FJALIMI NË DITËN DIOQEZANE TË TË RINJVE
NË PALLATIN E SPORTIT – SHKODËR
IMZOT ANGELO MASSAFRA

 


Shumë të dashur të rinj,

është gjithmonë gëzim të mund të bashkëndaj me ju momente si ky që jemi duke jetuar sot, moment feste, moment takimi, moment bashkëndarjeje.
Është një moment feste sepse hëna e parë e plotë e pranverës na lajmëron se diçka e re është duke ndodhur: ka mbaruar dimri, jeta rilulëzon dhe natyra ngjyroset si për festë. Ringjallja e Krishtit që po përgatitemi të jetojmë pas një jave përfaqëson simbolikisht gjithë këtë. Por edhe ju, të dashur të rinj, që jeni shëmbëlltyrë e pranverës dhe e jetës së re që Krishti ka përuruar me ringjalljen e vet prej të vdekurve. Ju jeni pranvera e jetës, e shoqërisë dhe e Kishës. Ju jeni arsyeja e shpresës dhe, siç ka thënë papa Françesku në Tiranë, shtatorin e kaluar, “ju jeni brezi i ri, brezi i ri i Shqipërisë, e ardhmja e Atdheut”.
Ky i yni është një moment takimi. Nuk është vetëm një fakt fizik: “takimi” është një qëndrim që duhet të bëjë pjesë në zakonet më të mira të të krishterit. Do të thotë pikërisht e kundërta e “përplasjes”. Do të thotë të shkojmë drejt njëri-tjetrit për ta pranuar, për ta njohur, për ta dashur njëri-tjetrin. Është forma e parë e misionit në të cilin jemi të thirrur: nuk mund të themi se jemi të krishterë nëse nuk jemi misionarë; dhe nuk mund të jemi misionarë nëse nuk e fitojmë këtë virtyt të takimit, duke filluar prej atyre që kemi afër. Ta takoj tjetrin do të thotë ta shikoj në sytë që janë dritaret e shpirtit të tij; të familjarizohem me cilësitë e tij dhe me të metat e tij; do të thotë ta dëgjoj ndërsa flet për të kuptuar brendësinë e tij; do të thotë t’i lejoj të shprehet ashtu siç është, pa pretenduar që ta ndryshoj; do të thotë ta pranoj zemrën e tij që më hapet mua që edhe unë, pastaj, të mund të bëj të njëjtën gjë me të. Ai që e ka takuar Krishtin (dhe presupozohet se secili prej nesh këtu të pranishëm sot e ka takuar Krishtin ose është duke u bërë gati ta takojë tani) me siguri është ndier kështu: i shikuar, i njohur, i dëgjuar, i lirë për t’u shprehur, i pranuar dhe i dashur. Atëherë, nëse Krishti na ka takuar kështu, edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë me njëri-tjetrin.
Së fundi, ky i sotmi është një moment bashkëndarjeje. Bashkëndajmë me njëri-tjetrin para së gjithash dashurinë që kemi marrë prej Krishtit: vetëm ai që është ndier i dashur është i aftë të dojë me të vërtetë. Dhe nëse rastësisht dashuria që do të kishit dashur nuk ju ka ardhur prej personash të tjerë, atëherë ta dini se Krishtit mund t’i besoni dhe se dashuria e tij për ju është më e madhe se çfarëdo dashurie njerëzore. Bashkëndajmë burimet tona: askush nuk është pa burime; secili ka gjithmonë diçka për të dhënë, por nëse mendoj t’i mbaj dhantitë e mia vetëm për vete do të jem si një lumë që, herët a vonë, do të vërshojë duke përmbytur gjithçka. Ndërsa nëse lumi do të jetë i gatshëm të vadisë fushat, të ushqejë lumenjtë, të ushqejë peshqit dhe të derdhet në det, atëherë do të ketë gjithmonë vend për ujë të ri. Ju, të dashur të rinj, me burimet tuaja jeni shumë të çmueshëm për Kishën: çdo bashkësi e krishterë ka të drejtën t’i shohë të rinjtë e vet të angazhuar në vijë të parë që jeta e bashkësisë së krishterë të jetë aktive, e gjallë, e gëzueshme. Një Kishë rinore është ajo e bërë prej të rinjve... jo vetëm për nga mosha (kam njohur persona të moshuar më të rinj se shumë të rinj), por edhe për energjitë që përdoren në të. Kur shkoj në famullitë e Arkidioqezës shoh gjithmonë shumë të rinj që marrin pjesë në kremtimet, por pastaj konstatoj se shumë prej tyre shpesh largohen prej kishës, dalin, hyjnë, ndoshta shkojnë për të pirë duhan apo për të biseduar me miqtë e tyre përjashta. Mendoj se mërziten, ose nuk ndihen mjaft të përfshirë. Atëherë them: po pse nuk shkoni te meshtarët tuaj dhe nuk bëni propozime për një përfshirje më të madhe? Mos kini frikë t’u jepni bashkëpunimin tuaj meshtarëve dhe motrave. Dua të vë bast pikërisht në sipërmarrjen tuaj rinore.

Me këtë fjalim timin do të ishte dashur t’ju paraqisja Mesazhin që Ati i Shenjtë Françesku ju ka dërguar pikërisht për këtë ditë. Por besoj se të gjithë ju dini të lexoni dhe se Papa flet aq thjesht sa edhe fëmijët e kuptojnë atë që thotë. Atëherë, në vend që t’ju bëj një konferencë, kam parapëlqyer të bashkëndaj me ju këto mendimet të mijat dhe këto nxitje të miat, e tani, gjithnjë në logjikën e bashkëndarjes për të cilën po ju flisja pak më parë, do të doja t’ju ftoja ta merrni seriozisht në konsideratë Mesazhin e Atit të Shenjtë.
Në këtë Mesazh Papa e shpjegon shumë mirë përmbajtjen e lumturisë së shprehur prej Jezusit: “Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin”. Shikoni, shumë të dashur të rinj, Lumturitë janë manifesti programatik i Jezusit: nuk mund të mos i njohim ato! Nëpërmjet Lumturive kuptojmë mesazhin e Jezusit dhe se si mund ta jetojmë atë në thjeshtësinë e jetës sonë. Në mënyrë të veçantë, kjo lumturi e pastërtisë së zemrës nuk duhet lënë pas dore sepse ajo premton të na bëjë ta shohim Hyjin. Sigurisht, do ta keni pyetur veten se cili është kuptimi apo qëllimi i jetës sonë. Nuk e di çfarë përgjigjeje i keni dhënë ju vetes, por unë, shumë thjesht, duke nisur prej fesë sonë, i kam thënë vetes se prej Hyjit vijmë dhe te Hyji kthehemi; pra qëllimi i jetës sime është ai që të shoh Hyjin.
E dini, kjo lumturi ka shumë zbatime praktike që Papa na shpjegon me thjeshtësi dhe, siç ka thënë duke ardhur në Shqipëri, edhe në këtë Mesazh nuk lë pa propozuar besimin e vet në ju të rinjtë për realizimin e një bote më të mirë. A ju kujtohet se çfarë na ka thënë në Angelus-in e 21 shtatorit?
Po ju përsëris ato fjalë: “Me forcën e Ungjillit, me shembullin e paraardhësve tuaj dhe shembullin e martirëve tuaj, të dini t’i thoni jo idhujtarisë së parasë – jo idhujtarisë së parasë! – jo lirisë së rremë individualiste, jo varësive dhe dhunës; dhe t’i thoni po kulturës së takimit e të solidaritetit, po bukurisë së pandashme prej së mirës dhe prej së vërtetës; po jetës së shpenzuar me shpirtmadhësi por besnike në gjërat e vogla. Kështu do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë dhe një botë më të mirë, në gjurmët e paraardhësve tuaj”.
Edhe unë u bashkohem këtyre fjalëve të Papës dhe shfrytëzoj rastin për t’ju shpallur se këtë vit i bie 25-vjetori i Meshës së parë në varrezat e Rrmajve në Shkodër, që ka caktuar fillimin e rënies së komunizmit, kremtuar nga dom Simon Jubani, me meshtarë dhe rregulltarë të tjerë dhe shumë shkodranë të guximshëm. Shumë prej jush nuk kishin lindur ende, por nuk jemi duke folur për kohë shumë të largëta dhe, sigurisht, e dini se sa vuajtje kemi pësuar pikërisht sepse kemi qenë të krishterë katolikë. Atëherë, ju ftoj ta shënoni këtë datë: 4 nëntor 2015. Në kujtim të asaj ngjarjeje do të kemi edhe një herë rastin të përtërijmë para të gjithëve guximin për të qenë të krishterë.
Kështu, thjesht, me këtë ftesë dhe me fjalët e Papës, ju uroj ta jetoni në plotësi këtë ditë të kushtuar juve dhe të përgatiteni që t’i kremtoni këto Pashkë që, siç po ju thosha në fillim, ka shumë analogji me rininë tuaj. Le të jeni gjithmonë shëmbëlltyrë e gjallë e Jezusit të Ringjallur. Duke ju vështruar ju dhe angazhimin tuaj bujar e të guximshëm të jetës së krishterë, kushdo që ju sheh të mund të thotë se ka takuar Krishtin.
Çojuni përshëndetjen time, urimin tim më të dashur dhe bekimin tim për këto festa të Pashkëve familjeve tuaja.