TËRHEQJA NËNTOR 2016

(Imzot Angelo Massafra)

11/11/2016

 

Me tërheqjen shpirtërore të muajit të kaluar jemi përgatitur më nga afër për ngjarjen e Lumnimit të Martirëve tanë, gjë për të cilën ende falënderojmë Hyjin dhe falënderojmë njëri-tjetrin për çka kemi ditur dhe mundur të bëjmë. Ka qenë një ngjarje hiri që u është shtuar të gjitha të tjerave që Zoti na ka dhënë në këtë vit të Mëshirës.

Jubileu po shkon drejt mbylljes dhe me këtë tërheqje shpirtërore po përgatitemi drejtpërdrejt për atë që është jo fundi i një viti, por fillimi i një rrugëtimi të ri që na pret pasi kemi reflektuar gjatë, jemi lutur dhe kemi bërë përvojën personale e bashkësiore të një hiri kaq të madh.

Të shumta kanë qenë ndërhyrjet e Papa Françeskut në lidhje me këtë temë të Mëshirës, qoftë nëpërmjet dokumenteve zyrtare qoftë në fjalimet e mbajtura për kategoritë e ndryshme që në Shën Pjetër apo gjetiu kanë jetuar momentin e tyre jubilar. Le të marrim ndihmë në mënyrë të veçantë prej disa fjalive të Atit të Shenjtë mbi këtë temë, nga njëra anë për të verifikuar vitin tonë jubilar dhe nga ana tjetër për të rikaliburuar ecjen që na takon të bëjmë që prej këtij momenti e më tutje.

 

Na bën përshtypje qëndrimi i Jezusit: nuk dëgjojmë fjalë përbuzjeje, nuk dëgjojmë fjalë dënimi, por vetëm fjalë dashurie, mëshire, që ftojnë në thirrje” (Angelus i parë i Papa Françeskut, e diel, 17 mars 2013).

Vuajtja e tjetrit përbën një thirrje në kthim, sepse nevoja e vëllait më kujton brishtësinë e jetës sime, varësinë time prej Hyjit dhe prej vëllezërve” (Mesazhi për Kreshmët 2015)

 

Jezusi zbulues i fytyrës së mëshirshme të Atit ka qenë absolutisht interpretuesi i parë i kësaj cilësie të Hyjit që, siç thotë shenjtja Faustina, është më e madhja cilësi; sepse është e lidhur drejtpërdrejt me konceptin e gjithëpushtetësisë. Siç thotë një prej prefacioneve të pajtimit, “Ti e dëfton gjithëpushtetësinë tënde sidomos në hirin e faljes”.

Ndërsa, sa shpesh jemi të tunduar të bëjmë që të mbizotërojë fuqia jonë duke gjykuar për të dënuar, duke harruar qortimin e Jezusit drejtuar atyre që donin të vrisnin me gurë gruan kurorëshkelëse. Pas këtyre mendjemadhësive tona gjendet gjithmonë tundimi i hershëm për të zënë vendin e Hyjit: por ato na zbulojnë një të vërtetë tejet të rëndësishme në lidhje me veten tonë: nuk e njohim Hyjin. Po ta njihnim me të vërtetë do të dinim edhe se si ta imitonim për të qenë si Ai.

Pastaj, është e çuditshme se sa të zotët jemi ta bëjmë veten gjykatës, por vështirë se dimë ta thërrasim në kthim atë që gabon. Qortimi vëllazëror është një prej veprave të mëshirshme të shpirtit, ajo që e praktikojmë me më shumë vështirësi: ndoshta sepse kërkon para së gjithash që të heqim traun që gjenden në syrin tonë para lëmishtes prej syrit të vëllait? Në të vërtetë, çdo thirrje në kthim mund të themi se përbëhet nga një lëvizje qarkore që nis nga unë, arrin tek i afërmi, për t’u kthyer pastaj përsëri tek unë.

Në këtë pikë të vitit jubilar duhet të kemi kuptuar se mbi mua dhe mbi të afërmin tim gjendet Hyji dhe se marrëdhëniet njerëzore mund të jetohen në mënyrë më të drejtë vetëm nëse në vendin e parë vëmë Hyjin.

 

«Shumë herë duket shumë e vështirë të falim! Megjithatë, falja është mjeti i vënë në duart tona të brishta për të arritur kthjelltësinë e zemrës. T’i biem mohit inatit, zemërimit, dhunës dhe hakmarrjes janë kushtet e nevojshme për të jetuar të lumtur» (Misericordiae Vultus).

Falja është një forcë që ringjall në jetë të re dhe jep guxim për ta shikuar të ardhmen me shpresë” (Misericordiae Vultus).

 

Mund të themi se kjo fjali tjetër e Papës vë në dukje aspektin më njerëzor të mëshirës. Edhe po të mos ishim persona fetarë, megjithatë do të ngushëlloheshim prej shkencave njerëzore në lidhje me mirësinë e mëshirës.

Në të vërtetë, të qenët i mëshirshëm i bën mirë para së gjithash atij që e praktikon. Natyrisht, nuk bëhet fjalë të lihet mënjanë drejtësia apo dhimbja që disa padrejtësi shkaktojnë në atë që i pëson, por për “të shkuar përtej”, gjë që përfshin drejtësinë dhe lufton dhimbjen në rrënjë.

E dimë këtë prej mjekësisë: tjetër gjë është të anestetizohet dhimbja, tjetër gjë është të luftohet shkaku i saj. Është e provuar se drejtësia e kuptuar si formë hakmarrjeje nuk e lufton dhimbjen në rrënjë por vetëm e anestetizon atë; ndërsa falja kuron.

Jo vetëm kaç, por Papa na flet për ringjallje të vërtetë, pra për një jetë të re, të shndërruar, që nuk ka aspak lidhje me jetën e mëparshme: një kalim i Detit të Kuq të ekzistencës sonë që hap ndaj mundësive të reja, më parë të pashpresuara.

Le të mendojmë për situatën tonë lokale: sa do të duhej të vuanim ende sikur inati  të na bllokonte në të kaluarën e përndjekjes së pësuar nga Kisha shqiptare. Por kemi zgjedhur të falim dhe të ecim përpara. Dhe ashtu si për Martirët tanë fjalët e faljes u kanë hapur atyre rrugën për në Parajsë, po ashtu për ne qëndrimi ndaj faljes është një mundësi konkrete rilindjeje dhe zhvillimi për fenë. Edhe për ne është koha të ecim përpara dhe të kemi me të vërtetë për zemër zhvillimin e fesë dhe përhapjen e Mbretërisë në këtë tokë me energji të reja që lindin prej shpirtrave të pajtuar dhe të paqesuar.

 

Të kesh një zemër të mëshirshme nuk do të thotë të kesh një zemër të dobët. Ai që dëshiron të jetë i mëshirshëm ka nevojë për një zemër të fortë, të qëndrueshme, të mbyllur ndaj tunduesit, por të hapur ndaj Hyjit” (Mesazhi për Kreshmët 2015).

Sa shumë dëshiroj që […] famullitë tona dhe bashkësitë tona në veçanti, të bëhen disa ishuj mëshire në mes të detit të mospërfilljes!” (Mesazhi për Kreshmët 2015).

 

Tani, në mënyrë më konkrete, gjithmonë të ndihmuar nga Papa Françesku, le ta aplikojmë mëshirën në jetën personale dhe atë të bashkësive tona.

Nëse ju kujtohet, tërheqja e parë e vitit të kaluar me të cilën patën përuruar vitin e mëshirës, ishte e bazuar pikërisht në të qenë të mëshirshëm me vetveten, një seri reflektimesh që synonin të punonin terrenin në të cilin pastaj Zoti do të mund të punonte në ne gjatë këtij viti. Dhe patëm thënë se mënyra për të qenë të mëshirshëm me vetveten është ajo që t’i japim vetes atë që është e mirë dhe na bën mirë, duke shmangur gjithçka që mund të na shqetësojë. Në këtë logjikë fjalia e Papës që, duke mohuar opinionin e përgjithshëm se ai që është i mirë është edhe i dobët, vë në dukje se të jemi të mirë dhe të mëshirshëm kërkon pikërisht një forcë shpirtërore jo të vogël që na lejon t’i mbyllemi së keqes për t’iu hapur së mirës.

Nuk e di se sa prej nesh ia kanë dalë mbanë këtë vit që t’i japin përparësi këtij aspekti të mëshirës ndaj vetvetes dhe praktikimit të virtytit të forcës, por në një kontekst si ai që jemi duke jetuar i një tërheqjeje shpirtërore, mund të shfrytëzojmë rastin për ta verifikuar veten ndershmërisht përpara Hyjit si dhe të marrim përsipër seriozisht këtë angazhim që do të shërbejë gjithmonë në jetën tonë.

Përndryshe si do të jetë e mundur të realizojmë dëshirën e Atit të Shenjtë për t’i parë famullitë tona dhe bashkësitë tona rregulltare të jenë “ishuj të mëshirës në mes të detit të mospërfilljes”? Ia kujtoj vetes dhe ju qortimin e shenjtes Katerinë nga Siena drejtuar zotërinjve të Sienës, të cilëve u thoshte se është e pamundur të drejtosh në punët tokësore nëse nuk ke më parë aftësinë për të drejtuar vetveten. Por edhe Seneka kishte thënë më parë: “Imperium sibi, maximum imperium est”, drejtimi i vetvetes është forma më e madhe e drejtimit.

Mospërfillja!!! Një vepër e madhe mëshire që mund të kryejmë ndaj kësaj botës sonë si bashkësi famullitare dhe rregulltare është pikërisht ajo që t’i rizgjojmë shpirtrat prej mospërfilljes në të cilën kanë rënë prej prirjes së shoqërisë aktuale. Dikur luftohej për parimet, por të paktën luftohej! Sot kjo nuk është më dhe mospërfillja mbretëron sovrane.

Papa Françesku ka thënë se duhet të kalojmë nga globalizimi i mospërfilljes në globalizimin e solidaritetit. Vëmendja ndaj diçkaje gjithmonë nxitet nga një nevojë. E kemi ne për detyrë që të dallojmë, para së gjithash për veten tonë e pastaj për besimtarët tanë, nevojën për Hyjin dhe për përshpirtërinë që fshihet në fund të zemrës, por së cilës mjerisht i jepet përgjigje me plotësimin e të tjerave të ashtuquajtura nevoja që shkojnë duke e zëvendësuar atë; dhe zakonisht bëhet fjalë për nevoja diametralisht të kundërta.

 

Mesazhi i Mëshirës Hyjnore përbën pra një program jete shumë konkret dhe kërkues sepse përfshin disa vepra” (Mesazhi për Ditën Botërore të Rinisë 2016).

Le të rizbulojmë veprat e mëshirshme” (Misericordiae Vultus).

 “Nuk mund të jetojmë pa e falur njëri-tjetrin, ose të paktën nuk mund të jetojmë mirë, sidomos në familje” (Audienca e përgjithshme, 4 nëntor 2015).

 “Mëshira në të cilën jemi të thirrur përqafon gjithë botën e krijuar, që Hyji na e ka besuar që të jemi rojtarë të saj, dhe jo shfrytëzues apo, edhe më keq, shkatërrimtarë” (Audienca e përgjithshme, 28 tetor 2015).

 

Pika e fundit e reflektimit është ftesa shumë e fortë e Papës për të drejtuar gjithçka nga Mëshira dhe për të qenë shumë praktikë në të, derisa ta bëjmë atë programin tonë të jetës.

Sigurisht, u kemi folur gjatë e gjerë për të besimtarëve tanë, por praktikimi i mëshirës mbetet gjithmonë objektivi ynë parësor. Prej kësaj varet të qenët tonë “kripë e tokës dhe dritë e botës”. Nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin të mendojmë se të folurit për mëshirën është i mjaftueshëm. Kemi nevojë për praktikën që të ulemi në gjunjë.

Kemi folur tashmë për jetën tonë personale dhe për atë të bashkësive tona famullitare dhe rregulltare. Por bota nuk kufizohet me ne: atje jashtë, në periferitë, siç i quan Papa Françesku, gjendet një gjithësi e cila duhet zbuluar dhe një mbretëri që duhet realizuar, të varfër që presin ftesën për t’u ulur në tryezën e mbretërisë, të pikëlluar që presin të ngushëllohen, të uritur për drejtësi që dëshirojnë të ngihen. Sa persona të etur për hakmarrje presin ende të vizitohen, të kontaktohen dhe të ungjillëzohen për të bërë hapin që kanë bërë Martirët tanë: pajtimin me vetveten dhe faljen ndaj të tjerëve… edhe pse vrasës!

Kemi në duar pak bukë dhe vetëm dy peshq, por hiri i Hyjit që jep ushqimin nuk do të mund të arrijë tek askush përveçse me duart tona në lëvizje për të bashkëndarë.

Le t’i kujtojmë angazhimet që kemi marrë përsipër me kushtimin tonë meshtarak e rregulltar dhe le t’ia pohojmë përsëri Hyjit gatishmërinë tonë që të jemi “bukë” për t’u thyer.

Shenjtja Terezë e Kalkutës, nënë në mënyrë të posaçme… që e ka dashur me gjithë zemër nevojtarin, dhe 38 martirët tanë le të jenë modele për përtëritjen e jetëve tona personale, meshtarake dhe bashkësiore.

Zoti na bekoftë dhe na dhashtë GËZIMIN e zemrës e të jetës për të qenë një lavd i gjallë ndaj tij përpara botës.