Temat:- Bashkimi - dashuria vëllazërore

  • interesi për të mirën e përbashkët - modeli i shoqërisë

Reflektimi mbi Ikonën e Trinisë së Rublevit na jep mundësinë të thellojmë, për sa është e mundur për vështrimin tonë njerëzor të kufizuar, fenë tonë në Hyjin Njini e Trini. Prej shpjegimit të Ikonës kanë dalë në pah disa elemente të rëndësishme mbi të cilat e mbështesim fenë tonë.

Në ndërhyrjen time dëshiroj ta vë theksin në atë që vetë Jezusi thonë në lidhje me marrëdhënien mes Vetave hyjnore në Ungjillin e Gjonit, kur flet për dërgimin e Shpirtit Shenjt që do të ndodhë pas ngjalljes së tij prej të vdekurve. Le ta dëgjojmë Jezusin:

Gjoni 15,26-27

26 E kur të vijë Mbrojtësi, të cilin do t’jua dërgoj prej Atit - Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit ‑ Ai do të dëshmojë për mua. 27 Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua, sepse jeni me mua që në fillim.

Gjoni 16,12-15

12 Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë por tani s’mund t’i kuptoni. 13 E kur të vijë ai ‑ Shpirti i së Vërtetës ‑ Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. 14 Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. 15 Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.

 Normalisht, egzegeza e këtyre dy pjesëve të ungjillit të Gjonit duhet të na çojë në një përfundim të thjeshtë të atij që është veprimi i Shpirtit në jetën e besimtarit dhe të bashkësisë së besimtarëve. Por neve, përveç këtij aspekti të pastër kaq të rëndësishëm, na intereson të shkojmë në zemrën e marrëdhënies ndërtrinitare, që, pastaj, është arsyeja e fundit e çdo veprimi të Hyjit jashtë vetvetes, në perspektivën e shëlbimit të botës.

 Prandaj, po filloj menjëherë prej atyre pohimeve që i referohen marrëdhënies mes Vetave hyjnore.

  1. “Mbrojtësi, të cilin do t’jua dërgoj prej Atit”

Shpirti është i dërguari i dytë, pas Jezusit, dhe ka qëllimin të bëjë të përvetësohet zbulimi i tij. Prandaj misioni i Shpirtit varet prej Jezusit që do ta dërgojë «prej» Atit.

  1. “Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit”

Megjithatë, Shpirti rrjedh prej Atit, sepse misioni i tij në botë në bashkim me atë të Krishtit e ka zanafillën e vet në nismën shëlbimprurëse të Atit. Shprehja «që rrjedh prej (parà) Atit» nuk i referohet prejardhjes ontologjike të Shpirtit, por veprimit në botë. Pra, shprehja nuk tregon prejardhjen e Shpirtit, por misionin e tij.

  1. “s’do të flasë prej vetes, por do të flasë çka të dëgjojë”

Mësimi i Shpirtit do të burojë prej dëgjimit (akouô) të vetë zbulimit të Jezusit, pra nuk do të përmbajë elemente të reja në lidhje me të; ai «do të zbulojë (anaggelei) të ardhmen», pra do të bëjë që të kuptohen në domethënien e vërtetë ngjarjet që i përkasin kryqëzimit dhe lartësimit të Jezusit në të djathtën e Atit, ose më mirë, do të bëjë që çdo brezni e ardhshme ta kuptojë në funksion të situatës së vet të jetës domethënien e asaj që Jezusi ka thënë dhe ka bërë. Ndërsa Jezusi kishte detyrën t’i çonte njerëzit te Ati, Shpirti do t’i drejtojë ata nga Jezusi, duke e bërë aktual për të gjitha kohët mësimin e tij.

Pra, Shpirti nuk ka detyrën të shpallë gjëra të reja, që shërbejnë për të integruar apo zgjeruar atë që Jezusi ka thënë, por ka detyrën të japë një kuptim më të plotë dhe personal të fjalëve të Jezusit. Funksioni i tij specifik do të jetë ai që t’i bëjë nxënësit të përvetësojnë zbulimin e Jezusit, për t’i aftësuar ata në misionin e tyre.

  1. “do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. 15 Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’”.

Jezusi përfundon duke vënë në dukje se Shpirti do ta lartësojë, sepse do të marrë prej tijës dhe do t’ua zbulojë nxënësve, dhe specifikon se kjo duhet të ndodhë sepse gjithçka që ka Ati është e tija (rr. 14-15). Prej bashkimit të tij intim me Atin Jezusi ka qenë zbuluesi i posaçëm i Atit dhe udhërrëfyesi për tek ai (krh. 1,18), Jezusi kishte kryer misionin e vet të lartësimit të Atit duke shpallur dhe aktualizuar planin e tij të shëlbimit; si rrjedhojë, Shpirti Shenjt «do ta lartësojë» Jezusin duke dëftuar madhështinë e tij në të djathtën e Atit.

 Nga sa u tha deri tani kuptohet mjaft mirë lloji i marrëdhënies që ekziston mes Vetave hyjnore:

  • Para së gjithash është marrëdhënie bashkimi. Tri vetat hyjnore, e dimë këtë prej katekizmit, janë të barabarta mes tyre por të dalluara, pa ngatërrim. E megjithatë jetojnë një gjendje të përsosur bashkimi, ashtu si vetëm në Hyjin mund të gjendet. Ajo që është e një Vete i përket edhe dy të tjerave në të njëjtën mënyrë.
  • Në radhë të dytë, është marrëdhënie dashurie. Këtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos e përdorim termin “dashuri” në të njëjtën mënyrë sikurse e përdorim për të treguar llojin e marrëdhënies që karakterizon personat. Kur flasim për “dashuri” në Hyjin duhet të mendojmë për një qëndrim më shumë se sa për një ndjenjë. Në të vërtetë, qëndrimi karakterizon personin në atë që është, ndërsa ndjenja mund të jetë kalimtare dhe të ndryshojë. Prandaj shën Gjoni na thotë se “Hyji është dashuri”: vetë natyra e Hyjit është dashuri.
  • Së fundi, dalja prej vetes. Vetë koncepti i “dashurisë” na bën të mendojmë për daljen prej vetvetes për t’u bërë “dhuratë”. Nuk ka dashuri të vërtetë nëse nuk ka dhurim të vetvetes. Dhe për të dhuruar vetveten është e nevojshme dalja prej vetvetes. Jo rastësisht ata që gjatë shekujve janë munduar ta studiojnë dhe ta shpjegojnë Trininë e Shenjtë në terma shkencore nuk kanë gjetur term tjetër për të përcaktuar këto marrëdhënie brenda Trinisë përveç termit “rrjedhje”, i njëjti term që Jezusi ka përdorur në ungjillin që dëgjuam. 

Tani, para se të nxjerrim përfundimet e këtij reflektimi të shkurtër, po përfundoj analizën e pjesëve të dëgjuara duke folur për ne nxënësit që, po ashtu, bëjmë pjesë në këtë marrëdhënie trinitare.

  1. “Ai do të dëshmojë për mua; 27 Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua, sepse jeni me mua që në fillim”.

Shpirti do të ketë detyrën të dëshmojë Jezusin në procesin kundër botës dhe të pohojë vlefshmërinë e predikimit të tij.

Nxënësit do të dëshmojnë për Jezusin duke e ruajtur të gjallë, nëpërmjet marrëdhënies jetësore me të, mesazhin e tij dhe duke aktualizuar planin e tij të shëlbimit. Prandaj dëshmia e tyre nuk do të përbëhet vetëm prej fjalëve, por edhe dhe sidomos prej veprave, që përfaqësojnë «frytin» e bashkimit të tyre me të (krh. rr. 5). Dëshmia e nxënësve nuk është e ndarë prej asaj të Shpirtit Shenjt, sepse ai do të flasë nëpërmjet gojës së tyre.

Pikërisht nëpërmjet nxënësve Shpirti do të dëshmojë në favor të Jezusit, duke dëftuar vlefshmërinë (të vërtetën) e fjalës së tij. Në kontekstin e tashëm dëshmia e Shpirtit paraprihet dhe ndiqet nga një referim në përndjekjet kundër nxënësve (krh. 15,18-25; 16,1-4a). Për arsye të marrëdhënies së tij intime me Jezusin dhe me Atin, Shpirti do të ketë detyrën t’i ndihmojë nxënësit në shpalljen e ungjillit, duke e bërë atë efikase dhe bindëse. Ata pra do të jenë ndërmjetësit dhe mjetet e misionit apo dëshmisë që Shpirti do të bëjë për Jezusin.

  1. “Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën”.

Pasi përfundon temën e përndjekjes që i pret nxënësit, Jezusi vazhdon të flasë për Shpirtin që ai do ta dërgojë pasi të kthehet te Ati. Ai pohon para së gjithash se detyra e Shpirtit do të jetë ajo që ta bindë botën në lidhje me mëkatin, drejtësinë dhe gjykimin: mëkati përbëhet në mosbesimin në të, drejtësia në faktin se ai shkon te Ati, dhe gjykimi në faktin se princi i kësaj bote është dënuar (krh. rr. 8-9). Me fjalë të tjera Shpirti, duke dëftuar në jetën e nxënësve realitetin e drejtësisë (besnikërisë) së Hyjit të zbuluar në kthimin e Jezusit te Ati, si rrjedhojë ia heq maskën mëkatit të atyre që nuk e kanë pranuar dhe në të njëjtën kohë e mposht pushtetin djallëzor që e ka shkaktuar atë.

 Kështu kuptojmë madhështinë e misionit tonë si nxënës sot:

  • Në marrëdhënie me Hyjin Trini. Nxënësi mbetet i bashkuar me Mësuesin sikurse shermendi është i bashkuar me hardhinë: një marrëdhënie jetësore sepse të ndarë prej atij që na përçon limfën nuk ka mundësi jete. Atij që është nxënës i Jezusit i dhurohet Shpirti dhe shpallja e tij (“do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve”).
  • Në bashkim me Hyjin Trini. Marrëdhënia hap ndaj bashkimit... deri në atë pikë sa Jezusi lejon të lutemi me vetë fjalët e tij dhe me vetë terminologjinë e tij: na bën që ta thërrasim Hyjin “Ati ynë”.
  • Në mision. Dëshmia në të cilën jemi të thirrur mbështetet në dëshminë që na jep ne Shpirti, i cili nuk vjen në emrin e vet, por është i dërguar prej Birit dhe rrjedh prej Atit.

Duke nxjerrë përfundimet, pyesim veten:

  1. cili është roli ynë si nxënës sot?
  • Para së gjithash që të jemi të vetëdijshëm për identitetin tonë si bij të Hyjit dhe nxënës të Jezusit Mësues. Nëse nuk e dimë se kush jemi dhe përse, nuk do të jetë e mundur ta jetojmë plotësisht fenë tonë dhe ta dëftojmë atë me veprat tona.
  • Në radhë të dytë, të jemi ata që jemi. Në një pjesë të ungjillit Jezusi thotë se dikush është bir i atij veprat e të cilit i bën (Krh. Gjn 8, 38-47): nëse jemi bij të Hyjit duhet të bëjmë veprat e tij: Bashkimi – Dashuria – Dalja prej vetes.

Edhe ne jemi të thirrur të realizojmë të njëjtin bashkim që ekziston në Hyjin dhe të praktikojmë urdhrin e dashurisë, vetëm me anë të të cilit është e mundur që bota të besojë (“Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi” Gjn 13, 34-35); dhe e vetmja mënyrë për ta bërë është të dalim prej vetes, që do të thotë “të mohojmë vetveten” (Mt 16,24 – Mk 8,34 – Lk 9,23). 

  1. Cilat janë fushat në të cilat mund ta realizojmë qenien tonë nxënës?
  • Në vetvete. Gjithçka fillon prej vetes, prej marrëdhënies sime personale me Jezusin që më dërgon Shpirtin prej Atit dhe më zbulon të vërtetën.
  • Në familje. Mjedisi i parë i marrëdhënieve në të cilat duhet të riprodhohet modeli i Trinisë si bashkësi dashurie. Është shkolla e parë ku mësojmë të duam... edhe kur gabojmë, sepse vetëm “duke gabuar mësojmë”.
  • Në bashkësinë e krishterë. Ajo që na ka lindur në fe dhe ku është e mundur të jetojmë një marrëdhënie dashurie mes vëllezërish e motrash dhe bashkimi të aftë për të shkuar përtej ndryshimeve… pikërisht sikurse në Trininë ku ekziston dashuria e vërtetë përtej ndryshimit mes Vetave hyjnore. Brenda bashkësisë së krishterë, pastaj, ekzistojnë forma specifike të realizimit të thirrjes sonë, sikurse Jeta e Kushtuar, ku në mënyrë të veçantë njeriu përpiqet të jetojë sipas modelit të Trinisë.
  • Në shoqëri.  Është mjedisi i misionit karakteristik për çdo të krishterë. Një i krishterë që mendon ta jetojë fenë e vet në mënyrë personaliste dhe individualiste nuk do të mund të quhet i krishterë sepse nuk e plotëson kushtin e kërkuar prej Jezusit, atë të dëshmisë. Prandaj mund të jemi dëshmitarë, në shkollë, në universitete, në vendin e punës, në politikë, në kulturë, etj.

Ju ftoj ta përfundojmë këtë ndërhyrje timen me lutjen që Jezusi na ka mësuar dhe që, në mënyrë krejt të veçantë, na bën të vetëdijshëm për identitetin tonë si bij, si nxënës, në bashkim me Hyjin Trini dhe mes nesh... që bota të besojë:

Ati ynë…