Temat:  Angazhimi i një jete koherente

            Misionariteti

            Komunikimi i fesë

            Mjetet e komunikimit shoqëror

 

Në këtë takim tonin të fundit jemi duke u ndihmuar nga një ikonë shumë e rëndësishme për jetën tonë si të krishterë të angazhuar: Gjon Pagëzuesi. Luka ungjilltar na e paraqet atë si kushëri të tretë të Jezusit dhe në ungjijtë apokrifë nuk mungojnë hollësi mbi marrëdhënien mes Jezusit e Gjonit gjatë fëmijërisë së tyre.

Por, Gjon Pagëzuesi që na intereson ne është ai që del në pah prej Ungjijve kanonikë:

  1. Dëshmitari
  2. Dëshmuesi
  3. Zëri dhe Pararendësi

 Le ta dëgjojmë Fjalën e Zotit prej Ungjillit sipas Gjonit (1, 6-8; 15; 19-28)

[6] Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. [7] Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. [8] Ai nuk ishte Drita, por ‑ për të dëshmuar Dritën. 

[15] Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: «Ky është ai, për të cilin thashë: “Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!”».

 [19] Dhe, ja, dëshmia e Gjonit! Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan (tek ai) priftërinj dhe levitë për ta pyetur: «Kush je ti?», [20] ai pranoi, nuk e mohoi, por dëshmoi: «Unë nuk jam Mesia». [21] «Kush, pra? – e pyetën ata – A mos je Elia?». «Nuk jam!» - u përgjigj. «A je Profeti?». «Jo» - ua ktheu.  [22]Atëherë i thanë: «Kush je, që t’u kthejmë përgjigje atyre që na dërguan?». [23]Ai tha: «Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: “rrafshoni udhën e Zotit!”siç tha Isaia profet». [24]Disa prej të dërguarve ishin farisenj. [25]Ata e pyetën: «Pse, atëherë, pagëzon, kur s’je as Mesia, as Elia, as Profeti?». [26]Gjoni u përgjigj: «Unë pagëzoj me ujë. Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni. [27]Është ai që po vjen pas meje, por të cilit [unë] nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve». [28]Kjo ndodhi në Betani, përtej Jordanit, kur Gjoni po pagëzonte.  

Rreshtat e kapitullit të parë të ungjillit të Gjonit që na paraqesin figurën e Gjon Pagëzuesit synojnë të flasin për të si për “dëshmitarin” e Jezusit. Në të vërtetë, katër herë, në shumë pak rreshta, gjejmë fjalën “dëshmi” dhe një herë “dëshmitar”. Kështu, del qartë qëllimi i ungjilltarit: karakteristika kryesore e Gjon Pagëzuesit nuk është edhe aq ajo që të ndajë pagëzimin e pendesës, siç duket prej ungjijve të tjerë, se sa ajo që të jetë dëshmitar.

Konteksti i këtyre rreshtave të parë është ai i Prologut, hapjes së ungjillit, me një dendësi të fortë teologjike. Në të ungjilltari e paraqet Jezusin si Fjalën e Hyjit, paraekzistues, të njëjtë me Hyjin, Dritë e botës dhe i bërë njeri për të banuar me njerëzit. Të përfshihet në këtë kontekst dëshmia e Gjon Pagëzuesit do të thotë t’i besohet këtij dëshmitari roli i “profetit” (= flas në emër të Hyjit), roli i lidhjes mes Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së re, roli i “rojtarit” për i pari e dallon Dritën e pranishme në botë dhe ua lajmëron atë të gjithëve që të gjithë të besojnë e të kthehen. Gjithashtu, roli i tij është ai që të jetë “mjet kontrasti” (si në disa kontrolle radiologjike) që të duket më qartë se kush beson e kush nuk beson.

 Dëshmitari

Gjon Pagëzuesi është para së gjithash dëshmitar i dritës. Në rreshtat 4 dhe 5 thuhet: “E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi”. Fjala e Hyjit është Drita e vërtetë, “që shndrit çdo njeri” (rr. 9). Detyra e Gjon Pagëzuesit është ta bëjë të dukshme këtë dritë për njerëzit, vëllezërit e tij. Dhe, gjithnjë për të përdorur një figurë ungjillore, drita duhet vënë “mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi” (Mt 5,15). Pra, mund të themi se roli i Gjon Pagëzuesit është ai që të jetë një dritëmbajtëse, një pishtar nëpërmjet të cilit drita të mund të përhapet lehtë. Kështu, jo Drita por mjeti prej të cilit Drita shndrit.

Si ia bën Gjoni që të jetë ky pishtar? Duke bërtitur: «Ky është ai për të cilin thashë: Pas meje vjen një njeri, i cili është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje». Në Jezusin tregon Mesinë e pranishëm në botë duke paralajmëruar se ai do ta vijonte në veprën e ndërmarrë prej tij, atë të Pagëzimit (në të vërtetë, në kapitullin 3, rr. 22-24, gjejmë Jezusin që pagëzon si Gjoni), duke e motivuar këtë vijim me fenë në paraekzistencën e tij hyjnore: “ishte përpara meje”.

 Rrëfyesi

Një tjetër mënyrë nëpërmjet së cilës Gjon Pagëzuesi e kryen misionin e vet është ajo e “dëshmimit”. “Dëshmoi: «Unë nuk jam Mesia»” (rr. 20). Është një dëshmim në negative, edhe një herë për kontrast. Ishte e nevojshme që të jepej në këtë mënyrë dëshmimi i Mesisë në mënyrë që të mos kishte keqkuptime dhe të dukej qartë identiteti i Gjon Pagëzuesit.

Duke bërë kështu ai largon çdo dyshim: nuk përfiton prej situatës, prej ndjekësve të shumtë, prej suksesit të veprës së tij si pagëzues për ta tërhequr vëmendjen nga vetja, por ka guximin të tërhiqet për t’i bërë vend Mesisë së vërtetë.

Si tërhiqet Gjoni? Jo duke u zhdukur, jo duke heshtur, por duke e vazhduar misionin e vet profetik me guxim dhe deri në pasojat e skajshme. Megjithatë, i sqaron gjërat dhe dëshmon se nuk është Krishti, i Shuguruari i Hyjit, Mesia.

 Zëri dhe Pararendësi

Së fundi, Gjoni deklaron, në pozitive, se është Zëri dhe Pararendësi: «Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: rrafshoni udhën e Zotit, siç tha Isaia profet» (rr. 23).

Nëse Jezusi është Fjala, Gjoni është Zëri i saj: përsëri një mjet!!! Ashtu sikurse për dritën nevojitet një pishtar, ashtu për Fjalën duhet Zëri. Zëri nuk zë vendin e Fjalës, por i lejon asaj të shprehet. Por si do të mund të dëgjohet Fjala nëse veshët e atyre që duhet ta pranojnë nuk janë të përgatitur?

Prandaj Zëri “bërtet”, për të tërhequr vëmendjen, si ai që shet gazeta: nuk i hershon lajmet që përmban gazeta, por i bën reklamë në mënyrë që ndokush ta blejë. Dhe çfarë bërtet? “Rrafshoni udhën e Zotit!”. Funksioni i Pararendësit është ai i kasnecit, atij që kalon rrugëve të fshatit për të dhënë një lajmërim të rëndësishëm që ka lidhje me gjithë bashkësinë. Lajmërimi i rëndësishëm është: “Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni. Është ai që po vjen pas meje, por të cilit [unë] nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve”. Jezusi është lajmi i mirë që të gjithë kanë të drejtë të dëgjojnë, sidomos ata që shkojnë te Gjoni për të dëgjuar fjalë pendese dhe faljeje për mëkatet. Kështu Gjoni e kryen plotësisht misionin e vet.

 Në katekezat e mëparshme kemi reflektuar mbi detyrën tonë si nxënës dhe mbi rëndësinë për të pranuar misionin e rolin që Hyji na beson për të qenë të përgjegjshëm në këtë botë.

Karakteristikat e Gjon Pagëzuesit mund të na ndihmojnë në këtë angazhim tonin për ta njohur misionin që Hyji na beson, por sidomos në metodologjinë që duhet ta shoqërojë çdo nxënës dëshmitar të Jezusit. Ato karakteristika mund dhe duhet të bëhen edhe tonat. Le të shohim se si.

Dëshmitari

Çdo nxënës i Jezusit është dëshmitar: “Edhe ju do të dëshmoni për mua”, kemi dëgjuar në katekezën tonë të parë. Dhe forma e parë e dëshmisë është ajo e jetës. Ndoshta jo të gjithë janë të thirrur të jenë “zë” sikurse Gjon Pagëzuesi, por sigurisht të gjithë mund të kemi një jetë që bërtet vetë, pa pasur nevojë për shumë fjalë, por “me vepra e në të vërtetë” (1Gjn 3,18).

Vetë jeta jonë mund të jetë ai pishtar ku Drita mund të vendoset dhe të shkëlqejë. Mbi ne, nxënësit e Zotit dhe barka e tij, mbështetet Mësuesi që edhe sot të vazhdojë t’i mësojë turmat; ne duart e tij për të shpërndarë bukët dhe peshqit e nevojshëm për t’u ushqyer…

Dëshmuesi

Rreziku për ta tërhequr mbi vete vëmendjen është gjithmonë i pranishëm brenda Kishës. Nxënësi i vërtetë i Zotërisë, sikurse Gjon Pagëzuesi, e di se duhet të dalë mënjanë për t’i lejuar Zotit Jezus të dalë në pah. Është gjithnjë Ai që duhet të rritet dhe ne të zvogëlohemi. Është Jezusi Shëlbuesi i vetëm i botës, ne lajmëtarët dhe dëshmitarët e tij.

Do të vazhdojmë gjithmonë ta kryejmë detyrën tonë dhe misionin tonë, nëse është e nevojshme deri në dhënien e jetës për Të, por duke pranuar gjithmonë se jemi shërbëtorë të pavlefshëm që kanë bërë atë që kishin detyrë të bënin (krh. Lk 17,10) dhe duke i çuar gjithmonë të tjerët te Ai.

Në të vërtetë, misionariteti nuk do të thotë të bëjmë proselitë, por të japim një dëshmi të aftë për të përfshirë edhe të tjerë dhe për t’ia dorëzuar Krishtit. Prej atij momenti e më tutje misionari tërhiqet për t’i lejuar neofitit të krijojë një marrëdhënie personale me Krishtin. Ndërsa ai që vazhdon ta tërheqë vëmendjen nga vetja është një uzuarpues dhe nuk i bën shërbim të mirë Krishtit.

 Zëri dhe pararendësi

Të jemi zë dhe kasnecë të Lajmit të Mirë është mes detyrave më të larta që mund të na besohen. Pa dyshim, Zoti na thërret të jemi në mes të botës zëri i tij edhe sot. Por ata që e pranojnë këtë ftesë janë shumë pak njësi: vetëm pak vetë pranojnë të jenë lajmëtarë të Fjalës si Mbarështues të ungjillit.

Megjithatë, ka edhe mjete të tjera që lejojnë të kryhet kjo detyrë:

  • Katekeza: të studiosh për t’u bërë katekist është një gjë shumë e rëndësishme. Në bashkësitë e para të krishtera katekistët kishin një rol të rëndësishëm si ai i presbiterëve.
  • Mjetet e komunikimit shoqëror: teknologjia gjithnjë e më e përparuar na jep mjete sikurse TV, Radioja, Interneti dhe burimet e tij për të shpallur Jezusin si Shëlbuesin e vetëm të botës. Ndoshta na vjen turp dhe parapëlqejmë t’i përdorim këto mjete ndryshe, siç bëjnë gjithë të tjerët.

Por nëse gjithçka hyn në logjikën e “mjetit”, atëherë nuk duhet të reshtim kurrë së pyeturi veten: “Si mundem sot të jem ‘mjet’ që Jezusi të më përdorë?”. Nëse jemi të krishterë, nëse duam të angazhohemi për çështjen e ungjillit, dhe sidomos nëse jemi të ndershëm, përgjigjen do ta gjejmë