MËSHIRA NDAJ VETVETES

 


Ftesa në mëshirë që Jezusi na drejton në Ungjill vihet menjëherët në marrëdhënie me atësinë e Hyjit.
“Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm” (Lk 6,36).

Pra, bëhet fjalë për një thirrje të qartë në identitetin e të krishterit: që të mund ta mishërojmë këtë qëndrim karakteristik të Hyjit në jetën tonë ka rëndësi themelore të reflektojmë para së gjithash mbi identitetin tonë si bij, që pastaj të marrim edhe atë që është identiteti përkatës i Atit.
Nuk është gjë e dobishme ta supozojmë atësinë e Hyjit ndaj nesh, për të mos rrezikuar që ta supozojmë edhe bijësinë tonë. Në lidhje me këtë, janë me të vërtetë të shumta pjesët e BR që na përforcojnë në këtë të dhënë thelbësore të fesë sonë.

 “Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë e Hyjit” (Mt 5,9).

 “Për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët” (Mt 5,45).

 “Por ju duajini armiqtë tuaj, bëni mirë e huazoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Këshdo do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve” (Lk 6,35).

 “…as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit” (Lk 20,36).

 “…atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij…” (Gjn 1,12).

 “…Sepse bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit” (Rom 8,14).

 “Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi bijtë e Hyjit” (Rom 8,16).

 “E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit…” (Rom 8,19).

 “…Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet na skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit” (Rom 8,21).

 “E, ngaqë vërtet jeni bij: Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: «Abba, o Atë»” (Gal 4,6).

 “Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet” (Ef 1,5).

 “Përngjajini Hyjit porsi bij të dashur dhe jetoni në dashuri” (Ef 5,1).

 “…dhe e harruat qortimin e Zotit që ju drejtohet si bijve:
«Biri im, mos e përbuz qortimin e Zotit,
as mos të të lëshojë zemra kur ai të qorton,
sepse atë që e do Zoti e edukon me disiplinë,
e frushkullon atë që e pranon për bir»” (Heb 12,5-6).

 “Hiqni keq për edukimin tuaj! Hyji sillet me ju si me bij. Dhe, a ka djalë të cilin i ati nuk e edukon me disiplinë? Në qoftë se nuk ndëshkoheni siç ndëshkohen të gjithë bijtë e tjerë, atëherë nuk jeni bij të vërtetë, por të paligjshëm” (Heb 12,7-8).

 “Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë” (1Gjn 3,1).

 “Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet e tij” (1Gjn 5,2).

Por, pasi ta kryejmë këtë kalim-bindje për identitetin tonë si bij, duhet të shkojmë përtej dhe t’i bëjmë tonat edhe qëndrimet e këtij Ati të cilat përmbahen në ADN-në tonë si bij. Kjo do të thotë se duhet të jemi të pranishëm për vetveten, ta sodisim vetveten si bij të dashur, ta shohim veten ashtu sikurse vetë Hyji na shikon, ta duam veten ashtu sikurse vetë Hyji na do.

E dimë, por është mirë t’ia përsërisim vetes: Hyji do me dashuri të amshueshme dhe të pafundme (Jer 31,3); e tija është ëmbëlsia e Atit dhe e Nënës njëkohësisht (Ps 102,13): një dashuri prej së cilës barku i tij dridhet (Is 49,15); dhe zemra e tij preket brenda tij (Jer 31, 20). Një dashuri kaq e madhe nuk mund të të lërë mospërfillës: kërkon që të soditet, meditohet, shijohet (Ps 33,9). Mund ta bëjmë këtë përjetim soditës në çfarëdo momenti, si atëherë kur gëzohemi prej ngjarjeve të bukura, ashtu edhe kur ndihemi të sakatuar prej atyre të trishtuara.

Shën Agustini e shpreh shumë mirë këtë të vërtetë kur thotë: "Së fundi, a ka gjë më të mëshirshme se sa vetë Zoti, i cili bën që të lindë dielli i tij mbi të mirët e mbi të këqijtë dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët dhe që, megjithatë, shpesh jo vetëm i ndreq mëkatarët me frushkullin e urisë, por vë në provë edhe durimin e të drejtëve, duke i bërë ata të provojnë të njëjtën përvojë? Apo mos nuk ishte i mëshirshëm ndaj Palit apostull, pikërisht ai që me urinë, të ftohtët dhe lakuriqësinë e bënte të fortë atë luftëtar, duke e qortuar si një atë, apo a nuk indinjohej prej popullit të Izraelit sepse, kur ky kishte dëshiruar mishin, e kishte mbushur me zogj fushimin e tyre? Këto të mira tokësore e të kalueshme shpesh jepen si ndëshkim për ata të cilëve u jepen, dhe shpesh mohohen për dobinë e tyre: shpesh Hyji i heq kur është dashamirës dhe i jep kur është i zemëruar ose, përkundrazi, shpesh dashamirës i jep dhe i zemëruar i heq, sipas asaj se si e konsideron gjykimi tejet i urtë i atij që vendos" (Predikimi 350 D). Me fjalë të tjera, ëmbëlsia atërore dhe amënore e Hyjit shprehet herë duke ua dhënë e herë duke ua mohuar atë që mund t’u bëjë mirë apo keq bijve të tij.
Soditja e kësaj dashurie, së bashku me shqyrtimin e të qenit tonë bij, na ndihmon të bëjmë tonën të njëjtën ëmbëlsi të Hyjit ndaj nesh. Në të vërtetë, edhe ne, duke e dashur veten, mbushemi me të njëjtën ëmbëlsi, e kemi veten për zemër për t’i dhënë vetes atë që është e mirë dhe për t’i mohuar vetes atë që është e keqe.

Së fundi, duhet të mendojmë se i vetmi metër i vënë prej Jezusit dashurisë ndaj të afërmit është dashuria për vetveten (Mt 19,19).

Një fjalë e urtë e vjetër thotë se njeriu me ndërgjegje të keqe ashtu siç bën ashtu mendon; dhe kjo jo vetëm në lidhje me mendimin që i paraprin çdo veprimi, por edhe me mbrapshtinë që është në ne në momentin në të cilin mendojmë keq për të tjerët. Jo vetëm kaq, por rregulla e artë që na ka lënë Jezusi (Mt 7,12; Lk 6,31) e vë edhe të mirën e dëshiruar për vetveten si masë të së mirës që duhet t’ia ofrojmë faktikisht të afërmit.


Disa rrjedhoja për personat e kushtuar
1.    Një meshtar apo i kushtuar/e kushtuar i mëshirshëm me vetveten është para së gjithash një person soditës, pra i aftë ta lexojë veten përditë në dritën e atësisë / amësisë së Hyjit.

2.    Kur një meshtar apo një i/e kushtuar është i mëshirshëm me vetveten është asket, pra i aftë të lirohet nga gjithçka që e bën të humbasë ndjenjën e identitetit të vet (marrëdhëniet, zakonet, veprimtaritë, jeta e botës, etj.).

3.    Një meshtar apo një i/e kushtuar është i mëshirshëm me vetveten në momentin në të cilin i dhuron vetes atë që i bën mirë identitetit të tij (lectio e përditshme, urata e vazhdueshme, adhurimi, ndërmjetësimi, studimi dhe thellimi i përshpirtërisë së cilës i përket, formimi dhe specializimi në shërbesën që është i thirrur të kryejë, pjesëmarrja në tërheqjet mujore, etj.).

4.    Së fundi, i mëshirshëm me vetveten është ai meshtar apo i/e kushtuar që lejon të bëhet objekt i mëshirës nga ana e Hyjit (sakramenti i pajtimit, rishikimi i jetës, etj.) ashtu edhe nga ana e bashkëvëllezërve (dialogu, qortimi vëllazëror, etj.).

 

+ Angelo Massafra