URIME PËR KRISHTLINDJEN  

              (Per Mediat)

Bij dhe bija shumë të dashura,

edhe këtë vit, festa e Krishtlindjes na bënë të mblidhemi përreth një Fëmijë Hyj. Do të doja që të ripërshkoj bashkë me ju, misterin që kremtojmë duke e shikuar atë me sytë e protagonistëve më të vegjël, barinjve. Kështu pikërisht, vëllezër e motra, dëshiroj që mes dritave dhe zbukurimeve të qytetit, mes ushqimeve tipike të zonave tona, të drejtojmë shikimin e zemrës nga ata që të parët janë vënë në ecje për të adhuruar Hyjin Fëmijë.

Në kohën e Jezusit, barinjtë nuk konsideroheshin të rëndësishëm: madje përbuzeshin sepse ishin të varfër, të paditur dhe jo shumë fetarë. Pasuria e tyre e vetme ishte ndonjë dele e pak djathë, dhe pikërisht atyre u jepet lajmi i lindjes së Shëlbuesit, i atij që do t’i pranonte, do t’i donte në mënyrë të veçantë, sidomos sepse ishin të braktisur, të përjashtuar prej shoqërisë. Ngjarja ndodh natën; dhe duhet vënë në dukje se në historinë e shëlbimit ngjarjet shëlbimprurëse më të rëndësishme ndodhnin natën (krh. p.sh. Dalja).

Si vallë, lajmërimi i ngjarjes shëlbimprurëse u drejtohet në radhë të parë atyre? Në të vërtetë, Hyji ia zbulon lindjen e Mesisë së vet, pikërisht njërës prej klasave shoqërore më të përvuajtura dhe të përbuzura të kohës. Nuk e mohoj se disa herë kam pyetur veten: Pse një lajm kaq i rëndësishëm u është dhënë kaq pak personave dhe personave të tillë? Kjo është zgjedhja e Hyjit? Kam reflektuar dhe kam kuptuar se Lajmi i Mirë u jepet pak vetëve, është e vërtetë, por nëpërmjet këtyre i jepet edhe të gjithë botës.

Barinjtë shkuan me nxitim në Betlehem: gjetën Një fëmijë në një grazhd! Aty paraqitet një Hyj i vogël, që dridhet, ka nevojë. Barinjtë e panë, besuan, u gëzuan pamasë dhe bëhen engjëj, lajmëtarë, ndërmjetës të Fjalës.

Gëzimi i kësaj dite ka arsye të jetë shpërthyes: na është dhënë një Shëlbues, që është Krishti Zot. Luka ungjilltar këmbëngul mbi atë “sot lindi”. Një sot që për ne përsëritet: Hyji na solli shëlbimin; Dashuria e Hyjit për ne nuk mbaron kurr! Hyji është me ne, në këtë jetë tonë të varfër.

O Jezus, duke ardhur si vjet tek ne do të shohësh një botë më të varfër, për shkak të krizës ekonomik botëror…edhe në Arqidioqezën tonë do të gjesh shumë familje që më zor arrijnë ta kenë bukën e gojës (si themi ne!), shumë njerëz papunë, shumë familje që nuk kanë para për të shkolluar femijë, për t’i kuruar, për të berë një ndëhyrje kirurgjikale ose për të blerë ilaçe…O Jezus, Shqipëria nuk konsiderohet më e varfër, për këtë unë, si Ipeshkëv, duke mos pasur më kontributet që nevojten, mëzitem kur nuk mund të ndihmoj të varfrit që trokasin në dyert e Kishave dhe Kuvendeve tona! Dhe të varfrit nuk besojnë se nuk kemi më ato mundësitë që kemi pasur disa vite përpara!

Ti, o Jezus, je bërë solidar me ne, dhe, të lutem, ndriçoja mendjen e zemrën  atyre që kanë detyrë që të angazhohen më shumë ndaj të varfërve dhe atyre që “kanë më shumë” të jenë më solidar dhe më zemergjerë me më të varfrit, si bënte e Lumja Nëna Tereza.

Ja, pra, vëllezër e motra, katolikë, ortodoksë, urimi im për ju: kjo Krishtlindje, në takimin me Zotin Jezus Fëmijë, ju dhuroftë paqen, gëzimin, shpresën dhe entuziazmin që t’ua lajmëroni atë të tjerëve sikurse barinjtë e Betlehemit.       

               Për shumë vjet Krishtlindjen dhe Vitin e Ri!!

                                                                                              Imzot Angelo Massafra OFM