Konferenca Ndërkombëtare e Paqes

 

 

RAPORT
 
Mbi zhvillimet e Konferencës Ndërkombëtare të Paqes
 
Shkodër 21 - 25 shtator 2001
 
"Te rinjtë protagonistë të Paqes". Ishte kjo tema e Konferences Ndërkombëtare të Paqes të zhvilluar në Shkodër (Tarabosh) nga data 21-25 shtator 2001. Organizuar nga Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër dhe Caritasi Dioqesan Shkodër, kjo Konference mblodhi në ambjentet e Fshatit te Paqes delegacione të rinjsh nga Mali i Zi, Serbia, Kosova, Bosnia, Kroacia, Italia, Gjermania, Austria dhe Zvicrra. Programi i ditëve të Konferencës ishte menduar i ndarë në dy momente.
Roli i besimeve fetare, politikës, kulturës dhe ekonomisë në lidhje me Paqen ishte tema e ligjëratave të të ftuarve vëndas dhe të huaj dhe që përbënte pjesën e parë të ditës ndërsa pasdite të rinjtë punonin në Workshopet e përgatitura.
Grupe artistike nga vëndi dhe të huaja kanë animuar mbrëmjet e Konferencës me shfaqje të ndryshme.
 
DITA E PARË
 
"Roli  i besimeve fetare në lidhje me Paqen". Kjo teme e ditës së parë të Konfrencës Nderkombëtare të Paqes bashkoi në një tryezë të rrumbullakët përfaqesuesit e katër besimeve fetare të nivelit lokal atij kombëtar dhe ndërkombëtar.

Mons. Angelo Massafra Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës, Mons. Mato Zovkic vikar i përgjithshëm i Sarajevës si dhe Mons. Zef Gashi Arqipeshkëv i Tivarit ishin përfaqësues të besimit katolik. Atë Aleksander Petani Popi i Kishës Orthodhokse në Shkodër si dhe Atë Joan Pelushi Metropolit i Korcës ishin përfaqësues të besimit orthodhoks ne këtë Konferencë. Myftia i Shkodres Z. Haxhi Faik Hoxha përfaqësonte besimin mysliman  ndërsa Komuniteti i Bektashinjve në Shkodër përfaqësohej me Z. Fadil Kraja.
Të pranishëm në këtë ditë të parë të Konferences ishin edhe përfaqësuesit e pushtetit qëndror dhe atij  lokal. Deputetë të Parlamentit Shqiptar si dhe Kryebashkiaku i Shkodrës Z.Ormir Rusi dhe Prefekti i Shkodrës, Pukes dhe Malesise se Madhe Z.Gjergj Leqejza. I pranishëm dhe Konsulli Italian në Shkodër Zoti Stefano De Leo.

 

 

 

 

Fjalës së hapjes se punimeve të Konferencës të bërë nga Atë Mario Baglio drejtor i Caritas-it Dioqesan Shkodër i  parapriu një minut heshtje në kujtim të viktimave të 11 Shtatorit në Amerikë. Në fjalën e tij Atë Mario Baglio falenderoi të gjithë pjesëmarrësit, donatorët e ndryshëm si dhe Bashkinë Shkodër për kontributin e dhënë në ndërtimin e kësaj strukture. Ligjëratat e ditës së parë i hapi Mons.Angelo Massafra duke thëne se paqja lind nga fjalët nga falja dhe nga fakti që të tjerët i pranojmë si vëllezër dhe jo si kundërshtare. Vlera këto të pranishme tek besimet e ndryshme. Pas përshëndetjes që i bënë punimeve të Konferencës përfaqësuesit e pushtetit lokal, fjaleë e morën përfaqësues të besimeve të tjera. Kalimi nga toleranca tek bashkëpunimi, ishte mesazhi qëndror i At Joan Pelushit. Në fjalën e tij Zoti Haxhi Faik Hoxha foli mbi rëndësin e ekzistencës të një bashkëjetese mes besimeve të ndryshme.
Pasi solli përshëndetjet e Kishës së Bosnjes Mons. Mato Zovkic foli mbi eksperiencën në Sarajeve ku problemi fetar ka zënë një vend jo te vogël. Mbi rolin e besimeve fetare dhe të bashkëjetesës në Ballkan foli Mons. Zef Gashi. Më pas u lexua letra e Kardinalit Angelo Sodano, Sekretar i Shtetit te Vatikanit, drejtuar Mons. Angelo Massafra në të cilën përcilleshin bekimet e vetë Atit te Shenjtë për këtë iniciativë si dhe theksohej roli i rëndësishëm që mund të luaj "Shtëpia e Paqes" për bashkëjetesen e popujve në Ballkan.
Të rinjtë u takuan përsëri pasdreke për të marrë pjesë në Workshopet e organizuara të cilët trajtonin të njëjtën teme,  rolin e besimeve tek Paqja. Një mesazh i përbashkët i grupeve që punuan në Workshope ishte që Paqja është pjesë e një morali të përbashkët. "Paqja e Zotit është me ju" për katolikët dhe  "El - selamu alejkum" për myslimanët kanë të njëjtin kuptim.
 
DITA E DYTË
 
Inaugurimi i  "Fshati i Paqes"  ishte dhe evenimenti kryesor i ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Paqes. Ishin të pranishëm në këtë inaugurim personalitete të larta të komuniteteve fetare e ndër ta  Nunci Apostolik në Shqipëri Mons. Ambrosio Matha si dhe përfaqësues të pushtetit qëndror, deputete dhe vetë Ministri Shqiptar i Mbrojtjes Pandeli Majko. Për të pranishmit, femijet e komunitetit Rom që mësojnë në shkollën e ngritur nga Fretërit Kapucinë afër Fshatit te Paqes dhanë një koncert të shkurtër. Para se të hynin për të vizituar ambjentet e Shtëpise se Paqes, Mons. Massafra dhe Don Danilo Vezzoli drejtor i Caritas Breshia bënë bekimin e ambjenteve të saj.

 

 

Më pas punimet vazhduan me përshendetjet e pjesëmarresve. Mons. Massafra  në përshendetjen e tij e konsideroi dialogun ndërkulturor si një nevoje urgjente per popujt. Pas përshëndetjes së Nuncit Apostolik vijoi ajo e Ministrit Shqiptar të Mbrojtjes Z. Pandeli Majko i cili përshëndeti Konferencën në emër të politikaneve shqiptare. Përshëndetën gjithashtu Konsulli Italian në Shkodër - Z. Stefano De Leo, Prof. Marko Vitale ish - Komisar i Qeverise Italiane, Dr.Giovanna Bussolati - tutore e "Villaggio Brescia", Don Danilo Vezzoli - drejtor i Caritas Brescia si dhe Presidenti i Malteser në Shqipëri Dr. Michael Faber.
Në fjalën e tij At Mario Baglio prezantoi stafin i cili kishte punuar për ndërtimin e Fshatit te Paqes. Me pas u bë dhe prezantimi i stafit të Komisionit Drejtësi dhe Paqe në Shqipëri. Qëllimi kryesor i të cilit do të jetë aplikimi i projekteve të ndryshëm në fushën sociale dhe perhapja e doktrinës katolike në Shqipëri. Donatorët e ketij komisioni CRS/Albania i dhuruan me këtë rast Presidentit të këtij komisioni Mons. Massafras një shumë prej 50.000$ si fond vjetor për Komisionin.
"Koncert për Paqen" titullohej koncerti i organizuar nga grupi i baletit nga Velipoja, grupi i qendres kulturore "Kardinal Mikel Koliqi" si dhe fëmijet e shkollës bamirese "Beato Seferini", të cilët animuan pasditen e ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Paqes.
 
DITA E TRETË
 
Problemet e ndryshme që lindin në marrëdhëniet mes poupjve sot në bote ishin tema e ligjëratës së mbajtur nga Don Tonio dell'Olio e cila hapi dhe punimet e ditës së tretë të Konferencës. Më pas Claudia Gaërich e Carits-it Gjerman theksoi rëndësine e bashkëpunimit  të Caritaseve si dhe solli eksperiencën në punën e bërë me Shqipërine në fushën e perkrahjes dhe bashkëpunimit. Të ftuarit nga Mali i Zi dhe Serbia, Anica Boljevic dhe Sinisa Milatovic përkatësisht të CRS/Montenegro dhe CRS/Yougoslavia  shpjeguan punën e bërë në hapjen e disa shkollave të veçanta në territorin e tyre. Mbi rolin e OJQ-ve në vëndet në zhvillim e sipër foli Prof. Heinz Theisen nga Universiteti i Kelnit Gjermani.
Më vonë të gjithë të pranishmit morën pjese ne Meshën e Shenjtë në Kishën e Fretërve Kapuçinë  të celebruar nga Atë Mariano Rubik ofm.
Pasditja e ditës së tretë e Konferencës do të vazhdonte me të rinjtë dhe punën e tyre në Workshope. “Karta e të drejtave të njeriut”, trajtuar nga Cristina Faber dhe  “Komunikimi Ndërkulturor”, trajtuar nga Josef  Fraise profesor ne Universitetin e Kelnit, ishin dy temat e Workshopeve. Njëri prej grupeve i përbëre nga të rinj të besimeve të ndryshme dhe të kombësive të ndryshme doli në rrugët e Shkodrës duke kërkuar lemoshe. Kjo për të kuptuar dinamikat e dinjitetit njerëzor.

 

 

 

Në pasditen e ditës së tretë protagonistë u benë "Ambasadorët e Paqes", fëmijët nga Zadrima të cilët dhuruan një koncert me këngë e valle për të gjithë të pranishmit. Në fund të koncertit fëmijët lexuan një mesazh paqeje drejtuar Presidentit te Amerikes George Bush dhe gjithë popullit amerikan.
 
 DITA E KATËRT
 
Ishte zv.Ambasadori Gjeman Z. Martin Frich i cili hapi punimet e ditës së katert të Konferencës Ndërkombëtare te Paqes. Tema e kësaj dite ishte roli i kulturës për Paqen. Në ligjeraten e tij: "A mund te jenë Kultura dhe Arti promotor të Paqes" ai theksoi se çelësi për të pasur paqë qendron tek komuikimi, pra duhet të kuptojmë njeri tjetrin dhe arti mund të jetë promotor i paqes për ata që e kuptojnë. Pastaj ai duke iu përgjigjur pyetjeve të të rinjve ai shpjegoi rrugën që mund të ndiqet nga kultura për të arritur tek paqja.
Ndërsa duke folur mbi eksperiencen e tij 11 vjeçare në vënde si Afrika, Nikaragua dhe Irlanda duke punuar për paqen, Prof. Josef Fraise i Universitetit te Kelnit Gjermani vuri theksin mbi rëndësinë e luftës ndaj etnoçentrizmit. Ai bëri dallimin mes edukumit të përgjithshëm dhe fondamentalizmit. Përfaqësuesja e Komunitetit Papa Giovani XXIII, Kristina, solli eksperiencën me fëmijët e braktisur që tani jetojnë në Komunitetin e tyre.

 

 

Një kopësht Botanik i krijuar brënda Fshatit te Paqes. Mbi këtë foli Prof. Ahmet Osja duke thënë se janë rreth 470 lloje bimësh si pasuri e këtij Kopshti Botanik.
Intinerar Kulturor quhej vizita turistike e bërë nga të pranishmit në zhvillimin e Konferencës ne pika të ndryshme turistike të qytetit te Shkodres. Vizita që filluan me shtëpinë e Oso Kukës dhe mbaruan në Kalane Rozafat.
Workshopet në këtë ditë vazhduan me murales dhe nje grup i trajnuar nga Prof. Josef Fraise trajtoi temen "Koncepti i Komunikimit Ndërkulturor".
Me shfaqjen e një teatri kukullash u mbyllen dhe punimet e ditës së katërt të Konferencës Ndërkombëtare të Paqes.
 
 DITA E PESTË
 
Zef Preçi, Drejtor i Institutit te Studimeve Ekonomike ne Shqiperi hapi punimet e ditës së fundit duke trajtuar në ligjeratën e tij temën "Roli i ekonomise tek Paqja". Ai solli eksperiencën e tij si ish-Minister i Ekonomise, foli mbi situatën ekonomike në Shqipëri këto 10 vitet e fundit. Mbi rëndësinë e Fshatit te Paqes foli Mons. Giampaolo Crepaldi Sekretar i Pontificio Consiglio Giustizia  e Pace. Ai iu drejtua të rinjve duke i thënë se ka disa rrugë nëpër të cilat duhet të kalojë krijimi i një klime paqeje.
Duke shprehur kënaqësinë e të qënit në mes të rinjve nga vende të ndryshme të Ballkanit e që po jetonin së bashku, Presidenti i Assisi Pax Internaional, At Gianmaria Polidoro u ndal tek strategjitë e këtij projekti.
Mbasdite të rinjtë nga vënde të ndryshme si dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë Konferencë u mblodhën në qëndër të qytetit të Shkodrës ku filluan marshimin drejt Fshatit të Paqes. Marshimit drejt Fshatit te Paqes rruges iu bashkangjitën dhe shumë qytetarë shkodranë duke dhënë mendime apo meditime mbi Konferencën e Paqes. Nje lutje ndërfetare e thënë nga të rinjte e besimeve te ndryshme mbylli dhe Marshimin e Paqes.

 

 

Në Asamblenë përfundimtare në darkë të rinjtë dhane idetë dhe mendimet e tyre mbi Konferencën e mbi te ardhmen si dhe mundesitë e bashkëpunimit që mund të krijohen.
Aktivitetet nuk mbarojnë këtu tha At Mario Baglio i cili duke përshendetur pjesëmarrësit dhe duke i falenderuar ata shtoi se ne do te takohemi përsëri pasi kemi mjaft për të bërë sëbashku.