Përshendetja drejtuar Asamblesë së Kshel
Përshëndetja e Imzot Angelo Massafra
(Tiranë, 10/05/2014, ora 9.30)


                                             
Ju të gjithë të pranishëm, të mbledhur në këtë Asamble, ju drejtoj përshëndetjen time më të përzemërt dhe ju uroj që të mund të ktheheni në bashkësitë tuaja e në veprimtaritë tuaja të ndryshme të nxitur për ta vazhduar ecjen tuaj apostolike e ungjillëzuese. Një përshëndetje të veçantë u drejtoj Eproreve dhe Eprorëve të Kongregatave Rregulltare të pranishme në Shqipëri, veçanërisht atyre të ardhur nga jashtë për këtë takim.
Falënderoj organizatorët e kësaj Asambleje, veçanërisht Presidentin e KSHEL, Atë Giovanni Peragine, që e kryen këtë përgjegjësi me shumë angazhim e përkushtim. Faleminderit, Atë Giovanni.
Tema e Asamblesë është “Që të jenë një”: Rregulltarët dëshmitarë të bashkimit, një temë shumë e bukur, që duhet ta kemi për zemër të gjithë ne, dhe që na kthen te Çenakulli ku Jezusi bashkë me nxënësit e tij i drejtohet Atit të vet pikërisht me këto fjalë: “20 O Atë i shenjtë! Ruaji në Emër tënd ata që ti m’i dhe që të jenë një sikurse ne!” (Gjn 17,11b). E përsëri, “Nuk po të lutem vetëm për këta, por edhe për të gjithë ata, që, për shkak të fjalës së tyre, do të besojnë në mua: 21që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, që ta kuptojë bota se ti më dërgove”.
Shën Pali, në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, kap. 12, na kujton se “4Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë; 5edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë   6 po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë   Ai bën gjithçka në të gjithë. 7 Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët”.
Edhe Papa Françesku, në audiencën e 19 qershorit 2013, ndalet në natyrën e Kishës, e duke cituar Lumen Gentium, 7, thotë se “Kisha është Trupi i Krishtit”. Pastaj shton duke thënë se “shëmbëlltyra e trupit na ndihmon ta kuptojmë këtë lidhje të thellë Kisha-Krishti. Para së gjithash trupi na kujton një realitet të gjallë. Kisha nuk është një shoqatë asistenciale, kulturore apo politike, por është një trup i gjallë, që ecën dhe vepron në histori. Dhe ky trup ka një krye, Jezusin, që e drejton, e ushqen dhe e mban”. Papa thekson duke thënë: “Nëse ndahet kryet prej pjesës tjetër të trupit, krejt personi nuk mund të mbijetojë. Kështu është në Kishë: duhet të mbetemi të lidhur në mënyrë gjithnjë e më të fortë me Jezusin. Por jo vetëm kjo: ashtu sikurse në një trup është e rëndësishme që të kalojë limfa jetësore në mënyrë që ai të jetojë, po kështu duhet të lejojmë që Jezusi të veprojë në ne, që Fjala e tij të na udhëheqë, që prania e tij eukaristike të na ushqejë, të na frymëzojë, që dashuria e tij t’i japë forcë dashurisë sonë për të afërmin. Dhe kjo gjithmonë! Gjithmonë, gjithmonë! Të dashur vëllezër e motra, le të mbetemi të bashkuar me Jezusin, le t’i zëmë besë Atij, le ta drejtojmë jetën tonë sipas Ungjillit të tij, le të ushqehemi me lutjen e përditshme, dëgjimin e Fjalës së Hyjit, pjesëmarrjen në Sakramentet”.
Pastaj Papa Françesku, duke marrë fjalët e Sh. Palit, thotë: Shën Pali pohon se ashtu sikurse gjymtyrët e trupit njerëzor, megjithëse të ndryshme e të shumta, formojnë një trup të vetëm, po ashtu edhe të gjithë ne që jemi pagëzuar nëpërmjet një Shpirti të vetëm në një trup të vetëm (krh. 1 Kor 12,12-13). Pra, në Kishë ka një larmi detyrash e funksionesh; nuk ka një njëformësi të rëndomtë, por ka një pasuri dhuratash që i jep Shpirti Shenjt. Por ka bashkim e njësi: të gjithë janë në marrëdhënie me njëri-tjetrin dhe të gjithë ndihmojnë për të formuar një trup të vetëm jetësor, thellësisht të lidhur me Krishtin. Le ta kujtojmë mirë këtë: të jemi pjesë e Kishës do të thotë të jemi të bashkuar me Krishtin dhe të marrim prej Tij jetën hyjnore që na bën të jetojmë si të krishterë, do të thotë të qëndrojmë të bashkuar me Papën e me Ipeshkvinjtë që janë mjete të njësisë e të bashkimit, dhe do të thotë edhe të mësojmë të kapërcejmë personalizmat e ndarjet, ta kuptojmë njëri-tjetrin më shumë, të harmonizojmë larmitë e pasuritë e secilit; me një fjalë, të duam më shumë Hyjin dhe personat që i kemi afër, në familje, në famulli, në shoqata. Trupi e gjymtyrët, për të jetuar, duhet të jenë të bashkuar! Njësia qëndron më lart se konfliktet, gjithmonë! Konfliktet nëse nuk zgjidhen mirë, na ndajnë mes nesh, na ndajnë prej Hyjit. Konflikti mund të na ndihmojë të rritemi, por edhe mund të na ndajë. Të mos shkojmë në rrugën e ndarjeve, të luftërave mes nesh! Të gjithë të bashkuar, të gjithë të bashkuar me ndryshimet tona, por të bashkuar, gjithmonë: kjo është rruga e Jezusit. Njësia qëndron më lart se konfliktet. Njësia është një hir që duhet t’ia kërkojmë Zotit që të na lirojë prej tundimeve të ndarjes, të luftërave mes nesh, të egoizmave, të llafeve. Sa keq bëjnë llafet, sa keq! Të mos llafosim kurrë për të tjerët, kurrë! Sa dëm i shkaktojnë Kishës ndarjet mes të krishterëve, të qenët të njëanshëm, interesat meskine!”

    Duke dëgjuar fjalët e Papës sonë, le të ecim përpara, të mos lejojmë që vështirësitë të na pengojnë të ecim, por të ecim përpara, me guxim e shpresë, së bashku në Kishë dhe për Kishën, në vazhdën e “Martirëve” tanë dhe gjithmonë në dialog plot respekt me Ortodoksët e Myslimanët. Kjo është rruga e Jezusit.
Më lejoni të theksoj diçka që e kam veçanërisht për zemër:
1.    Faleminderit Zotit dhe faleminderit pranisë e angazhimit misionar të Kongregatave femërore e mashkullore si dhe të Meshtarëve Fidei donum, Kisha në Shqipëri ka arritur aty ku është sot.
2.    Falënderoj Zotin edhe për thirrjet që kemi, jo të shumta e sigurisht ende jo të mjaftueshme për nevojat e Dioqezave tona.
3.    Mendoj se është e rëndësishme, pra, t’i vlerësojmë ato që kemi: duke i formuar mirë shpirtërisht, profesionalisht e intelektualisht për format e ndryshme të baritores, dhe sipas karizmës.
4.    Duke falënderuar ata që janë të angazhuar në formimin e thirrjeve të reja, një detyrë shumë e bukur, por po aq e vështirë; i ftoj Nënat e Përgjithshme, provinciale e lokale që t’i bëjnë të marrin pjesë Juniores-et në nismat formuese që bëhen së bashku këtu në Shqipëri... për 3 po 4 herë në vit. Është e nevojshme të dimë t’i lëmë veprimtaritë e zakonshme për formimin, një nevojë sine qua non, për të pasur rregulltare të njëmendta. Ky formim ndërkongregacional i ndihmon Juniores-et që të kenë një njohje më të madhe të ndërsjellë, edhe për një bashkëpunim më të madh në baritore dhe në veprimtari të tjera. Këtu më vjen në mend një histori e vogël.
Edukatorja e kopshtit u shpjegon me durim nxënësve të vet të vegjël se në këtë botë të gjithë duhet të punojnë. “Të gjithë të gjithë?”, pyet Evelina, 4 vjeçe. “Epo, gati të gjithë”, përgjigjet edukatorja. “Atëherë, unë kur të rritem do të bëj ‘gati’”, përfundon fëmija.
Në rastin tonë, ne nuk duam “gati Motra”, por MOTRA, të formuara mirë, të përgatitura, të përgjegjshme, të angazhuara, zemërgjera. Do t’u lutesha Eproreve që t’i shmangin me to format e tepruara të rreptësisë, e mundësisht t’i fuqizojnë këtu në Shqipëri, ku aktualisht kemi shumë nevojë dhe kur të kemi shumë, do t’ia dhurojmë gjithë botës…
    Këtu po shtoj edhe një këshillë: kur dërgohet një Rregulltar apo një Rregulltare për të studiuar e për t’u specializuar, do të ishte mirë të flitet e të bihet dakord me Atë Mario Imperatorin, drejtor i Institutit Filozofik e Teologjik, që një të nesërme të mund të kemi një korpus mësimdhënës shqiptar...
5.    Një tjetër pikë që e kam veçanërisht për zemër është angazhimi me të rinjtë. Është me siguri një fushë e vështirë dhe delikate, por duhet të bëjmë çdo përpjekje për të investuar energjitë tona më të mira, natyrisht, pa lënë pas dore sektorët e tjerë, me adoleshentët dhe të rinjtë. Le të angazhohemi të punojmë në mënyrë më të koordinuar dhe të hapur. Çdo bashkësi do të duhej të ishte një pikë takimi dhe formimi për fëmijë, adoleshentë dhe të rinj... Duhet të dimë të humbim kohë me dhe për fëmijët e të rinjtë.
Duke përfunduar, i falënderoj përsëri prej zemrës të gjithë Rregulltarët e Rregulltaret për praninë tuaj dhe për veprimtaritë e shumta që zhvilloni në shumë sektorë. Faleminderit për ungjillëzimin që bëni me fjalën e sidomos me dëshminë e jetës suaj. Jeni një dhuratë e çmueshme për Kishën, e në veçanti për Kishën e Shqipërisë. Hyji ju bekoftë!