HOMELI PER DITEN DIOQEZANE RINORE
SHKODER, 16/04/2016
(Imzot Angelo Massafra – Arqipeshkëv)

 

Qoftë Lëvduar Jezu Krishti!

Të dashur Meshtarë, Rregulltarë dhe Rregulltare,
Shumë të dashur miq,

Para së gjithash ju falënderoj që keni ardhur sot në numër kaq të madh. Është bukur kur kemi mundësinë të dalim prej vendeve tona të jetës së përditshme për të bërë përvojën e takimit. Dhe është bukur që ky takim të realizohet me persona që, sikurse ne, bashkëndajnë të njëjtat ideale, të njëjtat aspirata, të njëjtat shpresa.
Sot jemi këtu si persona që e njohin veten në të vetmen fe, në atë të Jezusit, të Ringjallurit të Mëshirshëm: së bashku bashkëndajmë dashurinë tonë për Të dhe, në Të e mbështesim besimin tonë. A e dini? Nuk është e lehtë të kemi besim në dikë. Sa herë besimi ynë është tradhtuar! Sa herë kemi bërë përvojën e hidhur të zhgënjimit! Është e lehtë, nganjëherë, që në marrëdhëniet afektive të miqësisë apo të dashurisë të mbetemi të zhgënjyer. Por për një gjë mund të jemi të sigurtë: Jezusi nuk zhgënjen kurrë! Ai i mban premtimet e veta. E, edhe për këtë jam i gatshëm të vë bast se të paktën një herë në jetën e secilit prej nesh është paraqitur mundësia për të përjetuar besnikërinë e Hyjit dhe dashurinë e tij të madhe.
E, nëse nuk është kështu, sot kemi mundësinë ta bëjmë këtë përvojë. Papa Françesku, në Mesazhin e dërguar ju të rinjve me rastin e Ditës Botërore të Rinisë, thotë: “Ndoshta dikush prej jush ka një peshë në zemrën e vet dhe mendon: Kam bërë këtë, kam bërë atë... Mos kini frikë! Ai ju pret! Ai është atë: na pret gjithmonë! Sa bukur është të takojmë në sakramentin e Pajtimit përqafimin e mëshirshëm të Atit, ta zbulojmë rrëfyestoren si vend të Mëshirës, të lejojmë të na prekë kjo dashuri e mëshirshme e Zotit që na fal gjithmonë!
Po ti, i dashur i ri, e dashur e re, a ke ndier ndonjëherë të ulet mbi ty ky vështrim dashurie të pafundme, që, përtej të gjitha mëkateve dhe kufizimeve të tua, vazhdon të të besojë dhe ta shikojë ekzistencën tënde me shpresë? A je i vetëdijshëm për vlerën që ke përpara Hyjit i cili për dashuri të ka dhënë gjithçka? Sikurse na mëson shën Pali, «Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne» (Rom 5, 8).
Papa, në këtë citim të fundit të shën Palit, na flet për kryqin si për atë libër të hapur në të cilin zbulohet mëshira, dashuria e madhe e Hyjit ndaj nesh. Sigurisht, gjatë Kreshmëve keni marrë pjesë në Udhën e Kryqit: a e keni pyetur veten se përse ekziston kjo praktikë fetare? Me siguri nuk bëhet fjalë për një vetëfshikullim, por për të mësuar diçka nga ajo Dashuri e kryqëzuar. Jezusi na mëson që të duam sikurse Ai do. Ja: sot jemi këtu për të bërë me siguri përvojën e kësaj dashurie, por edhe për të bërë edhe një hap të vogël drejt të bërit edhe ne vetë dashuri, sikurse Jezusi.
Të dashur të rinj, dashuria për të cilën jemi duke folur me siguri nuk është ajo që na paraqitet prej mediave dhe nuk mësohet në internet. Është një dashuri që kalon nëpërmjet marrëdhënieve të përditshme e që kërkon të jemi të vëmendshëm ndaj atyre që kemi përballë, për të kuptuar kërkesat, nevojat dhe aspiratat e tyre më të thella. Është një dashuri që nuk mendon vetëm që të kënaqet (në atë rast do të ishte egoizëm apo egocentrizëm), por t’u dalë përpara të tjerëve përtej kufizimeve të tyre dhe mjerimeve të tyre.
Dikush do të më thotë: atë, më parë thatë se është e lehtë të zhgënjehemi në marrëdhëniet! Po, është e vërtetë! Por mund të mbetem i zhgënjyer vetëm nëse vëmendja ime ndaj tjetrit që kam përballë është me interes; ndërsa nëse jam i lirë prej çdo interesi dhe veproj me të njëjtën bujari me të cilën Hyji vepron me mua, atëherë nuk do të kem pse të druhem se mos mbetem i zhgënjyer. Madje, nëse në një marrëdhënie secili i jep maksimumin e vetvetes tjetrit, atëherë askush prej të dyja palëve nuk do të mbetet i zhgënjyer. Sigurisht, nganjëherë ndodh që të kemi përballë persona të paaftë për t’u dhuruar, por në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për persona të plagosur nga jeta që presin vetëm një vështrim të dashur dhe plot dhembshuri për të dalë prej mbylljen së tyre dhe për t’iu hapur gëzimit të dhuratës së ndërsjellë.
A më pak e as më shumë nga sa ndodh në marrëdhënien tonë me Hyjin: sa herë e kemi zhgënjyer atë me mëkatet tona dhe me mbylljet tona... megjithatë, ai është gjithmonë aty, i gatshëm të na shtrijë dorën dhe të na çojë përsëri. Edhe këtu do të doja të citoja Papën në fjalimin e tij drejtuar të rinjve të Meksikës. Ai thotë: “Kur gjithçka duket e rëndë, kur duket se bota po na shembet përsipër, përqafoni kryqin e tij, përqafoni Atë dhe, ju lutem, mos u shkëputni kurrë prej dorës së tij, edhe nëse ju çon përpara duke ju marrë zvarrë; dhe nëse një herë bini, lejoni që Ai t’ju ngrejë përsëri. [...]. E kush është i vetmi që mund të të kapë për dore që ti të mos mbetesh i rrëzuar? Jezu Krishti, vetëm Ai. Jezu Krishti që, nganjëherë, të dërgon një vëlla që të të flasë e të të ndihmojë. Mos e fshih dorën kur je i rrëzuar. Mos i thuaj: Mos më shiko se jam i baltosur apo e baltosur. Mos më shiko, se tashmë nuk ka më zgjidhje. Vetëm lejo që të të kapë për dore, dhe kape atë dorë, e bukuria që ke brenda, e pistë, e baltosur, e konsideruar si e humbur, do të fillojë, nëpërmjet shpresës, të japë frytin e vet. Por gjithmonë me dorën të shtrënguar me atë të Jezu Krishtit. Kjo është rruga. Mos harro: “Në artin e ngjitjes, suksesi nuk do të thotë të mos rrëzohesh, por të mos mbetesh i rrëzuar”. Mos ia lejoni vetes të rrini të rrëzuar! Kurrë! Dakord? E nëse shihni një mik apo një mike që ka pasur një rrëshqitje në jetë dhe është rrëzuar, shko e jepi dorën tënde; por jepja me dinjitet: vendosu pranë tij, pranë saj, dëgjo... Mos thuaj: po të jam recetën! Jo, si mik, me qetësi, jep forcë me fjalët e tua, me dëgjimin tënd: ai ilaç që është duke u harruar: “terapia e dëgjimit”. Lëre të flasë, lër që të të tregojë, e atëherë, pak nga pak, do të të zgjasë dorën, dhe ti do ta ndihmosh në emër të Jezu Krishtit. Por nëse shkon menjëherë, e fillon t’i bësh predikim, e pak nga pak, në fund, të shkretin, e lë më keq se sa ishte më parë... A është e qartë? Mos u lodhni kurrë prej dorës së Jezu Krishtit, mos u largoni kurrë prej Tij. E nëse largoheni, ringrihuni dhe ecni përpara: Ai e kupton se çfarë janë këto gjëra. Sepse së bashku me Jezu Krishtin është e mundur të jetojmë plotësisht, së bashku me Të është e mundur të besojmë se ia vlen të jetojmë; se ia vlen të japim më të mirën e vetvetes, të jemi tharm, kripë dhe dritë mes miqve, në lagje, në bashkësi, në familje”.
Ja, më duket e rëndësishme t’ju përsëris këto fjalë të Papës, sot, dita dioqezane e rinisë. Të gjithë kemi kaluar Portën e Shenjtë të Mëshirës…dhe ndërsa përshkojshim Portën, kemi menduar se çfarë dashurie të madhe Hyji është duke derdhur mbi secilin prej nesh dhe se si do të mund t’i përgjigjemi kësaj dashurie duke e pranuar dorën që Ai na shtrin e duke afruar sakramentit të Pajtimit. Por edhe se si do të mund t’i përgjigjeni, ju te dashut te rinj, kësaj dashurie me gjeste faljeje e mëshire ndaj shumë personave që njihni apo shumë nevojtarëve që do të mund të takoni në rrugëtimin tuaj.
Të dashur, kemi degjuar disa dëshmi dhe disa pikat të mesazhit të Papa Françeskut për Ditën Botërore e Lutjes. Kemi degjuar thirrjen e fortë që ju bëri Papa Françesku dhe sot e bej edhe une, si arqipeshkëv e kësaj Dioqeze: “Dashuroheni me Krishtin Zot, të Ngjallur! Nëse Jezusi thërret dikënd prej jush për të qenë meshtar, frat, rregulltar e rregulltare, mos kini frikë pë t’iu përgjigjur “PO”…është bukur të jesh meshtar, misionar, misionare…të kushtosh krejt jetën Krishtit dhe vëllezërve. Kisha, Dioqeza jonë dhe Shqipëria kanë nevojë për meshtarë”.
Në fund, shpresoj me të vërtetë që secili prej nesh ta plotësojë këtë ditë me një njet serioz pranimi të mëshirës së Hyjit dhe angazhimi mëshire ndaj të afërmit.
Ju uroj me të vërtetë që të keni shpatulla të forta për ta përballuar përqafimin e fortë të Jezusit të Mëshirshëm dhe krahë të fortë për t’u dhuruar përqafimin tuaj të mëshirshëm atyre që do të takoni në jetën tuaj.
Qoftë lëvduar Jezu Krishti!