuaja harenë.

Pashkët janë qendra e jetës së të krishterit.

Në këtë urim desha të ndalesha tek dy mendime që besoj janë thelbësorë për ta përjetuar sa më mirë Ngjalljen e Krishtit.

Së pari fakti se Krishti është vërtetë i ngjallur. Mund të duket si e panevojshme një fjalë e tillë, një këmbëngulje e tillë, por e them ngaqë më vijnë në mendje shumë terme që qarkullojnë shpesh mes ne të krishterëve me anë të të cilëve ne e “mbyllim” Pashkën në sferën e sentimentalizmit, të emocionit, si për shembull “Krishti është ngjallur në zemrën time”, apo - kur na e zënë frymën fatkeqësitë, turbullimet dhe errësirat e ndryshme të shpirtit - themi të shkurajuar “për mua Krishti nuk është ngjallur”. A nuk është kjo një mënyrë për të qenë ne qendra e vetes sonë, qofshim të gëzuar apo të trishtuar?

Por Krishti është ngjallur përnjëmend, pavarësisht nga ndjenjat tona për këtë “ngjarje kozmike të re” - siç e quan Papa Benedikti XVI në një homeli të tijën.

Krishti është ngjallur së vdekuri. Përnjëmend është ngjallur.

Së dyti dëshiroj t’ju ftoj ta ngulim shikimin tonë tek Plagët që Jezusi i Ngjallur mbart në trupin e Tij të lavdishëm. Si ka mundësi që në këtë trup të lavdishëm, vazhdojnë të jenë shenjat e mundimeve dhe të vdekjes së tij? Mos vallë ato janë treguesi i përhershëm i egoizmit njerëzor që arriti deri në vrasjen e Zotit të vet? Mos vallë sa herë që t’i shohim ato plagë qenkemi të dënuar për shkurajim, për trishtim, duke qenë se na kujtojnë mëkatin tonë?

Jo, nuk është ashtu. Duke i parë ato plagë ne mund të kujtohemi gjithnjë për dashurinë e Hyjit ndaj nesh. Aty tregohet më së miri se “Hyji është dashuri” (1 Gjn 4, 16). Ato plagë nuk janë burim trishtimi, shkurajimi apo përvujtërimi, por përkundrazi janë burimi i pashtershëm i fuqive më të thella të shpirtit njerëzor i cili është i aftë të bëjë gjëra vërtet të mëdha kur zbulon se Hyji e do. Kjo gjë i jep hov jetës së njeriut dhe e nxit atë që ta duajë Hyjin e madje të duajë si Hyji. Është e mundur një dashuri e tillë.

E unë uroj që kjo dashuri e thellë të mund të shprehet në vendin tonë sidomos ndaj personave që vuajtën e po vuajnë pasojat e tragjedisë së Gërdecit, të cilëve u shpreh edhe ngushëllimet e mia për humbjen e familjarëve të tyre, si edhe solidaritet për tejkalimin e vështirësive.

Duket si e pakuptimtë që të shpallet ngjallja e Krishtit në një kohë kur duket se bota është e mbushur me fatkeqësi si ajo e Gërdecit, e aksidenteve të shumta rrugore, e vrasjeve të kohërave të fundit në zonën e Shkodrës, e luftës në Palestinë, e luftrave në kombet e Afrikës, në Tibet, në Irak, ku u gjet i vdekur para pak ditesh Ipeshkëvi i Mosulit, Imzot Paulos Faraj Rahho, mbasi e kishte rrëmbyer një grup i armatosur.

Por të mos trembemi: Jezusi prej Nazaretit nuk është këtu. U ngjall.

Ai jep edhe shenja konkrete të ngjalljes se Tij, siç është edhe pajtimi i ndodhur në Gur të Zi, më 3 mars, ku, në emër të Krishtit një familje katolike i fali gjakun një familjeje myslimane. Dy fise janë ringjallur: kanë rifituar qetësinë, gëzimin dhe lirinë.

            Vëllezër e motra të dashur, lejoni pra që ngjallja e Krishtit të ngjallur ta përshkojë vazhdimisht jetën tuaj.

Prindër të dashur, i kuptoj problemet tuaj për familjen, për shtëpinë, për punën, për t’ardhmen e fëmijëve, për problemet ekonomike dhe shëndetësore, për rritjen e çmimeve, për shkollimin e fëmijëve, por mos lejoni që ndonjë nga këto shqetësime ta mposhtë fenë tuaj në Krishtin e ngjallur së vdekuri. Besojani atij jetën tuaj dhe përballojini vështirësitë porsi njerëz shprese.

Për të gjithë ju besimtarë të dashur, në veçanti për ju të sëmurë, uroj që Jezusi i ngjallur të jetë forca, shpresa dhe hareja e përhershme e jetës.

Urime të gjithë katolikëve dhe të Krishtërëve që festojnë Pashkët, brenda dhe jashtë Shqipërisë! Krishti u ngjall! Gëzuar Pashkët!

 

† Angelo Massafra