Mbi zhvillimin e Konferencës së Dyte Ndërkombëtare për Paqen
 
Është zhvilluar në ambjentet e Fshatit të Paqes në Shkodër nga datat 21 – 25 shtator 2003 Konferenca e Dytë Ndërkombëtare për Paqen me temë “Si Nënë Tereza, me dhe për më të varfërit në mes të varfërve”. Kjo iniciativë  është organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, Shtëpia e Paqes, Qendra Drejtësi dhe Paqe si dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Të pranishëm gjatë pesë ditëve të Konferencës ishin rreth 120 të rinjë përfaqësues të besimit katolik, atij mysliman si dhe atij ortodoks nga zona të ndryshme të Shqipërisë si dhe të rinj nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Italia dhe Franca.
 
Tema e ditës së parë të Konferencës ishte; Nënë Tereza mësuesja e jetës. Pas përshëndetjeve të Arqipeshkvit Metropolit të Shkodrës Mons. Angelo Massafra  ndoqën përshëndetjet e Myftisë së Shkodrës, të Popit Ortodoks të Shkodrës si dhe të Prefektit të Shkodrës dhe të Konsullit Italian në Shkodër. Në vazhdim kanë folur disa motra të Nënë Terezës duke treguar momente nga jeta e saj përkushtuar Zotit. Gjatë pasditës janë zhvilluar workshopet ku të rinjtë të ndarë në grupe të ndryshme kanë trajtuar temën “Jeta është jetë, mbroje atë”. Në darkë të rinjtë kanë organizuar momente argëtimi.
 
Në ditën e dytë të Konferencës tema ishte “Nënë Tereza Ambasadore e Paqes (çmimi Nobel për Paqen)”. Relatorë të kësaj dite ishin vëlla Richard, vëlla Kurtis dhe vëlla Subash të cilët përmendën rëndësinë që Nënë Tereza i kushtonte jetës, dedikimin ndaj Zotit dhe krijesave të tij. Me fjalët e Nënë Terezës “Jeta është e çmuar, kujdesu për të” ata treguan mbi vendosmërinë qe kishte për të ndihmuar të gjithë pa kursyer asgjë nga vetja e saj. Ka vazhduar gjatë pasdites puna e të rinjve në grupe me temat: “Paqja është jetë”, “A e sjellë lufta paqen” si dhe “Veprat e dashurisë janë vepra paqe”. Pasdite është zhvilluar edhe një koncert i përgatitur me fëmijët nga Zadrima “Ambasadorë të Paqes”.
 
I ftuar për të referuar në ditën e tretë të Konferencës ishte Don Pren Kola, i cili ka shkruar dhe një libër mbi Nënë Terezën. Tema e ditës ishte “Nënë Tereza dhe Jezu Krishti”, kjo ishte  dhe tema që udhëhoqi workshopet gjatë pasdites.
 
Në ditën e katërt, tema kryesore ishte: “Nënë Tereza dhe marrëdhëniet ndërfetare”. Të pranishëm në këtë ditë si relatorë ishin përfaqësuesit e tre besimeve kryesore në Shkodër si Arqipeshkvi Mons. Angelo Massafra, Popi Ortodoks Atë Aleksandër Petani si dhe Myftiu i Shkodrës Z. Haxhi Bashkim Bajraktari. Përfaqësuesit e besimeve fetare duke iu referuar dhe shembullit të jetës së Nënë Terezës dhe fjalëve të saja kur thotë “Jam e kënaqur nëse një budist është një budist i mirë, një i krishterë është një i krishterë i mirë, një mysliman është një mysliman i mirë”. E veçanta e kësaj dite dhe ndoshta e të gjithë Konferencës ishte prania në sallë e Kardinalit Maria Martini i cili përshëndeti punimet e Konferencës. Gjatë pasdites të rinjtë e mbledhur në grupe vazhduan diskutimet me të njejtën temë mbi rolin e Nënë Terezës dhe marrëdhëniet ndërfetare. Në mbrëmje është organizuar Festa e Popujve, në të cilën përfaqësues të grupeve të ndryshme kanë prezantuar disa momente artistike dhe zbavitëse të vendit që përfaqësonin.
 
Konferenca ka përfunduar ditën e pestë të saj me zhvillimin e Asamblesë Përfundimtare dhe me disa vizita tek fëmijët jetime, tek azili si dhe tek disa shtëpi - familje duke kujtuar edhe një herë fjalët e Nënë Terezës kur thotë “Jam lapsi i Zotit që të mbjellim paqen dhe lumturinë!”. Të rinjtë pjesëmarrës në këtë Konferencë Ndërkombëtare të Paqes duke ndarë me njëri tjetrin këtë shembull të shkëlqyer jete të Nënë Terezës japim mesazhin tonë për Paqen dhe bashkimin e njerëzve.  Duke pranuar  ndryshimet tona ne bashkohemi në ftesën e Nënës, për një botë me dashuri, për një botë me shpresë, për një botë të aftë të mbajë të gjithë njerëzit ashtu si një nënë mban fëmijën e vet në krahë, ashtu si Nënë Tereza mbante nevojtarët.